Një ditë pas

E martë, 15 Nentor 2016  –  Sakte.net  /

Mbi verdiktin e popullit amerikan

-1-

Për shqiptarët kishte dy lajme. I pari, që politika amerikane do të rikthehej në duart e administratës më të angazhuar në çështjen e Kosovës – zgjedhjes së znj. Clinton. E dyta, që politika amerikane do të kalonte në duar të një paparashikueshmërie – zgjedhjes së Trumpit. Në mes të një lajmi që sjell siguri të garantuar dhe një lajmi tjetër që sillte paparashikueshmëri, natyrisht që zgjedhja jonë shoqërore ishte me të parën. Do të duhej të ishte gjithnjë. Zgjedhja jonë politike e publike do të duhej të mbante gjithmonë neutralitet. Në fund të ditës, shtetet do të duhej të funksiononin mbi parime strategjike; e për të mos lënduar këto parime strategjike neutraliteti i betejave të brendshme partiake është domosdoshmëri.

Shqetësimi mbi verdiktin e popullit amerikan nuk ishte vetëm i Kosovës e vetëm i shqiptarëve. Shqetësimi mbi verdiktin Trump ishte i pjesës më të madhe të botës perëndimore. I pjesës ku liritë individuale, aleancat ushtarake e blloqet postsovjetike kishin qëndruar mirë e bashkë për gati tri dekada rresht. Këtë shqetësim e kishin shprehur media, nobelistë, biznesmenë e aktivistë të të drejtave të njeriut. Në jo pak raste edhe politikanë me influencë e me përvojë mbresëlënëse.

Pra, shqiptarët e shqetësimi vijues pas, nuk dallojnë nga popujt e shqetësimet e tjera në Perëndim. Janë shqetësime të njëjta, që – sikurse në rastin e Brexit – ngrenë pyetje mbi çështjet e barazisë racore, ksenofobisë, lirive fetare e deri tek përballja me këtë të ligë.

-2-

Përjashto kopetë e mendimeve “facebookiane” tek ne, që, nën “cingliminglat” e përzierjes së çajit rus politikën e një superfuqie e komentojnë si meze tavoline, pjesa tjetër e botës normale e të përgjegjshme mëngjesin e parë pas zgjedhjeve e kishte pritur me shumë shqetësim. Mediat më të mëdha botërore kishin shkaktuar panik. Tregjet financiare kishin reaguar me rekorde të ulëta – në nivele sa të krizës financiare të fundit. NATO-ja e mekanizmi përcjellës i saj ishin nën alarm; ndërsa festë bëhej nga Putini. I pari kishte ofruar partneritet të ri. Partneritet të kushtëzuar i kishte dhënë Gjermania, Franca e Britania; kushtëzimi kishte të bënte me respektimin e të drejtave bazike të njeriut. Për një natë, komunikimi Evropë-Amerikë ishte bërë ndryshe. Dhe kjo mjafton për shqetësim.

Parashikueshmëria e qeverisjes së ardhshme është e pamundur. Kjo sepse vetë presidenti i ri gjatë gjithë kampanjës zgjedhore ishte i paparashikueshëm. Në të vërtetë, po qe se implementohen të gjitha premtimet e tij, për deportim të minoriteteve, ndërtim të murit me Meksikën, mosintervenim ushtarak kur sulmohet një vend i NATO-s, rinegociim tregtar me Evropë e Azi, mbyllje të kufijve për myslimanë, lidhje e re e miqësore me Putinin, largim nga roli ndërkombëtar e ndryshim të politikave klimatike – atëherë secili njeri me mendje të shëndoshë e të mbarë duhet të ketë shqetësim.

Po qe se premtimet e tij ishin pjesë e një karakteri garues, që për qëllim kishte vetëm përballjen me establishmentin politik, po qe se gjithçka nga politika e tij e jashtme ishte llogaritje tashmë e thënë, por e pamenduar mirë, atëherë, ndoshta, në rastin më të mirë, mund të ketë një bashkërendim pa ndikim (në rastin më të mirë pra) në rrjedhat e mëdha këndej – në Evropë – për katër vjet rresht.

Pra në tavolinë janë fatet e vlerave të një uniteti perëndimor, që kishte kulmuar me një bashkërendim ushtarak në NATO; janë fatet ekonomike të tregtisë së lirë – konceptit ekonomik kryesor amerikan në pesëdhjetë vjetët e fundit; fatet e rolit amerikan nëpër botë, si sigurues e garantues i lirive; dhe mbi të gjitha fati i formësimit të botës së re. Një Brexit dhe një Amerikë me premtimet elektorale, u japin fund parimeve mbi të cilat rendi i ri botëror ishte ndërtuar që nga rënia e komunizmit e këndej.

-3-

Për shqiptarët e Kosovën në veçanti, reduktimi i rolit amerikan në botë, çarjet eventuale në NATO, e rëndimi i relacioneve tregtare në Evropë, s’kanë se si të jenë të mira. Në të vërtetë, secila kohë e shpenzuar në çështje si këto është humbje për ne. I mirë do të ishte forcimi i lidhjeve në mes të SHBA-së dhe Evropës e jo dobësimi i tyre. I mirë do të ishte zgjerimi i NATO-s e insistimi për forcë ndaj secilit agresion të jashtëm – si një zë – e jo kërkesa për pagesë në këmbim të mbrojtjes apo tërheqje nga përballja anti-Rusi. Këto lëvizje, deri më tani, duken të largëta.

Mbi të gjitha, i mirë për Kosovën është fokusi në regjion. Trumpi e politika e tij këtë fokus s’do ta kenë; të paktën në fillim të mandatit. Sepse prioritet i qeverisë së tij do të jetë riformatizimi i tregtisë me Azinë – në veçanti me Kinën – si dhe fokusimi ekskluzivisht brenda SHBA-së – për zhvillim ekonomik nëpërmjet politikave proteksioniste. Një ripozicionim i tillë do të thotë se regjioni do të mbetet në status-quo. Natyrisht se s’do të ketë ndryshime radikale e pretendime territoriale, por do të ketë hapësirë për forca të tjera, kryesisht proruse, për fuqizim.

Në esencë, s’pres ndryshime rrënjësore në politikat amerikane përballë neve; hiç se hiç strategjike. Por pres, siç dhe argumentova deri më tani, ndoshta më pak fokus; e ne kemi nevojë sot për fokus. Sepse projekti shtetndërtues yni është në ngecje.

Mbi të gjitha, në një notë të mirë, fati i rolit amerikan në regjion do të varet edhe nga dy elemente shtesë. E para, nga ekipi i tij. Nëse si Sekretar i Shtetit caktohet dikush si senatori Bob Corker – një emër i përfolur me të madhe së fundmi, atëherë të rrimë të qetë. Senatori Corker është një mik i madh i Kosovës, avokues i avancimit të rajonit në Senat.

E dyta, nga lobi shqiptar në Amerikë. Në shtatëmbëdhjetë vjetët e fundit, Kosova dhe Shqipëria kanë nënçmuar me të madhe shqiptarët lobues në Amerikë, të vetmit meritorë për aktualizimin e angazhimin individual të politikanëve amerikanë në çështjen e Kosovës. Të tillët janë ndarë, përçarë, mosrespektuar e injoruar në plotni. Asnjë takim, mirënjohje, koordinim nga atëherë. E marrë përkrahja e tyre si e garantuar. Por s’është. Lobi shqiptar ka mundësi enorme të influencojë politikanët decisivë në SHBA që, në vijat kryesore integruese të ruhet, mbrohet e avancohet interesi ynë. Ky lob duhet të riaktivizohet sërish. Në kohë të paparashikueshmërisë – pavarësisht rezultateve të ardhme, shfrytëzimi i gjithë forcave tona është domosdoshmëri.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme