Zgjedhjet në Maqedoni, mirëqenia ekonomike temë dominante në fushatë

Partitë politike në Maqedoni paraqesin programet e tyre në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit.

 

Dy partitë parlamentare shqiptare BDI dhe PDSH në fushatën zgjedhore theks të veçantë po i kushtojnë edhe platformës ekonomike. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka thënë se nëse qytetarët nuk e dënojnë BDI-në dhe VMRO-DPMNE-në, vendi do të ketë bllokadë ekonomike. Sipas tij, këto dy parti nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve, të cilët vazhdojnë të përballen me probleme themelore. Nëse votohet PDSH-ja, shqiptarët do të kenë pozicionet e merituara në hierarkinë institucionale, thotë Thaçi duke premtuar se në qeverinë e ardhshme shqiptarët do të kenë një zëvendëskryeministër, i cili do të ketë një të drejtë vetoje, ku asnjë vendim i rëndësishëm i qeverisë si në ekonomi, në sferën multietnike nuk do të mund të merret pa pëlqimin e tij.

“BDI thotë që do ta rrisin pagën minimale.Të kujt? Të të punësuarve? Sa janë të punësuar shqiptarë, 5%, 95% janë maqedonas, e kopjojnë programin e VMRO-së dhe nuk e kuptojnë se flasin si VMRO-ja dhe si maqedonasit. Tashmë është e qartë se Bashkësia Ndërkombëtare ka një qëndrim jashtëzakonisht negativ ndaj kësaj qeverie. Unë bashkërisht me ju duhet t’u apelojmë të gjithë qytetareve se po nuk u rrëzua BDI-ja do të ketë bllokadë totale ekonomike, Maqedonia do të ketë një kolaps të plotë ekonomik”, është shprehur kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, njëkhësisht bartës i listës në njësinë e gjashtë zgjedhore, ka thënë se partia që ai drejton do të vazhdojë misionin e saj të filluar më herët edhe në qeverinë e ardhshme, duke krijuar kushte më të mira ekonomike për shqiptarët, hapje të vendeve të reja të punës, barazi ekonomike dhe ndërtim të shumë shkollave të reja për shqiptarët. Ahmeti vlerësoi se mandati i ardhshëm është në veçanti shumë i rëndësishëm edhe për t’i zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjet e hapura ndër vite, si çështja e emrit dhe anëtarësimi i vendit në NATO dhe në BE.

“BDI është forcë që nuk dëshiron fitore dosido, ne duam mandat të rëndësishëm, ku do të mund të tejkalohen çështjet që vërtet duan imunitet. Problemi i çështjes së emrit do mirëkuptim brenda shteteve, siç është kontesti me palën greke apo me atë bullgare. Ne jemi përpjekur si BDI që të mos qëndrojmë si shikues, por jemi kyçur në mënyrë aktive për zgjidhjen e këtyre problemeve”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai vlerëson se ndarja e votës shqiptare në më shumë subjekte politike do të dëmtonte interesat dhe idetë e shqiptarëve, e me këtë do të dobësohej edhe zëri i përfaqësuesve shqiptarë në qeverinë e ardhshme.

LSDM vazhdon me politikën e saj destruktive dhe dëshiron të vijë në pushtet me ndihmën e të huajve dhe jo me vullnetin e popullit, kështu ka theksuar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Ai ka shprehur optimizëm se partia e tij në zgjedhjet e 11 dhjetorit do të dalë fituese si rezultat i projekteve të realizuara dhe përkushtimit ndaj qytetarëve dhe shtetit. Sipas Gruevskit, vendi nuk ka nevojë për kantonizime dhe dygjuhësi në mbarë shtetin, siç premton lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Zgjedhjet duhet të paraqesin referendum për një Maqedoni të fortë ekonomikisht dhe jo për kantonizime. “Kjo nuk na duhet ne, pasi kemi një shtet sovran në të cilin kërkojmë zgjidhje për të gjitha problemet që paraqiten, ndërkaq me kantonizim do të mbyllemi në vete dhe kjo nuk shkon në të mirën e askujt. Zgjedhjet e 11 dhjetorit janë referendum për një Maqedoni të fuqishme ekonomikisht, një Maqedoni sovrane, e jo për kantonizim dhe federalizim të shtetit, dhe dikush tjetër nga jashtë të na emërojë kryeministër dhe qeveri”, shprehet kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili është edhe bartës i listës në njësinë e katërt zgjedhore, paralajmëroi se qeveria e ardhshme do të harxhojë një miliardë Euro, por jo për beton dhe përmendore, por për rroga, vende të reja të punës, investime për të rinjtë, si dhe për të ardhmen e vendit. Zaev poashtu paralajmëroi se të gjitha paratë e vjedhura nga Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij do të kthehen te qytetarët.  “Është e rendit që Gruevski dhe familja e tij të kthejnë gjithçka që kanë vjedhur, prandaj ai është i shqetësuar. Prandaj Gruevski është në panik dhe në kokë i sillet konfiskimi, por flet për federalizim. Çfarë federalizimi dhe kantonizimi, jo, jo, e di mirë Gruevski, do të ketë konfiskim deri në një denarë, euro, dollarë apo paund, gjithçka do të kthejë pasi ka vjedhur nga ju qytetarët, gjithçka që e mori do ta kthejë pas”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. Ai ka premtuar se do të mbështesin idenë për vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale dhe themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të merrej me rastet e krimit dhe keqpërdorimit të pushtetit.

Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, thotë se nëse nuk zbatohet ridefinimi, e ardhmja e këtij shteti vihet në pikëpyetje. Ai premtoi se ridefinimi nuk do të mbesë vetëm plan në letër, si shumë marrëveshje të tjera që kanë mbetur të tilla edhe pse kanë pasur nënshkrimet nga faktori ndërkombëtar. Ridefinimi do të jetësohet, ka premtuar Kasami. “Ridefinimi i këtij shteti nënkupton edhe ridefinimin e sistemit juridik. E kemi thënë që nuk mund të ketë procese të montuara kundër shqiptarëve, drejtësia nuk do të jetë selektive, nuk do të lejojmë më që nënat dhe motrat tona të tërhiqen zvarrë korridoreve të gjykatave vetëm e vetëm që dikujt t’ia plotësojë epshin. Me ridefinim të gjithë do të jenë të barabartë”, është shprehur kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.

Kryetari i koalicionit “Aleanca për shqiptarët” Ziadin Sela, vlerëson se ky pushtet vazhdon të bëjë spastrim etnik të shqiptarëve, duke i detyruar që në mungesë të perspektivës ekonomike të ikin nëpër vendet evropiane.

“Ne pa vetëdijë ndoshta e ndjekim se çfarë po ndodh, por spastrimi etnik nuk është vetëm të vrasësh një familje dhe e spastrove një popull, jo. Spastrim etnik quhet kur ngelet shtëpia bosh. Ky plan funksionon në Strugë, funksionon në Dibër, në Gostivar janë mbi 10 mijë të rinj, të cilët janë larguar brenda këtyre tre muajve. Ne nuk duhet ta lejojmë një gjë të tillë.  Aleanca për shqiptarët është e përcaktuar për shtet binacional, për gjuhë zyrtare shqipe në të gjithë shtetin”, deklaroi lideri i LR-PDSH-së, Ziadin Sela. /DW/.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme