​PSD po ia bën argatin Thaçit dhe po ia zgjat jetën Qeverisë Haradinaj – thotë Vetëvendosje

Partia e Shpend Ahmetit po i zgjat jetën Qeverisë Haradinaj, me përfshirjen e tyre në ekipin negociator, në fazën finale të dialogut me Serbinë. Madje, ish-bashkëpartiakët e PSD’së, nga Lëvizja Vetëvendosje po konsiderojnë së partia e Ahmetit përveç se po ia bën argatin Haradinajt, po i kryen favor edhe Presidentit Hashim Thaçi. Rezoluta në fjalë pritet të diskutohet dhe votohet sonte në mbrëmje në Kuvend, në një seancë të jashtëzakonshme

Një ditë pasi PSD’ja njoftoi se ka përgatitur një projektrezolutë për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Lëvizja Vetëvendosje ka shpërthyer në akuza ndaj ish-partiakëve të tyre, të cilët i akuzon edhe për vjedhje të mandateve.

Partia e Albin Kurtit insiston se PSD’ja me mandatet e deputetëve, që i ka marrë nga VV’ja, po ia bën argatin Presidentit Hashim Thaçi, dhe të njëjtit thonë se po ia zgjasin jetë Qeverisë së koalicionit PANA, me Ramush Haradinajn kryeministër.

“Pjesa e vazhdimit të dialogut duhet të bëhet pas zgjedhjeve të reja”, tha të martën për Gazetën Express, deputetja e VV’së Arbërie Nagavci.

“Çdokush që bëhet pjesë e ekipit negociator, tani, para zgjedhjeve të reja dhe duke e vazhduar këtë proces që është filluar nga Hashim Thaçi, me shumë paqartësi, me një mungesë të plotë të transparencës dhe me shumë marrëveshje që janë në dëm të plotë të Republikës së Kosovës, vetëm se e tregon se ata tashmë janë bërë pjesë e pazareve”, konsideron Nagavci.

Tutje, ajo ka edhe një paralajmërim për PSD’në.

“Kushdo që bëhet pjesë e ekipit negociator, për të vazhduar rrugën në biseda ashtu siç e ka nisur Thaçi, do të mbajë përgjegjësi njëjtë sikur se ata që mundësojnë vazhdimin. Është shumë gabim, që dikush prej opozitës të bëhet pjesë e këtyre lojërave politike të Thaçit dhe tashmë edhe të qeverisë Haradnaj.”, ka shtuar Arberie Nagavci, në një bisedë për Express.

Ajo ka përsëritur edhe një herë, se para se të shkohet në fazën finale të dialogut me Serbinë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, në mënyrë që Kosova në dialog të ketë përfaqësues kredibil dhe me legjitimitet për të udhëhequr fazën finale të këtij procesit, e cila duhet të përfundojë me një marrëveshje mes dy vendeve.

Gazeta Express, të martën ka provuar të marrë qëndrim edhe nga PSD’ja për reagimin e VV’së ndaj propozimit të tyre, por asnjë nga deputetët e kësaj partie nuk janë përgjigjur në thirrjet e gazetës.

Nga ana tjetër, edhe analisti Astrit Gashi, në një bisedë për Express thotë se krijimi i grupit negociator edhe me PSD’në dhe Alternativën, i propozuar nga të parët, padyshim se ja zgjatë mandatin qeverisë së tanishme. Të paktën, sipas Gashit, deri në përfundimin e dialogut.

“Pa një ekip dialogues zor se kjo qeveri do të mund të ekzistonte gjatë. Këtë e kanë paralajmëruar edhe vetë partnerët e koalicionit. Në anën tjetër, PSD dhe Alternativa, por me theks të veçantë PSD po e shohin përfshirjen në dialog si rrugën e vetme të tyre për të paraqitur një opsion në politikën kosovare. Një opsion që nuk është as tamam qeveri dhe as tamam Vetëvendosje”, tha Gashi.

Sipas tij, partia e Shpend Ahmetit, është ende në kërkim të identitetit të saj politik dhe atë synon ta bëjë përmes përfshirjes në dialog.

“Nëse përfundon suksesshëm, kjo parti shpreson t’i japë kredibilitet politik dhe zgjedhor kurdo që mbahen zgjedhjet”, thotë analisti kosovarë.

“Ne anën tjetër ndonëse LDK po kërkon zgjedhjet për dialog, ajo në fakt kësisoj po negocion me Thaçin për ta rrezuar qeverinë, dhe zgjedhje jo me shpejt se Qershori 2019. VV ndërkaq nuk sheh dialog i cili nuk do te udhëhiqej nga ajo. Ne këtë rrethane PSD nuk ka interes për të shkuar në zgjedhje pa siguruar kapital politik, dhe atë në këtë rast dhe në këtë pikë e ka bashkuar në ide me ato të partnerëve të koalicionit, qe po ashtu nuk kanë interes për zgjedhje”, tha Gashi për Gazetën Express.

Ndryshe, pas publikimit të rezolutës së PSD’së për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, është raportuar se edhe Shpend Ahmeti do të jetë bashkëkryeses i kreut të NISMA’s, Fatmri Limaj në ekipin negociator. Limaj tashmë veç se është i emëruar qe disa javë si kryeshef i delegacionit kosovarë në fazën finale të dialogut në Bruksel.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme