Zgjedhjet në Kosovë nuk mjaftojnë më për të vlerësuar cilësinë e demokracisë, nëse nuk ndiqen me qëndrueshmëri institucionale. Bllokimet e shpeshta paszgjedhore kanë ndryshuar mënyrën se si vendi perceptohet ndërkombëtarisht, duke zhvendosur fokusin nga procesi zgjedhor te kapaciteti për qeverisje.
Më 7 qershor, Kosova shkon në zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve – një ritëm që e largon ciklin zgjedhor nga normaliteti demokratik dhe e vendos atë në logjikën e krizës së përsëritur.
Vetëm gjashtë muaj më parë, zgjedhjet prodhuan një fitues të qartë – Lëvizjen Vetëvendosje me mbi 51 për qind të votave – që në kushte normale do të nënkuptonte stabilitet politik. Por, dështimi për të zgjedhur presidentin e ri të shtetit aktivizoi afatet kushtetuese dhe e ktheu vendin sërish në kutitë e votimit.
Fushata është tashmë në lëvizje të plotë – me tubime, takime, fjalime – por përmbajtja e saj mbetet e kufizuar: më shumë akuza dhe kërkim përgjegjësish për atë që ka ndodhur, dhe më pak ide të reja për zgjidhje apo rrugë përpara.
“Ne nuk kemi pasur nevojë edhe për një fitore, por blloku opozitar ka pasur nevojë edhe për një humbje”, ka thënë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tani kryeministër në detyrë, para disa mbështetësve të tij.
“Ata që kishin mundësinë dhe përgjegjësinë për të udhëhequr, zgjodhën të mos veprojnë”, sipas një video-mesazhi të publikuar në Facebook nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
E, “a do ta lëmë Kosovën të lodhet nga përçarjet dhe nga krizat e njëpasnjëshme, siç duan të tjerët?”, ka pyetur bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.



