Kryetari i Komunës së Skenderajit dhe ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, kishte dalë me një letër të hapur, drejtuar të gjithë atyre që ndajnë drejtësinë në Kosovë.
Përmes një letre publike të postuar nga i biri i tij Mergmi, kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku pati bërë një pyetje publike për të gjithë ata që ndajnë drejtësi në Kosovë. “Unë nuk po kërkoj asgjë më shumë, se sa emrin e personit që e vrava, me duar të lidhura. Kushdo që e di ketë emër la ta thotë”, kishte shkruar Lushtaku.
Këtë letër e lexoi në Kuvendin e Kosovës deputeti Glauk Konjufca gjë që përpak shkaktoi përplasje fizike me deputetin e PDK – së, Nuredin Lushtaku, konfrontim që u parandalua në momentet e fundit.
Më poshtë lexojeni të plotë shkrimin e Sami Lushtakut, të cilin ua ka shpërndarë mediave djali i tij Mergimi:
“Kënd e vrava unë?
Pyetje publike për të gjithë ata që ndajnë drejtësi në Kosovë.Javën e kaluar ndodhi ajo që pritej të ndodhte.
Pas një procesi të gjatë e mundimshëm gjyqësor, një panel i gjyqtarëve të EULEX’it me gjeti fajtor për një vrasje, duke më dënuar, në shkallë të parë, me 12 vjet burg.
Sigurisht se ky dënim nuk është aspak i lartë, nëse e marrim të mirëqenë vrasjen e një civili, të paarmatosur, dhe për më tepër me duar të lidhura.
Nëse unë do të isha në panelin e gjyqtarëve, dhe nëse do të duhej të gjykoja një krim të tillë, jam i bindur që do të propozoja një dënim edhe më të lartë.
Ky përveç që është krim i përcaktuar me ligjet në fuqi të Kosovës, është edhe kundër të drejtës tonë zakonore. Nuk vritet njeriu i dorëzuar. Njeriu i dorëzuar, ose njeriu që të ‘bie me n’ore të Zotit’ për më tepër duhet të mbrohet.
I kam përcjellë më vëmendje polemikat e bëra përmes mediave, në mes të prokurorëve dhe avokatëve, lidhur me rastin tim, pas mbylljes së rastit tim. I kam përcjellë më vëmendje edhe reagimin e publikut dhe përkrahësve të mi.
Dëshiroj të bëj të ditur për të gjithë, se unë jam përcaktuar që në fillim që këtë betejë ta fitoj në gjykatore, e jo në rrugë. Edhe pse, qarqe të caktuara, që punojnë kundër interesit të vendit, sigurisht e kanë parashikuar gabimisht se unë do të zgjedhi rrugë tjetër.
E kjo nuk duket të jetë aspak punë e lehtë. Sidomos kur përballësh me procese gjyqësore të çuditshëm për sistemet bashkëkohore të drejtësisë. Kur je i detyruar të mbrohesh për vrasje të panjohura, siç ishte rasti më mua. Kur detyrohesh ta argumentosh se nuk e ke vrarë një civil, që askush nuk e njeh kush është ai. Kur askush nuk e njeh familjen e tij. Kur askush nuk e kërkon. Sepse ai nuk ekziston.
Në këtë proces që zgjati dy vjet unë, dhe avokati im, u mbrojtëm kundër një krimi te pandodhur. Ose së paku për ne të pandodhur. Prokurorët thonë se e dinë kush është viktima. Por këtë e mbajtën si sekret të tyre për dy vjet.
Më lejoni tash të tregoj se gjatë luftës ndodhin krime të ndryshme.
Nuk janë poetët, të parët, ata që i rrokin armët. Dua të them që në radhët e formacioneve ushtarake, të natyrës që ishte UÇK, disiplina ushtarake nuk ishte pika më e fortë. Pika më e fortë ishte vullneti për të luftuar kundër një ushtrie shumë brutale, shumë më të madhe në numër, siç ishte ajo e Serbisë, në krye të së cilës ishte Sllobodan Milloshevic, i njohur nga bota si Kasapi i Ballkanit.
Dua të them që krimet që kryheshin nga forcat e Milloshevicit ishin edhe si sasi, e edhe si ‘cilësi’, shumëfish më të mëdha dhe më makabre se sa ato që mund të janë kryer kryer, po themi, ‘prej nesh’.
Edhe unë jam i mendimit, se duhet të gjykohen të gjitha krimet, qofshin edhe ato më të voglat. Nuk kam dyshim se duhet të hetohemi dhe gjykohemi edhe ne që po luftonim për lirinë e popullit tonë. Sigurisht se mund të kryhen krime në emër të lirisë. Mirëpo, është gabim i rëndë që ne të hetohemi dhe të gjykohemi për çfarë kemi bërë në luftë, nisur nga paragjykimet se çfarë kemi bërë pasluftës.
Sigurisht se pushteti të konsumon.
Një dekadë qeverisje e PDK, pjesë e së cilës jam edhe më tutje, ka krijuar kundër nesh emocione të forta negative. Dhe nuk janë vetëm kundërshtarët politik që kanë krijuar kundër nesh, të njohur si ‘krahu i luftë’, opinione të ashpër negativ.
Një kontribut të madh, kundër nesh, e kanë dhënë edhe bashkëpartiakët, si ministrat dhe zëvendësministrat. Lobimi i tyre intensiv në Ambasada dhe në EULEX, kundër nesh, për një kohë të gjatë, i ka dhënë frytet e duhura, ose të pritura, të tyre.
Në këtë mënyrë reputacioni ynë publik është rrënuar ditë pas dite, javë pas jave e vit pas viti. Ne nuk kemi qenë aq të sofistikuar sa të kuptojmë ketë lojë të ndytë.
Dhe ja ku jemi sot.
Pa përkrahje mediale. Pa përkrahje publike. Dhe pa përkrahje të duhur politike. Qoftë edhe kur dënohemi në mënyrë absurde, për vrasje të personave të panjohur. Kjo ka ndodhur sepse ndaj nesh ‘procesi gjyqësor’ ka zgjatur plot 10 vjet. Të gjitha vjedhjet, keqpërdorimet, abuzimet, tenderët etj., të realizuara më mjeshtri nga eksponent të PDK’së na janë faturuar ne. Dhe meqë kjo nuk ka mundur të argumentohet, sepse nuk kishte ndodhur, atëherë me dëshmitarë të përpunuar na dënuan për krime të luftës.
Për ketë arsye, qytetarët, ambasadorët, mediat etj., ishin të kënaqura që ne të dënoheshim, qoftë edhe për vrasje të pandodhura, vetëm që të na ndalnin.
Unë do të vazhdoj të insistoj në kërkimin e drejtësisë, duke kërkuar që së paku ta njoh ‘viktimën’ time, që e paskam vrarë më duar të lidhura. Nëse kjo është ë vërtetë, siç pretendon prokurori, e tash së fundmi edhe gjyqtarët, unë do të doja shumë që t’u kërkoja falje familjes së ‘viktimës’.
Për këtë arsye, ashtu siç edhe e parashohin ligjet në fuqi, unë së bashku me avokatin tim do ta kontestojmë vendimin e shkallës së parë, në shkallë të dytë.
Në mënyrë që e vërteta të triumfojë deri në fund, në mënyrë që fundi të jetë meritor, që drejtësia të kënaqet përfundimisht, ne lusim të gjitha mediat që të kërkojnë transparencë sa më të madhe. Kërkojmë prej mediave, prej organizatave qeveritare, organizatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, që të janë dëshmitarë të këtij procesi.
Unë nuk po kërkoj asgjë më shumë, se sa emrin e personit që e vrava, me duar të lidhura. Kushdo që e di ketë emër la ta thotë.
Dhe krejt në fund:
Këto ditë, shumëkush po përdorë emrin tim si pengesë për votimin ose jo të ndryshimeve kushtetuese, që i japin rrugë aprovimit të Ligjit për Gjykatën Speciale
Publikisht lus të gjithë, posaçërisht deputetët dhe zyrtarët e PDK’së, që mos të manipulojnë me emrin tim. Se a do ta votojnë ose jo këto ndryshime, se a do ta miratojnë ose jo ketë ligj, kjo është një çështje ekskluzive e tyre. Ata duhet të vendosin, sipas bindjes së tyre të lirë. Nuk dëshiroj ta lidh assesi rastin tim, me një rast tjetër.
Përfundimisht, personalisht nuk kam qëndrim për themelimin e kësaj gjykate. Tash e dy vite po merrem me rastin tim. Me gjykatën le të merren ata që i kanë marrë votat e qytetarëve” (sic), ka shkruar Lushtaku.