Zvërneci dhe pyetja 4 miliardë euro: Çfarë po fshihet pas projektit?

Nga Konventa e Aarhusit te investitorët anonimë, Ola Xama sfidon narrativën zyrtare

Gazetarja Ola Xama ka mbrojtur protestat kundër projektit të ndërtimit në Zvërnec, duke argumentuar se kundërshtimi qytetar është i justifikuar jo vetëm për shkak të shqetësimeve mjedisore, por edhe për shkak të dyshimeve mbi ligjshmërinë e procedurave të ndjekura.

Sipas saj, autoritetet kanë dhënë lejen e zhvillimit pa zhvilluar konsultimet publike të detyrueshme me banorët dhe grupet e interesit, siç parashikohet nga Konventa e Aarhusit, ku Shqipëria është palë. Xama thekson se nuk janë bërë publike në kohë të dhënat kryesore të projektit, përfshirë kompaninë ndërtuese, vlerën e investimit dhe ndikimin e tij në mjedis.

Ajo ngre gjithashtu pikëpyetje mbi strukturën e pronësisë së kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development”, duke theksuar se një pjesë e pronarëve rezultojnë anonimë, ndërsa investimi i deklaruar prej 4 miliardë eurosh mbetet i paqartë.

Sipas Xamës, vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike për projektin e lidhur me Jared Kushner është dhënë për ishullin e Sazanit dhe jo për Zvërnecin, ndërsa çdo ndërhyrje në zonat e mbrojtura duhet të bazohet në studime të plota mbi ndikimin në mjedis.

Në përfundim, gazetarja argumenton se debati nuk lidhet vetëm me interpretimin e ligjit, por edhe me mënyrën se si administrohen pasuritë publike dhe merren vendimet që prekin interesin e qytetarëve.

Zvërneci është simboli i një shteti që fal pasuritë publike dhe injoron qytetarët

Nga Ola Xama

Ata që pretendojnë që protestat për të ndaluar ndërtimin në Zvërnec do të duhet të ishin bërë që në momentin që ndryshoi Ligji për Zonat e Mbrojtura apo kur u miratua dhe shty afati i Ligjit për Investimet Strategjike gabohen. Jo se në atë rast nuk duhej protestuar, por sepse sot protestat janë po aq koherente pasi kemi të bëjmë hapur me shkelje të ligjit.

Pikësëpari, autoritetet kanë dhënë lejen e zhvillimit në shkelje të plotë me Konventën e Aarhusit ku Shqipëria është anëtare. Konventa ka si kusht që për çdo vendim që merret për projekte ndërtimore të zhvillohet procesi i konsultimit publik me banorët që preken dhe palët e interesit (shoqatat e ambientalistëve dhe shpendëve në këtë rast.)

Ky proces jo vetëm që nuk ka ndodhur sepse askush nuk është konsultuar, por nuk është raportuar asnjë e dhënë se cila është kompania ndërtuese, për interes të kujt po ndërtohet, sa është vlera e investimit dhe cili është efekti në mjedis (për këtë duhet të ketë dhe një raport të posaçëm të ekspertëve).

Informacioni për emrin e kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development” dhe vlerën 4 miliard euro të investimit është dhënë pasi nisën protestat dy javë më parë, ndërsa akoma dhe sot, zona është rrethuar dhe kantieri po bëhet gati për punime pa vendosur tabelën.

Gjithsesi edhe ky informacion i vakët që ka servirur qeveria është vështirë të besohet. Nëse kërkon në të dhënat e kompanisë, një pjesë e pronarëve të saj janë anonimë të regjistruar në Hollandë (shtet offshore), ndërsa personi tjetër që rezulton si përfitues i 60% të aksioneve e që do të investojë 2.4 miliard euro është Redi Struga. Ky i fundit ka patur ndër vite një biznes modest në fushën e konsulencës dhe projektimeve, por së fundi është bërë i njohur në rrethet e biznesit për shkak të bashkëpunimit që ka me një kompani të rëndësishme, e që pas këtij bashkëpunimi ka arritur të sigurojë dhe leje për 2 kulla në kryeqytet.

Besoj se përrallën e investimeve që po vijnë nga SHBA për ta bërë Shqipërinë “tokë të premtuar” do të na i tregojë nesër kryeministri në konferencën që ka njoftuar. Por përpara se ta dëgjojmë, do të duhet të jemi të bindur se ajo që po ndodh në Zvërnec nuk ka asgjë të ligjshme!

1.)Vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike për projektin e Jared Kushner është dhënë për Sazanin dhe jo Zvërnecin.

2). Ligji për Zonat e Mbrojtura ka si kusht ndërtimin brenda tyre në harmoni me natyrën dhe pa shkaktuar efekte në mjedis. Leja në këtë rast është dhënë pa ditur nëse betoni që po përgatitet të hidhet shkakton apo jo pasoja!

Mbi të gjitha, që diçka të konsiderohet e padrejtë nuk ka nevojë që të jetë domosdoshmërisht shkelje ligjore, përndryshe asgjë në historinë botërore të sistemeve të qeverisjes nuk do të kishte ndryshuar.

Protesta sot nuk lidhet me shkeljen ose jo të ligjit, por me mendësinë e drejtimit të shtetit: vidh për vete dhe fal toka e pasuri publike për të mbajtur sa më gjatë pushtetin. Fatkeqësisht, në këtë rast edhe partia më e madhe opozitare e vendit hesht.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme