Mjekët në Spitalin e Gjakovës, ‘Isa Grezda’ nuk po e respektojnë orarin e punës.
Kështu të paktën po thonë disa lexues të lajmi.net të cilët kanë dërguar fotografi dhe videon në nga vendi i ngjarjes, aty shihet radha e gjatë e pacientëve të cilët janë duke pritur për shërbime mjekësore, shkruan lajmi.net.
N.D ka thënë për lajmi.net se mjekët në repartin internistik në Spitalin e Gjakovës, ani pse e kanë orarin e punës që u fillon nga ora 9:00, në spital shkojnë 1 orë e gjysmë më vonë.
Sipas tij, kjo ka shkaktuar radhë të gjatë të pacientëve, pakënaqësi dhe mungesë të shërbimeve të caktuara shëndetësore.
Foto:
E në lidhje me këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar me drejtorin e Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani.
Fillimisht Asllani ka thënë se nuk bëhet fjalë për mosrespektim të orarit të punës nga punëtorët e Spitalit të Gjakovës, dhe se të tilla lajme janë të pavërteta.
Madje sipas drejtorit të përgjithshëm, Spitali i Gjakovës është njëri ndër të vetmit ku mjekët e respektojnë me përpikëri orarin e punës.
Pasi që u kontaktua nga lajmi.net, Asllani ka inspektuar repartin Internistik nga ku ka thënë se nuk ka ndonjë parregullsi dhe se doktoresha kujdestare është në punë duke kontrolluar vazhdimisht pacientë.
“Unë kam ardhur në repartin Internistik, doktoresha është këtu dhe është duke u marrë vazhdimisht me pacientë, dhe nuk ka asnjë problem” , ka thënë Asllani.
Kujtojmë, se kjo nuk është hera e parë që qytetarët ankohen për të tilla raste.
Ankesa më së shumti ka pasur për sjelljet e mjekëve në spitalet publike të Kosovës, teksa gjatë kësaj jave Policia e Kosovës e arrestoi një punëtore mjekësore për marrje të ryshfetit.