Qeveria ka tërhequr ligjin për demarkacion me Malin e Zi pas zhvillimeve të reja dhe marrëveshjes së arritur mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ku mundësohet korrigjimi nëse gjenden gabime në marrëveshjen paraprake.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se më vonë qeveria do të çojë në Kuvend ligjin e ri, ku do të inkorporohet kjo marrëveshje. Kjo mbledhje e qeverisë do të mbahet në orën 16:00.
“Që nesër jemi të gatshëm për seancë. Pasnesër gjithqysh do të ketë seancë, sepse s’kemi mundësi me prit më shumë. Gjasa më të vogla janë që seanca të mbahet nesër”, ka thënë Haradinaj që ka shtuar se Kuvendit do t’i dërgohet edhe raporti i Komisionit Bulliqi.
Haradinaj po ashtu ka thënë se nëse nuk mbahet nesër seancë, mund të shfrytëzohet kjo ditë për konsulta.
Projektligji u tërheq me të gjithë që votuan pro, përpos tri abstenimeve nga komuniteti serb. Sa i përket abstenimit të përfaqësuesve serbë në Qeveri për tërheqjen e projektligjit nga Kuvendi, Haradinaj tha se ishte shenjë e mirë që ata ishin prezent në takimin e qeverisë.