Zhurma e bilbilave dhe tymi i flakadanëve nuk do të shoqërojnë më seancat plenare, sikundër ka ndodhur prej tetorit të vitit të kaluar.
Marrëveshja mes demokratëve të Rithemelimit dhe Partisë Socialiste e finalizuar të premten e 15 marsit nga e hëna do të rikthejë qetësinë në parlament, por edhe ballafaqimet mes palëve.
Komisionet parlamentare që deri tani janë mbajtur online vetëm me prezencën e socialistëve tanimë, sipas vetë Kuvendit do të mbahen fizikisht.
Lajmërimi jepet me Komisionin e Ligjeve ku për diskutim në sallë janë pesë çështje. Në sallë deputetët e opozitës e të mazhorancës do të jenë edhe te Komisioni i Jashtëm dhe ai i Sigurisë.
Seanca e parë normale pa bilbila, flakadanë, e bllokim të foltores pritet të mbahet të të enjten e 21 marsit. Në po atë seancë pritet që Komisioni Reformës zgjedhore të marrë fund!
Gjatë javës së ardhshme pritet gjithashtu të bëhen të ditur edhe emrat që do të drejtojnë dy komisionet hetimore atë të ndërhyrjeve në sistemin TIMS, dhe kontratat në Shëndetësi.
Gjithashtu, PS dhe “Rithemelimi”, që tanimë është pranuar si faktor politik nga shumica, pritet të zgjedhin emrat e nënkomisionit të reformave, që do ti japë vulën e fundit reformën zgjedhore.