Prokurorët filluan argumentet e tyre mbyllëse në gjyqin e Ratko Mlladiqit të hënën në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, duke këmbëngulur se ish-kreu ushtarak i Ushtrisë Serbe të Bosnjës kishte komandë të fortë mbi forcat që kryen gjenocid gjatë luftës së viteve 1992-1995.
Ndërkohë që avokatët e Mlladiqit janë shprehur se ai kishte një qëndrim relativisht të largët dhe jo gjithmonë ishte nën kontroll ndërsa forcat serbe të Bosnjës u përpoqën të kryenin një fushatë spastruese në të gjithë Bosnjën, prokurori Alan Tieger tha se kjo ishte “absurde” dhe se provat tregonin “absurditetin e caktimit të Mlladiqit si një figurë dytësore”.
Duke refuzuar pretendimet e mbrojtjes se Mlladiq ishte një mbrojtës i myslimanëve boshnjakë, Tieger tregoi një video ku ai takohej me gjeneralë të tjerë, në të cilën Tieger tha se “prania e tij dominuese” mund të ndihej, ndërsa ai kërcënonte përfaqësuesit boshnjakë: “Ose do të mbijetoni ose do të zhdukeni.”
Gjykatës iu treguar gjithashtu një video ku Mlladiqi flet me një serbo-kanadez në vitin 1994, duke thënë: “Sa herë që vij në Sarajevë, vras ndonjë gjatë rrugës.”
Në video, Mlladiq vazhdoi duke thënë se kishte ardhur koha të hakmerrej ndaj “turqve” –një term ofendues për boshnjakët- dhe u mburr se fshatrat e tyre “ishin shndërruar në plehra”.
Këto fjalë, tha Tieger, tregonin “krenarinë dhe kënaqësinë” e Mlladiqit në fushatën e spastrimit etnik të kryer nga forcat nën komandën e tij, si edhe “përbuzjen e tij për viktimat”.
Duke përdorur deklarata nga zyrtarët e Ushtrisë Serbe të Bosnjës, të cilën Mlladiqi e komandonte, si edhe nga personeli i OKB-së, Tieger u shpreh se zinxhiri i komandës ishte i qartë dhe se Mlladiqi gëzonte një nivel të lartë autoriteti dhe ishte në dijeni të veprimeve të forcave të tij.
Prokuroria shprehet se synimi kryesor i zyrtarëve të lartë serbë të Bosnjës, përfshirë ai i Karaxhiqit dhe Mlladiqit ishte krijimi i një shteti serb të pastër etnikisht, ndërsa kishte filluar në kohën që nisi lufta në vitin 1992.
Ata më pas kërkuan të përdornin spastrimin etnik për të sfiduar “gjendjen faktike” të përbërjes etnike të rajoneve që ata donin të kishin nën kontroll për të ushtruar presion në negociatat me qeverinë boshnjake, tha Tieger.
E kërcënuar me forcë ushtarake në të cilën Mlladiqi ishte një lojtar kryesor, qeverisë boshnjake iu tha të pranonte ose të përballej me një “rrugë ferri dhe vuajtjeje”, shtoi ai.
Mlladiq, i cili udhëhoqi Ushtrinë Serbe të Bosnjës nga maji 1992, akuzohet për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë Bosnjë dhe Hercegovinë që dyshohet se arriti shkallën e gjenocidit në disa komuna të tjera, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë 44 muajve të rrethimit të kryeqytetit boshnjak dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Në masakrën e Srebrenicës u vranë më shumë se 7,000 burra dhe djem myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës, ndërsa rreth 10,000 persona vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevës për shkak të sulmeve me snajper, bombardimeve dhe privimeve të tjera.
74 vjeçari Mlladiq është shprehur se është i pafajshëm për këto akuza.
Prokuroria do të mbajë deklaratat e saj mbyllëse deri të mërkurën, ndërsa mbrojtja nga data 9 deri më 13 dhjetor.
Të dyja palët do të kenë mundësi të komentojnë deklaratat mbyllëse të secilës më 15 dhjetor në gjykatën e OKB-së.
Gjykimi filloi në maj 2012 dhe vendimi pritet të jepet në vitin 2017. /Kallxo.com