Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kishin thënë se në këtë fazë është spekulim çdo ide që çon në shkëmbim të territoreve me Serbinë. Por, nuk kishin mohuar nisjen e bisedave joformale me palën serbe për këtë ide. Sidoqoftë, Bekim Çollaku ka thënë se marrëveshja historike me Serbinë duhet t’i garantojë Kosovë anëtarësim në OKB dhe integrim euro-atlantik.
Gazeta Express ka dërguar pyetje në Presidencë, më 14 janar, dhe ka pyetur Shefin e Stafit, Bekim Çollakun nëse është e vërtetë se Presidenti i Republikës është pro nisjes së bisedimeve me Serbinë për shkëmbim territoresh.
Çollaku nuk e ka pohuar dhe as mohuar këtë, por, kishte sugjeruar publikimin e informacioneve të tilla.
“Në rast se keni informacione të tilla, është mire ti bëni publike për hirë të interesit të përgjithshëm shtetror dhe qytetar”, kishte sugjeruar Çollaku, më 14 janar 2018.
Express ka pritur gati një muaj për të publikuar informacione të konfirmuara nga disa burime ndërkombëtare, të cilat flasin se pro idesë se shkëmbimit të territoreve janë përpos Thaçit edhe Serbia, Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.
Në Presidencë kanë thënë se është herët të flitet për përmbajtjen e marrëveshjes që do të arrihet me Serbinë. Madje, kanë thënë se në këtë fazë edhe ideja e shkëmbimit të territoreve është vetëm spekulim.
“Ndërsa se cila do të jetë përmbajtja e marrëveshjes përfundimtare historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të presim përfundimin e dialogut. Gjithçka tjetër në këtë fazë, është vetem spekulim, duke përfshirë edhe çeshtjen e ngritur nga ju”, thuhet në përgjigjen e Çollakut.
Sidoqoftë, ky zyrtar i Presidencës ka thënë se pozicioni i Hashim Thaçit është i qartë për kufijtë e Kosovës.
“Pozicioni i Presidentit të Republikës së Kosovës mbetet i qartë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe kufijtë e saj janë të njohur ndërkimbëtarisht”, kishte thënë Çollaku, për Express.
Sipas Çollakut, dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me një marrëveshje që ia garanton Shtetit të Kosovës anëtarësimin në OKB.
“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndermjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me marrëveshje historike e cila hap perspektivë të sigurt për integrimet euro-atlantike për të dy shtetet, ndërsa për Kosovën edhe antarësim në OKB. Këto janë qëllimet e tri palëve të përfshira në dialog, ndërmjetëduesit (BE), Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.
Në të njëjtën frymë, për të njëjtin skenar, është shprehur ditë më parë edhe Aleksander Vulin, Ministër i Mbrojtjes së Serbisë. Ai ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi, “nuk është duke dhënë rezultate, andaj duhet të kërkohet një marrëveshje për ndarjen e Kosovës”.
Sidoqoftë, ndërkombëtarët besojnë që në këtë lojë është i përfshirë edhe Kryeministri Edi Rama, duke shfrytëzuar kontaktet e tij direkte me Presidentin serb Vucic. Një gjë e tillë, një komunikim i tillë, direkt me Tiranën vazhdimisht ka qenë edhe pjesë e strategjisë serbe. Edhe gjatë kohës kur në Serbi ka qënë në pushtet Sllobodan Milloshevic ka ekzistuar ideja që për Kosovën të bisedohet vetëm me Shqipërinë – kuptohet për ta ndarë Kosovën.
Një burim ndërkombëtar i ka thënë Gazetës Express se këtë temë, për interesa të tyre, po e shtyjnë shumë edhe pala greke. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka biseduar në Shtëpi të Bardhë me zyrtar të administratës Trump për një ide të tillë.
“Grekët dëshirojnë të përfitojnë në Maqedoni, nga ndonjë ndarje eventuale”, tha ky burim, duke shtuar që edhe Rusia është e interesuar për një zhvillim dramatik në Ballkan, duke marrë parasysh humbjen që e kishin pësuar në fund të shekullit të kaluar, kur për shkak të problemeve brenda shtetit të tyre kishin ngelur pa ndonjë përfitim nga zhvillimet në Ballkan.
Kosova dhe Serbia kanë mbajtur tri raunde bisedimesh prej vitit 1999. Në kohën e luftës ishte organizuar Konferenca e Rambouillet për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumenti ishte nënshkruar vetëm prej palës kosovare derisa serbët kishin refuzuar duke i hapur kështu rrugë bombardimit 78 ditor të NATO’s mbi caqet ushtarake e policore serbe.
Pasluftës, kishte nisur edhe një proces negociator, ku ishte caktuar Vjena si vend ku takoheshin kosovarët dhe serbët. Marti Ahtisaari ishte caktuar ndërmjetës kryesor duke propozuar pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.
Një proces i tretë dialogues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2010 me ndërmjetësim të Brukselit dhe mbikëqyrje të SHBA’së. Ende nuk ka një rezultat final prej këtij procesi.