Së fundmi kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shkarkuar drejtorin e Drejtorisë së Arsimit Januz Salihajn, pasi kështu ka kërkuar partneri i koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pjesë e së cilës është edhe Salihaj.
Salihaj u shkarkua pasi AAK-ja nuk ishte e kënaqur me performancën e tij në krye të kësaj Drejtorie, përderisa vetë Salihaj ka theksuar se është shkarkuar për shkak se nuk ka pranuar të bëhet instrument i interesave të grupeve të caktuara.
Shpend Ahmeti, i cili nënshkroi shkarkimin e Salihajt, u shpreh se nuk ka pasur mospajtime me të, por për shkak të marrëveshjeve me AAK-në ai është dashur të lirohet nga detyra.
“Shkarkimi i Jonuz Salihajt është bërë me kërkesën e AAK-së, të cilën kërkesë e kanë dorëzuar në nëntor të vitit të kaluar sepse supozohet që kanë pasur mospajtime dhe mund të them se më nuk është drejtor i Arsimit dhe nuk mund ta konsideroj atë si drejtor të Aleancës sepse nuk pajtohen me punën ose me qëndrimet e z. Salihajt.
Marrëdhënia ime me Salihajn ka qenë gjithmonë korrekte, arsyeja kryesore është sepse kanë kërkuar ata (AAK)”, ka thënë Ahmeti./Zeri