Prej 23 ditësh, qytetarët e Divjakës vijojnë protestën kundër projektit të Partisë Socialiste për reformën administrative-territoriale, duke kundërshtuar përfshirjen e bashkisë së tyre në një njësi të përbashkët me Lushnjën.
Edhe pse numri i protestuesve është në rënie, përfaqësuesit e qëndresës pretendojnë se kjo lidhet me presionet ndaj qytetarëve dhe administratës nga pushteti qendror, përmes kontrolleve tatimore dhe formave të tjera të presionit.
Në shesh, folësit u kanë bërë thirrje autoriteteve qendrore që Divjaka të përjashtohet nga projekti i reformës administrative-territoriale, të cilin protestuesit e kanë cilësuar si projekti “Mazniku”.
Marshimi vijon çdo mbrëmje
Pas tubimit, qytetarët vijojnë marshimin në rrugët e qytetit, një ritual që përsëritet çdo natë prej 23 ditësh.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet e pandryshuar: Bashkia Divjakë të mos shkrihet me Lushnjën, por të ruajë statusin e saj si bashki më vete.
Qëndrestarët deklarojnë se do ta vijojnë protestën deri në marrjen e një përgjigjeje nga qeveria për të ardhmen administrative të Divjakës.
The post 23 ditë protestë në Divjakë/ Qytetarët kundërshtojnë projektin e PS për bashkimin me Lushnjen appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



