13 vjeçari nga fshati Pallaticë nuk u mbijeton plagëve

13 vjeçari Artin Idrizi nga fshati Pallaticë nuk u mbijetoi plagëve të marra nga të shtënat me armë. Një grindje që ndodhi para dy ditësh në oborrin e shkollës “Fan Noli” në këtë fshat të Komunës së Zhelinës, e që kulmoi me të shtëna me armë zjarri, sot mori edhe epilogun më tragjik të mundshëm.

Dyshimet janë një 17 vjeçar ka shtënë me armë zjarri ndaj Artinit, i cili nuk u mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë sot rreth orës 10:00.

Lajmin e kanë bërë të ditur nga Bashkësia lokale e këtij fshati, të cilët njoftuan se 13 vjeçari nuk u mbijetoi plagëve edhe përkundër informatave se gjendja e tij ka qenë stabile. Sipas tyre, lajmin e kanë marrë në mëngjes nga familjarët dhe përfaqësues të Bashkësisë lokale kanë shkuar në klinikat e Shkupi për të marrë më shumë informacione dhe detaje si dhe për të qëndruar pranë familjes Idrizi në këto moment të rënda.

13 vjeçari, të martën e kaluar, pas një zënke me një 17 vjeçar u plagos rëndë dhe dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës me plagë nga arma e zjarrit në gjoks. Për shkak të plagëve serioze i njëjti është dërguar në Klinikat e Shkupit, ku edhe qëndroi disa ditë në gjendje kome.

Pas marrjes së masave të policisë është vërtetuar se ngjarja ka ndodhur në oborrin e shkollës fillore “Fan Noli” në fshatin Pallaticë, me ç’rast një 17 vjeçar me pistoletë ka shtënë në drejtim të 13 vjeçarit. Organet policore pohojnë se 17 vjeçari është arrestuar dhe është nën përkujdesje të institucioneve të drejtësisë. Përndryshe, varrimi i të ndjerit pritet që të bëhet nesër në varrezat e fshatit Pallaticë.