Konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet brenda afatit 30 ditësh që nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore.
KQZ ka certifikuar të shtunën(8 korrik) rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme që janë mbajtur më 11 qershor.
Sipas rregullores së Kuvendit mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit e thërret Presidenti i Republikës së Kosovës brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve.
Neni 8 Përgatitja e mbledhjes konstituive e legjislaturës së Kuvendit
1. Përgatitjet për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit janë përgjegjësi e kryetarit nga legjislatura e mëparshme.
2. Kryetari dhe Kryesia, jo më pak se pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit thërrasin mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive, që kanë fituar vende në Kuvend, për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, për t’i caktuar vendet e deputetëve, përkatësisht të forcave politike në sallë, sipas fuqisë politike që kanë, sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike.
3. Nëse dy apo më shumë grupe parlamentare kanë numër të njëjtë të deputetëve, atëherë renditja e tyre në sallë bëhet me short.
4. Rendi i ditës i mbledhjes konstituive të legjislaturës duhet ta përfshijë formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit, të mandateve, zgjedhjen e kryetarit dhe të pesë (5) nënkryetarëve të Kuvendit.
Neni 9
Kryesimi i mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit
1. Punimet e mbledhjes konstituivet të legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, i udhëheq deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës.
2. Nëse deputeti, përkatësisht deputetët nga paragrafi 1 e këtij neni, mungojnë në mbledhjen konstituive ose e refuzojnë kryesimin e mbledhjes, atëherë angazhohen deputetët të cilët, sipas moshës, vijnë menjëherë pas tyre.
Neni 10 Betimi i deputetëve
1. Pas verifikimit të mandateve, deputetët betohen solemnisht.
Teksti i deklaratës është: “Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.” Betohem!
5 Deklaratën e betimit e lexon kryesuesi i mbledhjes. Deputetët betohen, duke e shqiptuar në fund të deklaratës, fjalën “Betohem!”. Secili deputet e nënshkruan deklaratën e betimit.
2. Deputeti, që mungon në mbledhjen konstituive të legjislaturës, kur bëhet betimi, betimin e bën në mbledhjen e parë të radhës.