Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës ka miratuar një projektvendim kundër shkrirjes së kësaj bashkie dhe bashkimit të saj me Bashkinë e Kavajës, në kuadër të propozimeve për Reformën Territoriale.
Pavarësisht përkatësive politike, anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë dalë në një qëndrim të përbashkët kundër këtij propozimi, duke kërkuar që çdo ndryshim administrativ të shoqërohet me një proces transparent dhe konsultim me qytetarët.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Rrogozhinës, Desi Gixhari, lexoi qëndrimin e përbashkët të anëtarëve, përpara se projektvendimi të hidhej në votim dhe të miratohej.
“Nuk mund të pranohet një vendimmarrje që prek jetën e mijëra qytetarëve pa një proces transparent. Sot, pavarësisht bindjeve politike që kemi, na bashkon mbrojtja e interesit të qytetarëve të Bashkisë Rrogozhinë. Kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, është inkurajuese që kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Kur bëhet fjalë për të ardhmen e Rrogozhinës, interesi ynë qëndron mbi çdo bindje politike”, deklaroi Gixhari.
Vendimi i Këshillit Bashkiak vjen pas reagimeve të shumta nga disa bashki në vend, të cilat kanë kundërshtuar propozimet për riorganizimin e hartës administrative.
The post Zgjerohet harta e revoltës kundër qeverisë, Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës voton kundër bashkimit me Kavajën (VIDEO) appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



