Duke i uruar policët e rinj të pranuar, ministri i brendshëm, Oliver Spasovski tha se me këtë konkurs MPB është kujdesur për përfaqësimin adekuat gjinor dhe etnik.
Ndërsa, zëvendësi i tij Agim Nuhiu konfirmon se nga 654 policët e rinj, 160 janë shqiptarë, apo 25 për qind nga numri i përgjithshëm i atyre që janë pranuar.
“Unë ndjej krenari, dhe konfirmoj se të gjithë kandidatët shqiptar të cilët u pranuan në këtë gjeneratë, e kanë mbaruar me sukses kursin”, u shpreh Agim Nuhiu, zv/ministër i MPB .
Spasovski dhe Nuhiu theksojnë se MPB do të përkujdeset për përfaqësimin e duhur të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike edhe në konkursin që është në proces.
Ministri Spasovski gjithashtu konfirmoi se ka bërë 11 ndryshime në pozitat udhëheqëse në MPB, nga 15 ndërrimet e lejuara sipas Marrëveshjes politike.
Por i pyetur nga TV21 se a është përkujdesur lidhur me përfaqësimin edhe në këtë poste, Spasovski është përgjigjur:
“Nuk kam ndryshuar asnjë shqiptar në ndërrimet e fundit, do të thotë sa kanë qenë aq janë.”
A ka ndonjë shqiptar në ata që vendosët?
“Nuk ka shqiptarë që është larguar nga pozita, nëse nuk ka shqiptarë të ndërruar nuk as shqiptarë të emëruar.”
Katër nga udhëheqësit e posteve të larta në MPB janë në pushim mjekësor, por Spasovski i bëri thirrje që të kthehen në punë, për shkak se nuk planifikon të bëjë ndërrime në ato pozita.