Shërbimi i dializës në 5 spitalet rajonale si dhe ai i check up-t për popullatën e gjerë do të kryhen nga Operatori i Shërbimeve të Sterilizimit. Përmes një vendimi të posaçëm, qeveria ka ndryshuar emrin e kësaj shoqërie, e cila këtej e tutje do të quhet Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore si dhe do të ofrojë përveç shërbimit të sterilizimit, edhe ato të kontrollit bazë mjekësor dhe hemodializën.
“Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore”, sh.a, me kapital 100% shtetëror, krijohet për ofrimin e shërbimeve të integruara të sterilizimit, organizimin, administrimin dhe ofrimin e shërbimeve të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, si dhe ofrimin e shërbimit të hemodializës në 5 (pesë) qendrat pranë spitaleve Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan dhe Korçë,” thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Të dy këto shërbime, ai i kontrollit mjekësor bazë dhe ai i hemodializës aktualisht ofrohen nga dy kompani konçesionare, përkatësisht 3P life dhe Evita.
“OSHISH, sh.a., ofron shërbimet e mësipërme, pas përfundimit të afatit të kontratave përkatëse të koncesionit/partneritetit publik privat për kontrollin mjekësor bazë dhe për ofrimin e shërbimit të hemodializës,” thotë vendimi i qeverisë.
Sipas tij, shoqëria aksionare OSHISH, sh.a., financohet nga të ardhurat e gjeneruara nga ofrimi i shërbimeve publike të integruara të sterilizimit. Për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, si dhe ofrimin e shërbimit të hemodializës, OSHISH, sh.a., si dhënës shërbimi i licencuar, financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor./Kpaitali.al
The post “3P life” dhe “Evita” përfituan miliona euro/ Qeveria ia kalon koncesionin e dializës dhe check up-in Operatorit të Sterilizimit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



