Zoti Rama, qytetarët nuk ta japin më besën! Besa e thyer nuk falet!

Fjalimi i Edi Ramës në mbledhjen e grupit parlamentar të PS ishte një tjetër përpjekje për të fshehur realitetin pas propagandës.

Prej javësh, që nga protestat masive të qershorit, kryeministri është përpjekur ta shpjegojë revoltën qytetare me teori për “armikun e jashtëm”, duke shpikur alibi e konspiracione, në vend që të përballej me përgjegjësitë e tij. Por këtë herë e vërteta i rrëshqiti nga goja. Ai pranoi se në protestë kishte edhe punonjës të administratës shtetërore.

Ky pohim rrëzon atë që ai vetë ndërtoi. Nëse edhe njerëzit që punojnë në administratën e kontrolluar nga qeveria ndiejnë nevojën të dalin në protestë, atëherë problemi nuk është “armiku i jashtëm” dhe as ndonjë komplot imagjinar. Problemi është qeverisja.

Por edhe kësaj radhe Rama nuk zgjodhi reflektimin. Ai kërkoi edhe një herë besën. Pas më shumë se një dekade në pushtet, të kërkosh besim pa dhënë llogari, është arrogancë politike. Besimi nuk fitohet me fjalime të shkruara mirë apo me shfaqje mediatike. Ai fitohet me rezultate dhe premtime të mbajtura.

Për vite me radhë u premtua luftë kundër korrupsionit, mirëqenie më e lartë, ndalimi i emigracionit, shtet ligjor dhe shërbime publike më cilësore. Sot qytetarët i gjykojnë këto premtime jo nga sloganet, por nga realiteti që përjetojnë çdo ditë. Për shumë prej tyre, bilanci është zhgënjim, varfëri, largim masiv i të rinjve dhe një shtet që dëgjon vetëm veten.

Zoti Rama, propaganda mund të shtyjë kohën, por nuk mund ta zëvendësojë realitetin. Kur qytetarët mbushin sheshet për të shprehur revoltën e tyre, kërkojnë përgjegjësi. Dhe kur edhe njerëzit e administratës dalin përkrah tyre, mesazhi bëhet edhe më i fortë: Shqiptarët nuk ju besojnë më!

Për shumë prej tyre, koha juaj politike ka marrë fund, zoti Rama, dhe përgjigjen jua dhanë dje në shesh!

The post Zoti Rama, qytetarët nuk ta japin më besën! Besa e thyer nuk falet! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme