Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do të shkojnë në koalicion.
Mirëpo, pak pasi është konfirmuar se nuk do të ketë koalicion, kanë filluar akuzat në mes të këtyre dy subjekteve politike.
Përmes një postimi në Facebook, Nagavci, LDK-së ia përmendi edhe “tradhëtinë” e bërë në vitin 2014, ku pas bllokut VLAN të krijuar nga partitë tjera, partia e Isa Mustafës iu bashkua PDK-së.
Madje, Nagavci ia ka përmendur LDK-së edhe zgjedhjet e vitit 2017, duke thënë se kishin 20 mijë vota më tepër, e madje duke shtuar se LDK nuk mund të udhëheq çkapjen e shtetit.
“Në çkapjen e shtetit nga Klani Pronto nuk mund të udhëheq LDK”, tha Nagavci.
Ndërsa, kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani në konferencë për media ka folur rreth bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ajo është shprehur se VV-ja duhet t’i bashkohet LDK-së në ndërtimin e një epoke të re.
Ndërsa, duke komentuar deklarimet e ish-deputetes së VV-së, Arbërie Nagavci, Osmani tha se VV nuk kanë qenë të sinqertë në bashkëpunim.
“Deklaratat e tilla tregojnë që një bashkëpunim të tillë nuk e kanë pasur të sinqertë. Por shpresoj që qëndrime të tilla nuk i kanë edhe liderët e kësaj partie. Jemi të hapur për diskutime, por vetëm me respekt reciprok.”, tha Osmani.
Ndërkohë, edhe ish- deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveqla ka konfirmuar se partia të cilës ai i takon i ka dhënë fund koalicionit me LDK-në.