Kryesia e Kuvendit pritet të vendosë në pjesën e parë të javës së ardhshme rreth iniciativës së deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ani se kjo çështje nuk figuron në rendin e ditës, shkruan sot Koha Ditore.
Rrezikun për “ringjalljen” e iniciativës e kanë nuhatur ndërkombëtarët, të cilët të premten kanë shtuar presionin kundër një vendimmarrjeje të tillë.
Përpos takimeve që diplomatë të akredituar në Prishtinë kanë zhvilluar me përfaqësues institucionalë dhe me lidershipin e partive, ata kanë rikujtuar, të premten, edhe rreziqet me të cilat do të përballet Kosova në rast se rrëzohet Specialja.
Iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Specialen, e cila ende është pezull në Kuvend, përbën “shqetësim ekstrem për BE-në dhe vendet anëtare të saj”, thuhet në një deklaratë që gjatë ditës e kanë lëshuar përfaqësuesja e posaçme e BE-së dhe shefat e misioneve të BE-së në Kosovë…