Mustafa kërkon matjen e territorit të Kosovës

Kryeministri Isa Mustafa thotë se matja e territorit të Kosovës do ta përcaktonte nëse ajo “humbë” territor demarkacionit me Malin e Zi. Opozita kosovare e refuzon kërkesën e kryeministrit Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vazhdon të qëndrojë prapa kërkesës publike për matje të territorit të Kosovës, për ta vërtetuar nëse Kosova “humbi territor, siç pretendon opozita, pas marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi”. Kryeministri Mustafa u ka drejtuar këtë ftesë partive opozitare dhe shoqërisë civile dhe ka kërkuar që ata të përzgjedhin ekspertët e tyre, të formohet një komision dhe të matet territori i Kosovës, në mënyrë që të shihet nëse Kosova ka humbur territor në kufirin me Malin e Zi.

Opozita e ka hedhur poshtë këtë ftesë të kryeministrit, duke thënë se së pari duhet shkarkuar komisioni shtetëror që e bëri, siç thonë, gabim shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe ky proces të nisë nga fillimi.

“Me rëndësi të dihet territori i saktë”

Por Mustafa thotë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës ta dinë saktë sesa është territori i Kosovës dhe në këtë mënyrë do të shmangeshin paqartësisë dhe konfuzioni i krijuar nga opozita. “Kërkesa vlenë për të gjithë: për partitë opozitare dhe shoqërinë civile, që ata të caktojnë ekspertët e tyre dhe të bëhet matja. Nuk dua ta pengoj askend. Sepse të gjithë ne dëshirojmë që të kemi një ekzaminim të ekspertëve dhe të dihet se sa është sipërfaqja e Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh kufijtë ekzistues që i kemi tani”, thotë Mustafa.

Deutschland Kosovo Mustafa bei Merkel (Getty Images/AFP/O. Andersen)
Kryeministri pohon se matja e territorit të Kosovës do të bazohej në kufirin aktual me Shqipërinë, kufi që ka qenë ndërmjet ish- Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Në pjesën me Serbinë do të përdoret kufiri që kishte Kosova si krahinë. Ndërsa me Maqedoninë tashmë ka kohë që është caktuar vija kufitare

Të mos pengohet liberalizimi

“Prandaj po e masim dhe po shohim se në këtë kufi që është caktuar tash me Malin e Zi, a është ruajtur apo humbur territori i Kosovës. Këtë informatë do t’ia japim qytetarëve. S’duhet akujt t’i pengojë. Në qoftë se vijmë në konstatim se është territori i duhur, atëherë mbetet vetëm çështje e tekeve politike. Por nuk kemi arsye ta pengojmë procesin e liberalizimit të vizave. Shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, nuk është vetëm çështje e liberalizimit, por edhe e përkufizimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës”, thotë kryeministri Mustafa.

“Kjo është një tallje”

Nga ana e tjetër, zyrtarë të partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është më e zëshmja kundër versionit qeveritar të shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, thonë se kërkesa e kryeministrit është “një tallje me qytetarët e Kosovës”.
Panorama Kosovo (picture alliance/blickwinkel/B. Trapp)

Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së, thotë se nuk duhet të bëhet asnjë hap pa u shkarkuar komisioni qeveritar që shënoi vijën me Malin e Zi.

“Përpjekja e radhës e kryeministrit Mustafa për të krijuar një komision gjeodetësh të tij, i cili do ta legjitimonte teorinë e tij se Kosova nuk ka humbur territor duke zbritur kufiri nga Çakorri në Kuqishtë dhe nga Kulla në Savino Vodë, është mashtrim ordiner dhe jo përgjegjësi prej burrështetasi që për qëllim ka ta zgjidhë një çështje jetike për vendin ku ai mbanë postin e kryeministrit”, thotë Muharrem Nitaj. Sipas tij, Mustafa duhet ta pranojë dështimin e kësaj marrëveshjeje me Malin e Zi.

“Nëse kryeministri paska vullnet për ta zgjidhur këtë çështje, së pari duhet ta pranojë dështimin e marrëveshjes për kufirin dhe pastaj të krijojë një komision që e trajton këtë çështje nga e para, e jo do farë komisionesh që as nuk dihet çka janë, as çfarë kompetencash kanë, por që për detyrë kanë ta legjitimojnë një marrëveshje që është në kundërshtim me tërësinë tokësore të shtetit të Kosovës”, thotë Nitaj.

Demarkacioni bllokon liberalizimin

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi është shndërruar për më shumë se një vit në temën kryesore politike në Kosovë, që për pasojë ka pasur bllokimin e proceseve që mund të çojnë tek liberalizimi i vizave. Blerim Burjani, analist politik, i tha Deutsche Welles se tema e demarkacionit është shndërruar në një temë politike artificiale nga të dyja kampet – pozita dhe opozita.

“Kuptohet se të gjithë akterët apo të gjitha palët të përfshira në temën e demarkacionit e kanë shndërruar ate në një temë politike artificiale, për ta kundërshtuar njëra-tjetrën. Ideja e matjes duke përfshirë ekspertët partiakë nuk është ide e mirë. Duhet ftuar ekspert të pavarur të besueshëm apo me kredibilitet të lartë profesional. Përshtypja ime është që po bëhet politikë e pakuptimtë për të quar shtetin në zgjedhje të parakohshme. Pra në mungesë të ideve këshillohet kryeministri për të matur territorin. Kjo ide është vështirë të gjejë zgjidhje për një problem artificial dhe politik të sajuar”, thotë Blerim Burjani.

Zgjedhjet e parakohshme

Kosovo Gewalt bei Oppositionsdemo in Prishtina (picture-alliance/epa/V. Xhemaj)
Ai e sheh çështjen e mospajtimit rreth demarkacionit edhe nga një aspekt tjetër – shkuarjes së mundshme të vendit në zgjedhje të parakohshme. “Të gjithë – pozita edhe opozita – duhet të reflektojnë dhe të jenë të përgjegjshëm për të gjetur daljen nga labirinti politik artificial. Ideja e pozitës duket të jetë shkuarja në zgjedhje por jo demarkacioni si çështje teknike. Opozita në këmbim të shpalljes se zgjedhjeve të parakohshme do të mund të jepte pëlqimin për demarkacion. Në esencë kjo është edhe kërkesa e opozitës. Gjërat tjera mund të zgjidhen lehtë”, mendon Burjani.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës janë duke kërkuar rrugë të ndryshme që marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, e cila nuk po mund të miratohet nga parlamenti i Kosovës, të mos jetë pengesë për liberalizimin e vizave, ndonëse kjo tashmë është kërkesë zyrtare e Komisionit Evropian.

Këtë të dielë (11.12.) kryeministri Isa Mustafa takoi në Shkodër kryeministrin e Malit të Zi, por askush nga zyrtarët qeveritar nuk dha informacione nëse demarkacioni ishte temë e bisedimeve, që nga mediet u cilësua si i fshehtë. Disa ditë më parë ishte kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli i cili kërkoi nga Mali i Zi, që ky shtet fqinjë t’i drejtojë një letër Komisionit Evropian në të cilën do të theksonte se Mali i Zi dhe Kosova nuk kanë probleme territoriale. Por Komisioni Evropian, është i vendosur në kërkesën e tij që Kosova të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit, para vendimit për liberalizimin e vizave. /DW

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme