“30 duhet t’ja çoj Saimirit. I mora byzylyk për gruan”, përgjimet e Habilajve që fundosën ish-ministrin Saimir Tahiri

Apeli i GJKKO-së ka mbajtur këtë të hënë seancën ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por ka vendosur ta shtyjë datën kur do të merret vendimi për në 4 shkurt, në orën 13:00.


Pasi doli nga Gjykata e Posaçme, Tahiri nuk ka komentuar kërkesën e SPAK-ut për tu dënuar me 12 vjet heqje lirie, duke thënë vetëm: “Po pres vendimin”!

Gjatë ditës së sotme, u zhvillua në Gjykatën e Apelit seanca për ish-Ministrin e Brendshëm, i cili është akuzuar për trafik droge dhe si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, vepra për të cilat ai mund të dënohet me 8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ish-Ministri Tahiri ka shkuar në sallën e gjyqit dhe u ka kërkuar togave të zeza të veprojnë me profesionalizëm dhe duke u bazuar në prova, teksa është shprehur se është i pafajshëm.

“Ju kërkoj me përulësi, veproni me profesionalizëm, të gjitha provat. Nëse do të bëni këtë gjë, unë do të jem i pafajshëm”, ka thënë ai.

Në shtator të vitit 2019, Tahiri u dënua nga gjykata për “shpërdorim detyre” me 3 vite shërbim prove, pavarësisht se u akuzua fillimisht për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Gjykata e Posaçme riktheu për rishqyrtim dosjen e ish-ministrit Tahiri, pasi konstatoi parregullsi në proces.

Por, për çfarë akuzohet ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri?

Në vitin 2019, në pretencën e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, prokurorët kërkuan dënimin e ish-ministrit të Brendshëm me 8 vjet heqje lirie për “trafik narkotikësh”. Detajet e dosjes së lexuar nga prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi, përfshinin marrje garancish monetare dhe ndihmë nga punonjës të Policisë së Shtetit.

Këto prova janë mbledhur gjatë përgjimeve të dosjes për grupin e “Habilajve”, grupit të trafikimit të narkotikëve drejt Italisë, me të cilin imazhi i ish-ministrit duket se ishte i lidhur ngushtë. Dhe, në pretencën e Tahirit, provat kryesore të organit të akuzës kanë konsistuar në përgjimet e kësaj dosjeje.

Prokurorët kanë argumentuar se nga përgjimet, të dyshuarit ndihmoheshin nga instancat e larta, duke marrë si shembull një rast kur efektivët prenë 5 mijë bimë kanabisi në Vlorë, por nuk e dogjën drogën, dhe trafikantëve iu kursye gjysma e punës për vjeljen e produktit. Kjo ngjarje supozonte se Policia e Shtetit u përdor si krah pune për veprimtarinë e jashtëligjshme nga trafikantët.

Prokurori Arenc Çela pati lexuar në pjesën e dytë të akuzës së formuluar, të përqëndruar te provat dhe rrethanat që lidhnin ish-ministrin me vëllezërit Moisi e Floirian Habilaj, të cilët në përgjime i referohen atij si “shefi i madh”.

“Ti mendon… nga një anë borxhet që kemi, nga ana tjetër borxhet që kemi marrë… kemi 75 mijë lekë (75.000 euro) që janë automatikisht borxhe… 30 për “Xhaxhain”… 30 duhet t’ia çoj “Saimirit”… bëjnë 60 … 15 për anijen… nga duhet patjetër… janë 75 mijë lekë… plus 100 që janë. 72 janë të atyre të Fierit… 20 i ka Arseni… 170 mijë lekë. Heqim dhe këta të shtetit që kemi… Nga evidentimi dhe nga bisedat bëjnë referim edhe për Angelo Busacca, i quajtur ndryshe “kokë llamba”, dhe për gomonet që këta vendosin në dispozicionin e tyre”, ka thënë Moisi Habilaj, sipas përgjimeve.

Gjithashtu, prokurorët kthyen në vëmendje përgjimet e anti-mafias italiane, ku Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij flisnin për dhurata në formën e bizhuterive për anëtarët e ish-Ministrit Tahiri.

Në një përgjim, Moisi Habilaj ka deklaruar se i ka blerë bashkëshortes së Saimir Tahirit një byzylyk me vlerë mbi 2000 euro, por sigurohen edhe që emri i Tahirit të mos dalë te bashkëpunëtorët e tjerë, madje faktin që i kanë dhënë para ministrit, nuk duhej ta merrte vesh as nipi.

“Të ketë frikë se nipi mos flasë me dikë tjetër, që i kanë dhënë paratë atij (Bën fjalë për Saimirin)”, ka thënë Moisi Habilaj.

“Moisi Habilaj hyn në makinë dhe i thotë Sabit, që ka marrë dy byzylykë për gruan e Saimirit dhe një për mamanë. Sabi e pyet se sa i kanë shkuar.

Moisi Habilaj: Mjaftueshëm.

Sabaudin Çelaj: 1000 euro?

Moisi Habilaj: Sa?

Sabaudin Çelaj: 2000”, thuhet në dosjen e Prokurorisë për përgjimet.

Prokurorët kanë përmendur edhe dëshmitë e dy shitësve italianë, por edhe të një pjesëtari të grupit të Habilajve, i cili mburrej për afërsinë e Habilajve me ministrin, si dhe pjesëmarrjen e Habilajve për të rregulluar një skaf që Saimir Tahiri kishte përdorur për të shkuar me pushime.

Provat për ta vërtetuar këtë aludim nga prokuroria konsistonin në paraqitjen e Moisi Habilajt me dokumente të mjetit lundrues në Itali, në të cilat ish-Ministri ishte regjistrua si kapiten i skafit, dhe rezultonte se Habilaj kishte paguar shpenzime për riparimet përtej Adriatikut.

Organi i akuzës ka argumentuar se përgjimet dhe provat e tjera tregonin njohjen dhe kontaktet e Habilajve me Tahirin për të kryer trafikun e drogës, ndërsa u akuzua për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, por u dënua për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, me vetëm 3 vite shërbim prove.

Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet për grupin e “Habilajve” një nga më të lakuarat e trafikut të kanabisit drejt Italisë, pas 16 muajsh hetime në Janar të vitit 2019. Përpara gjykatës kanë dalë: Moisi Habilaj , Florjan Habilaj, Armando Koçerri, Nezar Seiti, Sabaudin Çela, Tigrens Mezuaraj, Fatmir Minaj, Maridjan Sulaj dhe Armando Sulaj.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme