ZNAM po e sfidon Kushtetutën – Fillimi i fundit të Marrëveshjes së Ohrit?

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Lëvizja ZNAM po shndërrohet në temperament. Që nga hyrja e saj në koalicionin qeverisës, kjo parti, pavarësisht se ka dalë nga LSDM-ja e qendrës së majtë, duket se po thirret gjithnjë e më shumë në nostalgjitë e vjetra, ngacmimet me shqiptarët, testimin e frymës së kushtetutës dhe marrëveshjes së Ohrit, por edhe me interesat e shtetit.

Në këtë teatër politik, ministrat e saj, Filkovi që sot flet për parimin e Badenterit, mati hijen me shtatin, duke u kapur edhe me vetë partnerët e koalicionit, Antonio Milloshoskin e VMRO-DPMNE-së, duke e quajtur “kusur i Gruevskit” si dhe “xhuxh nga Nebregova”.

Me të shpejtë, kryeministri Mickoski ndërhyri në qetësimin e gjakrave duke e zgjidhur këtë përplasje dhe duke shtuar se, që të dy patën thjesht një ditë të keqe dhe se kjo çështje mbyllet me kaq.

Por, sjelljet ngacmuese të funksionarëve të ZNAM-it, vazhduan ndaj partnerëve shqiptarë në qeveri, VLEN-it. Vetë kreu i kësaj partie Dimitrievski, mendoi se mund të rrëzonte knockdoën krerët shqiptarë pasi publikuan një fotografi të përbashkët në zyrën e tyre në Qeveri, e ku në tavolinë bashkë me flamurin e Maqedonisë dhe atij evropian ishte vendosur edhe flamuri shqiptar. Maksim Dimitrievski kërceu në tapet dhe paralajmëroi largim nga Qeveria nëse një gjë e tillë përsëritej.

“Nëse vazhdon sjellja e tillë, nuk do të jemi pjesë e Qeverisë, ja këtë do të bëj!”, pati thwnw Maksim Dimitrievski – kryetar i L.ZNAM.

Por, ky hov nuk zgjati shumë, dhe vetë Dimitrieski u tërhoq nga qëndrimi.

“Në fund të ditës sigurisht që, ne të ZNAM-it nuk do të lejojmë që dikush të gëzohet që të dalim nga Qeveria për shkak të shkeljes së ligjit për përdorimin e flamujve, dhe besoj se partnerët tanë të koalicionit do ta tejkalojnë veten”, ishte shprehur Maksim Dimitrievski – Kryetar i L.ZNAM.

Në kuadër të ngacmimeve me shqiptarët, edhe ministri i administratës shtetërore, Goran Minçev, u lëshua si një dorë e zgjatur e Lëvizjes. Në paralajmërimet e zv.kryeministrit Izet Mexhiti se do të punësoheshin mijëra shqiptarë, Minçev i dërgoi porosi Mexhitit që të mos sillet si “Liza në botën e çudirave” sepse premtimet e tij janë të pamundura. Ai madje ishte i pari që hoqi balancuesin nga procesi i punësimeve në institucionin që udhëheq, si dhe punësimet t’i bënte vetëm në bazë të popullatës rezidente. Mincev ishte ministri rebel i moszbatimit edhe të gjuhës shqipe, i kritikuar disa herë nga ALSAT për mosrespektim të ligjit.

“Kumtesa do t’i dërgojmë në gjuhën maqedonase, ai që do të kërkojë për nevojat e tyre do të përkthehen edhe në gjuhën shqipe”, ishte shprehur Goran Minçev – Ministër i Administratës Publike.

Por, në teatrin politik, kreu i lëvizjes ZNAM, Dimitrievski shtoi edhe sfida të tjera kur prezantoi platformën për bashkim kombëtar maqedonas, bashkim rreth interesave kombëtare, për sovranitetin, për gjuhën maqedonase, identitetin, Ilindenin, e të tjera.

Me bashkëpartiakët e tij, Dimitrievski pati marrë pjesë edhe në promovimin e librit kundërthënës të autorit Ivan Babanovski, ku UÇK-ja prezantohej si ushtri paramilitare terroriste. Ndërkaq, në kohën kur Rusia e ka shpallur Maqedoninë vend armik, Dimitrievski, si kryetar i Kumanovës, mori guximin të dilte një hap para shtetit.

Ai zhvilloi takime me ambasadorin e Federatës Ruse, Sergej Bazdnikin, ku diskutoi mes shumë të tjerash, edhe rikthimin e gjuhës ruse në shkollat fillore dhe të mesme në Kumanovë.

Lëvizja ZNAM ka aktualisht dy ministri në qeverinë me VMRO dhe VLEN dhe dy zv.ministri ndërkohë që në fushatën për zgjedhjet lokale, synon që në Kumanovë vetë kreu aktual i partisë të rikandidojë për Kumanovën, ndërsa të ketë edhe një kandidat në komunën Qendër.

Gjuha monoetnike dhe ngacmuese ndaj parimeve, vlerave dhe frymës së kushtetutës prek edhe shqiptarët, nga të cilët Dimitriesvki pret se do ta votojnë./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme