Programe të ndryshme ekonomike po i lejojnë të huajt të blejnë në mënyrë të ligjshme një nënshtetësi apo një leje qëndrimi – në këmbim të investimeve të konsiderueshme.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka theksuar rritjen e shpejtë të këtij fenomeni, duke sugjeruar se klima aktuale gjeopolitike i ka shtyrë njerëzit të kërkojnë për “parajsa të sigurisë politike dhe ekonomike”. Por ka shumë raste që blerja e nënshtetësisë apo rezidencës bëhet edhe për të reduktuar detyrimet fiskale.
Pavarësisht se oferta të tilla janë shtuar së fundmi, programe të ngjashme kanë qenë në funksionim në shumë vende prej dekadash. Kombi me dy ishuj St Kitts dhe Nevis, për shembull, kanë ofruar nënshtetësi përkundrejt investimeve që nga viti 1984.
Tabela më poshtë paraqet vendet ku nënshtetësia është e ofruar. Tabela tregon se megjithëse ky është një fenomen më së shumti Europian dhe i zonës së Karaibeve, programe të ngjashme ekzistojnë në Kanada, SHBA, Australi, Singapor dhe Zelandën e Re.
Në krye të tabelës janë vendet që ofrojnë një program të “nënshtetësisë ekonomike”, dhe ku nënshtetësia ofrohet brenda një periudhe shumë të shkurtër. Opsioni më i lirë është Dominika, ku mund të bëhesh nënshtetas përkundrejt një investimi prej 100 mijë dollarësh (plus tarifat) dhe me vetëm një intervistë ballë për ballë.
Ka një dallim mes vendeve që ofrojnë drejtpërsëdrejti një pasaportë pa kushte në këmbim të investimit dhe vendeve ku, përveç investimit, ka kushte mbi kohën e qëndrimit apo kohën që duhet të kalojë nga aplikimi deri te marrja e nënshtetësisë.
Kështu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të vërtetë mund të marrësh nënshtetësi përkundrejt investimit që nga viti 1990, por përveç gjysmë milioni dollarësh minimum investimi, duhet të kalosh procedurat shtatëvjeçare si dhe të jetosh në SHBA për të paktën 180 ditë në vit. Në Zvicër, nënshtetësia jepet përkundrejt një investimi prej 250 mijë frangash zvicerane, por këtu duhet të kalojnë 12 vjet që ta marrësh ndërsa nuk ka nevojë të jetosh në Zvicër asnjë ditë gjatë kësaj kohe. Franca është vendi që pranon në këtë mënyrë vetëm investitorët super të pasur. Atje duhet të investosh 10 milionë euro si dhe të presësh pesë vjet para se të marrësh nënshtetësinë. Nëse dëshiron opsione më të lira për pasaportë europiane, ke Greqinë me 250 mijë euro dhe 7 vjet pritje por jo detyrim për rezidencë, ose Irlandën, ku kërkohen 500 mijë euro por nuk ka periudhë pritjeje dhe as detyrim për të jetuar atje.
Hapja e një vendi ndaj investimeve në këmbim të nënshtetësisë mund të krijojë një kanal të rëndësishëm të investimeve të huaja të drejtpërdrejta, ku vendi më i suksesshëm duket se është St Kitts dhe Nevis, ku paratë e investuara në këtë mënyrë arrijnë deri në 25 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Një kompani konsulence, Henley & Partners, vlerëson se investitorët kanë investuar deri në 2 miliardë euro në vit në shkëmbim të një nënshtetësie nëpër botë.
Pse njerëzit e blejnë nënshtetësinë?
Arsyeja kryesore është që investitorët gjejnë në këtë mënyrë mundësinë për të vendosur familjen në vende të lakmueshme si SHBA-ja, Britania apo Australia ndërsa për shumë të tjerë, një pasaportë e një vendi të caktuar ofron mundësi të mëdha për udhëtime pa viza në një numër të madh vendesh.
Në këtë drejtim, pasaportat e Maltës apo Qipros ofrojnë një numër të madh vendesh ku udhëtohet pa vizë. /Reporter.al