Gazetare: Linda Ebibi
Parkimi në garazhet me kate në Klinikën Universitare “Nënë Tereza” do të kushtojë më shtrenjtë. Nga 30 denarë për orë, qytetarët do të paguajnë 50 denarë orën. Në tenderin e hapur është paraqitur vetëm një kompani nga Shqipëria. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari thotë se ky çmim për qytetarët nuk është i lartë, pasi ka vende tjera që çmimet janë më të larta. Sipas tij, me garazhet në kate pritet dyfishimi i kapaciteteve për parkim.
“Çmimet janë 50 denarë për një orë, në Ramstor është 60 denarë,… Shikoni këtu kemi pas parkime të veturave që e kanë lënë makinën aty dhe më pas kanë dalur në qytet. 50 denarë mendoj se është çmim i përshtatshëm në territor. Para Nova Makedonijas është 40 denarë për qytetarët, kështu që 50 denarë, nuk është çmim që është shumë i lartë. Unë mendoj se, duke pasur parasysh se si lëvizin çmimet, çmimi nuk është i keq”, deklaroi Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se kompania e paraqitur në tender nuk e bën fillimin e punimeve fakt të kryer. Nëse ajo nuk plotëson kriteret në përpikëri, nuk do të zgjidhet.
“Një vendim të tillë nuk e ka sjell Qeveria, ndërsa se çfarë do të marrim parasysh, është dokumentacioni i tenderit dhe kuptohet se kompania që nuk ka kredibilitet dhe as karakteristika teknike nuk do të zgjidhet. Vendimet që i merr kjo qeveri janë në interes të qytetarëve”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Procedurat e tenderit kanë kaluar në Ministrinë e Shëndetësisë, tani duhet vetëm që Qeveria të jep dritë jeshile. Nëse Kompania “Gjoka Construction” fiton tenderin e parkingjeve, ajo do të menaxhojë me parkingun në vitet e ardhshme, ndërkaq në shpallje parashihet që partneri privat të ndërtojë dy garazhe të montuara në kate, të menaxhojë me tërë parkingun e Qendrës Klinike, ndërsa për kthim shteti duhet të fitojë një për qind nga të ardhurat vjetore të realizuara. Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, investimi do t’i kushtohet koncesionerit mbi dhjetë milionë euro. Momentalisht, në Qendrën Klinike të Shkupit ka 800 vende për parking, ndërkaq me dy garazhet në kate do të fitohen edhe 800 deri në 900 vende të tjera. /Alsat.mk