E mërkurë, 09 Nentor 2016 – Sakte.net /
Presidenti Thaçi, i cili deri vonë thoshte se për liberalizim vizash ka “garanci direkte nga niveli më i lartë në Bruksel”, pikërisht këtij Brukseli i drejtohet tash me porosi përmes një teksti në një gazetë, e cila shpërndahet falas nëpër hotelet e Brukselit. Ai ka shkruar editorial në gazetën “New Europe”, të cilin pa dyshim do ta nënshkruante secili nga ata që më parë quheshin pesimistë e që tërhiqnin vërejtjen se nuk duhet dhënë premtime për afate joreale për heqjen e vizave. Tash Thaçi fajëson “mungesën e unitetit dhe të vullnetit politik në BE” për zvarritjen e liberalizimit të vizave
Presidenti i tashëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë pa dyshim “optimisti kujdestar” për të “garantuar” qytetarët e Kosovës se “shumë shpejt” do të vijë liberalizimi i vizave. E ka bërë këtë edhe kur ishte kryeministër, edhe kur ishte ministër i Jashtëm. Ishte e drejtë e tij të jepte premtime, të përmendte data, por tash ai duhet të marrë po ashtu një përgjegjësi pse ato premtime nuk janë realizuar. Ai do të duhej ta kishte ditur se nuk ka “garanci” në procesin e liberalizimit të vizave. Kur pas premtimeve të tij gazetarët dhe analistët, duke u bazuar edhe në informata nga BE-ja, tërhiqnim vërejtje se nuk ka garanci për afate, Thaçi nuk ngurronte t’i qortonte ato vërejtje. Madje shpesh ai thoshte se “ka garanci direkte nga nivelet më të larta në Bruksel” dhe kështu premtimet e tij i bënte edhe më të besueshme. Apo së paku kështu tentonte. Njëherë kur pyetëm në BE se a ka pasur vërtet Thaçi garanci për afate heqje vizash, me ironi një diplomat evropian u përgjigj: “Në Bruksel merrni garanci kur blini ndonjë aparat, një televizor, për shembull. Por në raporte me BE-në nuk përdoren terme të tilla”.
Shpesh është tërhequr vërejtja që nga viti 2010, kur Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij premtonin se në fund të vitit, dhe këtë e bënin për secilin vit, do të hiqen vizat. Vërejtjet ishin se ky është një proces ku qëllimisht BE-ja nuk jep data. Është proces përmes së cilit BE-ja qëllimisht e mban Kosovën peng, duke e përdorur këtë si një karotë në dialog me Serbinë. Është një proces, i cili madje nuk varet vetëm nga Kosova dhe se, edhe po qe Kosova t’i përmbushë të gjitha kushtet, kjo nuk garanton heqjen e vizave. Madje as Komisioni Evropian, e askush nga “nivelet më të larta” që mund t’i kenë premtuar apo dhënë “garanci” Thaçit nuk e kanë fuqinë që shteteve anëtare t’ua imponojnë një vendim të tillë.
Kur kemi tërhequr vërejtjen se vizat nuk do të hiqen shpejt, se nuk është mirë të jepen premtime të tilla, sepse atëherë zhgënjimi do të jetë më i madh, kur kemi qortuar edhe BE-në se nuk është korrekte ndaj qytetarëve të Kosovës, e kemi bërë këtë për të informuar sa më mirë që të jetë e mundur opinionin e jo për t’iu gëzuar faktit se ja edhe këtu politikanët e Kosovës dështuan. Kur premtohej heqja e vizave në vitin 2011 ishte reale se kjo nuk do të ndodhë para vitit 2013, ndërsa kur premtohej viti 2012, pakkush besonte se kjo do të ndodhte deri në vitin 2014. Ata që quheshin “pesimistë” për arsye se pohonin se nuk mund të pritet heqja e vizave para vitit 2014, sot dalin të kenë qenë tepër optimistë, sepse kjo nuk do të ndodhë as më 2016 e askush nuk mund të garantojë as për vitin që vjen.
Më e keqja në tërë këtë çështje, aq të ndjeshme dhe të dhimbshme për kosovarët, është se nuk po i shihet fundi këtij hapi të fundit në fund të procesit.
Dhe tash presidenti Thaçi, i cili deri vonë thoshte se ka “garanci nga niveli më i lartë në Bruksel”, pikërisht këtij Brukseli i drejtohet me porosi përmes një teksti në një gazetë, e cila shpërndahet falas nëpër hotelet e Brukselit. Ai ka shkruar editorial në gazetën “New Europe”, të cilin pa dyshim se do ta nënshkruante secili nga ta që më parë quheshin pesimistë. Thaçi në këtë tekst nuk përmend më garancitë, por përmend pikërisht argumentet që i përdornin të tjerët kur tërhiqnin vërejtjen që të mos ketë eufori, sepse nuk mund të ketë shpejt liberalizim vizash.
“E lënë pas rajonit të vet, Kosova tash gjen veten në grup me vendet që janë më larg Evropës, pa perspektivë të qartë anëtarësimi. Linja zyrtare është se secili shtet vlerësohet në bazë të meritave të veta në përmbushjen e kritereve specifike. Megjithatë, realiteti është se progresi i Kosovës është peng i mungesës së unitetit dhe vullnetit politik brenda BE-së”, ka shkruar Thaçi në këtë editorial.
Ai përsërit edhe argumentet që më parë nuk ishin të tija, se Kosova po përballet me kushte me të cilat nuk janë përballur shtetet e tjera, duke përmendur edhe ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Fajin për mosheqjen e vizave duhet ndarë mes BE-së dhe Qeverisë së Kosovës. Nuk ka as vullnet të qartë në BE për të hequr vizat së shpejti, qoftë edhe nëse Kosova i përmbush dy kushtet e mbetura, e as që Kosova është serioze në përmbushjen e së paku njërit prej tyre, atë për rezultate konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë. Me letra të presidentit drejtuar prokurorisë, ku ai bën thirrje që të hetohen raste të caktuara, nuk përmbushet kushti. Madje letrat e tilla, për të cilat BE-ja nuk e di se si të shprehet, a t’i përshëndesë apo jo, rrezikohet që të forcohet përshtypja se prokuroria dhe gjykatat veprojnë në bazë të direktivave politike.
Nuk është e drejtë që Kosova të mbahet e izoluar, por nuk do të hiqen as vizat duke u ankuar në diskriminim e as duke kërcënuar për pasojat në rast të mbajtjes së vizave. Kosova nuk ka kapacitet që të shantazhojë siç bën Turqia, dhe, nga ana tjetër, në BE nuk e çajnë fort kokën pse kosovarët janë të irrituar. Kosova vazhdon të jetë për shumë vende të BE-së një vend me potencial të migrimit masiv dhe kjo ndikon në qëndrimet e tyre.
Sa u përket proceseve të brendshme në BE, sapo të miratohen mekanizmat e rinj për suspendimin e regjimit pa viza do të hiqet roja e vendeve anëtare nga ardhja masive e imigrantëve, qoftë nga Kosova apo ndonjë vend tjetër i cili gëzon, apo do të gëzojë në të ardhmen, lëvizjen pa viza në vendet e zonës Schengen. Por, as sot, kur jemi në atë që Komisioni Evropian qysh në pranverë e kishte quajtur “kilometra e fundit në proces”, nuk mund të jepen garanci se kur mund të udhëtojnë qytetarët e Kosovës pa viza. Nga përvoja ata duhet tashmë ta kenë kuptuar se nuk duhet të bazohen në “garancitë” apo premtimet e politikanëve.