Kryeministri Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në faqen e tij në facebook, ka shkruar se vërteta nuk përcaktohet me akuza e zhurmë dhe ngulfatje të opinionit.
“Ajo që të gjithë neve na nevojitet, është ballafaqimi me të vërtetën. E vërteta nuk përcaktohet me akuza e zhurmë dhe ngulfatje të opinionit, por me fakte shkencore e profesionale. Nuk kemi nevojë të bëhemi avokat të të keqes, por avokat të së vërtetës. Kauza e rrejshme politike, po rrezikon të na lë pa liberalizim të vizave, sepse gënjeshtrat po e mundin të vërtetën”, ka shkruar Mustafa.
Kryeministri më tej ka shkruar se një kauzë politike nuk bën të ndërtohet mbi një rast tragjik, duke ftuar të pritet që institucionet e autorizuara ta thonë fjalën e tyre.
“Mos ta ndërtojmë edhe një kauzë politike për një rast tragjik; të presim që institucionet që janë të autorizuara me ligj ta thonë fjalën e tyre. Atyre që u ngutet mund të kenë arsyet e tyre, por institucionet shtetërore duhet të punojnë me themel, të jenë të sakta e transparente, ta thonë të vërtetën dhe ta marrin përgjegjësinë për të gjeturat e tyre”, shkruan Kryeministri Isa Mustafa.