Valon Elezi
Kumanova: 1912-1913, 1940-1945, 1988, 1998-99, 2001
– Në luftërat e nxehta ballkanike, invazioni serb në Vilajetin e Kosovës mori hov të madh. Që nga vera e vitit 1912 e deri te tetori i po atij viti, me betejën vendimtare kundër Perandorisë Osmane, Serbia e atëhershme synonte të merrte toka në pronësi të saj! Ku ndodhi beteja vendimtare? Pikërisht në Kumanovë. Në radhët e Osmanëve kishte me mijëra luftëtarë shqiptarë të cilët mbronin dy gjëra: Hilafetin dhe atdheun e tyre. Forcat osmane u thyen. Pas saj pasoi dhuna dhe gjenocidi ndaj popullsisë së pafajshme në tërë Kosovën, e sidomos në Kumanovë e Shkup. Filloi edhe shpërngulja e detyrueshme! A na zhdukën dot? Kurrë! Dhe s’do të munden asnjëherë! Për të mos harruar, këto ngjarje patën një mbështetës të fuqishëm. Perëndimin dhe Fuqitë e Medha.
– Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Karadakun e Kumanovës operuan forcat balliste që synim kishin Shqipërinë Etnike. Duke bërë të njejtat beteja edhe pjesët tjera të Karadakut, Kumanova shënon edhe një faqe të lavdishme të historisë së saj. Beteja të rënda me armikun dhe masakra në shumë fshatra malore sot të Komunës së Likovës! A na larguan nga këto treva? Jo, assesi.
– Na e ndaluan arsimimin në gjuhën amtare, gjuhën e bukur shqipe. Intelektualët dhe rinia kumanovare ngritet në këmbë. Viti 1988. Protestojnë dhe duan të mësojnë shqip. Në goditjet e fundit të një ideologjie pranë shuarjes, asokohe shumë kumanovarë u burgosën e u rrahën si mos më keq. Por dëshirën për të mësuar nuk na e ndalën dot.
– Kur jasharajt filluan të shënojnë gjermat e lavdisë dhe lirisë përfundimtare të Kosovës, në vitin 1998, mes shumë djelmoshave trima, Kumanova dërgoi në betejat vendimtare një nga Jasharajt tanë. Dëshmorin e spikatur, Ismet Jasharin. Rikthyem elanin dhe e mundëm harresën, në kujtesë të periudhës 1912-1913. Kumanova u bë vatra e bukës dhe e konakut për vëllezërit kosovarë. Kumanova, poashtu u bë shtylla historike me Marrëveshjen e Kumanovës, në qershor të vitit 1999, marrëveshje e cila shënoi lirinë përfundimtare të Kosovës dhe ishte pikënisja e pavarësisë së saj.
– 2 Maj, 2001. Sllupçan. Komunë e Likovës. Kumanovë. Zonë e lirë dhe prap Kumanova bëhet bajraktari i një momenti historik, kësaj radhe për shqiptarët e Maqedonisë, që nga Kumanova e deri në Strugë. Historinë e lavdishme e shënuan djem nga të gjitha trevat shqiptare, e sidomos nga Kumanova e rrethina, ndërsa nënat e këtij vendi duruan dhe sakrifikuan djemtë e tyre, pronat e tyre, pasuritë e tyre dhe jetët e tyre. 2 Maji nuk guxon të harrohet. Çdo tentativë që 2 Maji të harrohet është tradhëti kombëtare dhe provincializëm i myktë. Edhe kësaj radhe, Kumanova. Kumanova e episodeve krenare kombëtare.