Shumica e dhjetë të akuzuarve për terrorizëm u dënuan sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Gjykata Themelore në Prishtinë u shqiptoi sot dënime me burg shumicës prej 10 të akuzuarve për terrorizëm.
Me nga 4 vjet e 6 muaj burg gjykata dënoi Ernest Beqirin, Fisnik dhe Emri Bushin. 3 vjet e 6 muaj qëndrim prapa grilave iu dhanë Fidan ibrahimajt, Kujtim Bllacës e Vehbi Gërxhaliut, ndërsa Fitim dema u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg.
Kenan Rushiti u lirua nga akuza për terrorizëm, pasi prokurori hoqi dorë nga ndjekja e tij penale.
Procedura u veçua për Irfan Haqifin e Blerim Sylën.
Para dy ditësh në këtë gjykim kur u paraqit fjala përfundimtare e palëve disa nga të akuzuarit thanë se luftuan në Siri me grupet opozitare kundër Asad-it, disa të tjerë thanë se shkuan vetëm deri në turqi për të ndihmuar refugjatët sirianë, ndërsa kishte edhe të atillë që shfaqën pendesë për pjesëmarrjen në luftën e Sirisë.
Prokurori Abdurrahim Islami në fjalën përfundimtare të paraqitur pardje tha se gjatë gjykimit është vërtetuar fajësia e të akuzuarve, ndërsa deklaroi se këtë e dëshmuan transkriptet e mesazheve telefonike të shkëmbyera mes atyre që janë pjesë e këtij procesi gjyqësor.