Vjosa Osmani, kandidate për presidente e Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka rikthyer në qendër të diskursit politik figurën e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, në nisje të fushatës.
Gjatë hapjes së fushatës elektorale, Osmani deklaroi se rugovizmi mbetet një model modern politik për Kosovën, duke e cilësuar atë si frymë që përfaqëson unitetin, urtësinë dhe dinjitetin shtetëror.
Fushata zgjedhore tashmë ka hyrë në fazën e saj intensive, ndërsa partitë politike po prezantojnë programet dhe mesazhet e tyre para qytetarëve.
Veprimtari Saim Tahiraj, ka kritikuar përdorimin e emrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova gjatë fushatave zgjedhore, duke thënë se partitë politike e kujtojnë Rugovën vetëm në kohë zgjedhjesh për përfitime elektorale.
“Deklarata të tilla do të kemi gjatë tërë fushatës zgjedhore, sepse vetëm kur ka zgjedhje ju kujtohet Rugova. Këta ende nuk janë të vetëdijshëm se Rugova ka vdekur prej kohësh dhe se emri i tij nuk mund të shfrytëzohet për përfitime elektorale.
Sipas Tahiraj, shumica e kandidatëve aktualë të LDK-së nuk përfaqësojnë Rugovizmin, pasi disa kanë ardhur vonë në parti, kanë ndërruar subjekte politike ose janë rikthyer vetëm për interesa personale.
Ai vlerëson se “bashkimi i së djathtës” po përdoret më shumë si slogan elektoral sesa si bashkim i sinqertë ideologjik. Sipas tij, vetëm rikthimi i vlerave të Rugovizmit mund ta rikthejë besimin e qytetarëve.
“Po t’i shikosh kandidatët që janë në garë për deputetë nga LDK-ja, një pjesë e tyre fare nuk kanë të bëjnë me Rugovizmin. Disa kanë ardhur së fundmi në LDK dhe as që e njohin Rugovizmin si koncept politik. Të tjerë kanë ndërruar disa parti dhe sot kanë ardhur në LDK vetëm për të fituar pozitën e deputetit, pa pasur asgjë të përbashkët me LDK-në dhe Rugovizmin.
Disa të tjerë kanë ikur nga LDK-ja dhe kanë kaluar te rivalët më të mëdhenj politikë të saj, si VV, PDK, AAK etj. Ata janë kthyer vetëm për t’i realizuar ambiciet personale dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me LDK-në dhe Rugovizmin.
Prandaj, i gjithë ky bashkim që po trumbetohet si “bashkim i së djathtës”, në realitet nuk ka shumë përmbajtje reale, sepse është më tepër një bashkim interesash personale dhe grupore, me bindje dhe orientime të ndryshme ideologjike.
Uroj që kjo të realizohet në të ardhmen dhe të mos mbetet vetëm një nismë elektorale. LDK-ja dhe Kosova kanë nevojë për një bashkim real, të vërtetë dhe të sinqertë të së djathtës, si e vetmja alternativë që vendi të ecë përpara.



