Çfarë ka sjellë Dejtoni dhe si duhet ndryshuar 25 vjet pas arritjes së marrëveshjes? Me këtë pyetje u morën të enjten (12.11), në Harriman Institut disa ekspertë nga SHBA, Bosnja dhe Europa.
Diskutimi i organizuar si webinar u organizua dhe drejtua nga profesorja për çështjet ndërkombëtare,Tanya Domi. Dejtoni ishte për të ndalur luftën dhe vrasjet. “Por Dejtoni ka qenë një instrument jo perfekt dhe duhet reformuar. Po si? ”
Ambasador Robert S. Geldbard, flet për mungesën e lidershipit. Duke bërë histori të angazhimit të SHBA në rajon, ai thotë se administrata e Bushit nuk donte të merrej me Bosnjë-Hercegovinën, sepse me të ishte marrë Clintoni, kështu që u fokusua më shumë në Kosovë. Administrata e Obamës nuk ka qenë shumë e interesuar në rajon. “Ideja e politikës amerikane ka qenë rajoni i Ballkanit është zonë ku duhet të veprojë Europa, dhe vazhdon të presë që të ndodhë diçka,” thotë ambasadori Geldbard.
Europa duhet të bëjë më shumë
Europa duhet të marrë më shumë përsipër në Ballkan, thotë ai dhe përmend bisedën Biden-Merkel, si dhe Biden-Johnson, pas zgjedhjeve amerikane. SHBA duhet të ndihmojë më shumë, thotë ambasadori. Gelbard mendon se duhet gjetur mënyra për ta bërë Republika Serpskan që të bashkëpunojë, duhet larguar nga posti Dodik, fqinjët duhet të bashkëpunojnë më shumë duke filluar me Kroacinë si anëtare e BE e vazhduar me Serbinë, ku Vuçiq ka luajtur rol interesant për nxitjen e idesë së “Serbisë së Madhe”. “Po humbasim kohë,” thotë ambasadori Geldbard, që në karrierën 35 vjeçare në diplomaci ka qenë ndër të tjera edhe përfaqësuesi special i Presidentit Clinton në Ballkan si dhe anëtar i Grupit të Ohrit.
Reuf Bajroviq, bashkëkryetar i Aleancës SHBA- BE, thotë se SHBA do t’i kthehet Ballkanit. Presidenti i sapozgjedhur, Biden ka qenë më shumë në Bosnjë-Hercegovinë se sa në Kosovë, thotë ai. Kur i kthehet Europës, ai kujton se Bosnje-Hercegovina është vend me shumicë myslimane dhe Europa ka bërë gjithçka që të ndryshojë përbërjen demografike të vendit. Ai kërkon rol më të madh të kancelares gjermane Angela Merkel në angazhimin europian në rajon dhe kërkon që qëndrimi gjerman të ndryshojë sa i përket sanksioneve kundër Dodikut.
Formula e perspektivës së pranimit në BE dhe në NATO nuk ka funksionuar
Kurt Bassuender, bashkëkrijues i Këshillit për politikat demokratizuese, një think tank me qendër në Berlin, thotë se formula e përdorur deri tani për rajonin duke ofruar perspektivën e pranimit në BE dhe në NATO dhe duke i lidhur këto me kushte, nuk ka funksionuar deri tani. Ai kërkon “partnership me elitat”, duke kontrolluar që partnerët të jenë demokratë. Bassuender, që ka jetuar në Sarajevë nga 2005-2016 kërkon rivendosjen e rregullave për Bosnjë-Hercegovinën. Ai ka shkruar disertacionin me temën “”Peace Cartels: Internationally Brokered Power-Sharing and Perpetual Oligarchy in Bosnia and Herzegovina and North Macedonia”.
Almir Sheqkanoviq, nga grupi medias Oslobogjenje, thotë se 25 vjet pas Dejtonit, në Bosnjë – Hercegovinë sigurimi shëndetësor varet nga vendi ku jeton. Mediat janë të ndara dhe i shërbejnë grupeve etnike. Dikush në Banja Lluka lexon shtypin e Serbisë, dhe jo atë të Sarajevës. Mediat dhe gazetarët e kanë të vështirë sepse opinioni publik është i përçarë.
Tanya Domi, e sheh çështjen e migracionit çështje të sigurisë kombëtare si në afat të shkurtër edhe në afat të gjatë.
Ambasadori Gelbard është i sigurt se administrata e presidentit Biden do e ketë prioritet rajonin e Ballkanit, “por sa i madh do jetë ky partneritet?” pyet ai. Kështu që ai i kthehet partneritetit SHBA-BE dhe kërkon që Europa të ketë vullnetin politik për t’u angazhuar në Bosnjë. Ai kërkon edhe nga Bosnja vetë që të bëjë më shumë brenda “kuadrit të mundësive”. Qytetarët duhet të angazhohen më shumë që institucionet e tyre të bëhen funksionuese, thotë ai.
Tanya Domi, ndërhyn duke iu kthyer myslimanizmit të vendit. Ajo kujton ambasadorin francez Macron që ka luajtur një rol për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. “SHBA e ka të vështirë të kuptojë Europën,” thotë ajo, duke mos kursyer fjalën “racizëm”.
Reuf Bajroviqi, tregon se vendimet në Bosnjë Hercegovinë merren nga elitat lokale, dhe Dodik nuk lëviz nga vendi. Ai vazhdon të ëndërrojë për “Serbinë e Madhe”, dhe BE i ka lejuar Vuçiqit që të luajë lojë të rrezikshme në Republikan Srpska. BE i ka dhënë Vuçiqit çdo gjë që ka dashur, thotë ai, siç i ka pas dhënë is- presidentit Tadiq. “Serbia po pret momentin për të bërë Serbinë e Madhe”, thotë Bajroviqi. Pyetjes se sa realist është Minishengeni ballkanik, Kurt Bassuender, i përgjigjet, se nuk i duhet kushtuar shumë rëndësi. Për të ardhmen, rruga është që Bideni duhet të punojë më ngushtë me BE, i dërguari special i BE në Bosnjë-Hervegovinë, Valentin Inzko duhet të marrë më shumë kompetenca për të arritur më shumë. Ambasadori Gildbard është i sigurt se kur Presidenti Biden të japë orientimin e duhur e gjithë administrata do ta pasojë. Reuf Bajroviq kërkon që me rajonin të merret direkt Shtëpia e Bardhë.
Historik i shkurtër
Lufta e Bosnjës filloi në mars 1992 dhe mbaroi pas tre vjetësh, pasi ushtria e serbëve të Bosnjës kishte kryer gjenocid dhe vrasje me paramendim të më shumë se 8 mijë burrave dhe djemve myslimanëve, më 11 korrik 1995. Gjë që pasoi me sulme ajrore të koordinuara nga ushtria amerikane dhe NATO. Armëpushimi u inicua dhe bisedimet për marrëveshjen e paqes filluan më 1 nëntor 1995 dhe përfunduan me sukses më 21 nëntor, në bazën ajrore amerikane Wright-Patterson.
Marrëveshja e paqes e Dejtonit u nënshkrua në Paris më 4 dhjetor 1995, në prani të presidentit amerikan Clinton, ministrit të Jashtëm spanjoll Gonzalez, presidentit francez Shirak, kryeministrit britanik John Major, kancelarit gjerman Helmut Kohl dhe kryeministrit rus, Viktor Çernomerdin/DW