Një javë pas dorëzimit të tekstit, Ministria e Brendshme akoma nuk e ka shqyrtuar draftin e Ligjit për shtetësi të propozuar nga ASH-AAA. Nga MPB vonesat i arsyetojnë me ditët festive, ndërsa thonë se pas shqyrtimit të tekstit nga ekspertët, i njëjti do t’i dorëzohet Qeverisë. Të panjohura për publikun vazhdojnë të mbeten dallimet që sipas kryeministrit Zoran Zaev në tekstin e ligjit nuk korrespondojnë me marrëveshjen verbale nga takimi i fundit Zaev-Sela-Gashi.
Burimet nga dyja grupet negociuese mes opozitës shqiptare dhe Qeverisë bëjnë të ditur se dallimet në çështjet teknike apo përmbajtjesorë nuk mund ta kthejnë procesin mbrapa. Sipas tyre në takimin e fundit nuk është vendosur gjithçka, prandaj edhe ka çështje të cilat do të shqyrtohen nga ekspertë në nivele të ndryshme për të dalë me qëndrimin përfundimtar pas konsensusit të mundshëm.
Për dallim nga ligji aktual për shtetësi, në propozimin e opozitës shqiptare është përfshirë njohja e gjuhës shqipe si bazë për të fituar statusin shtetas. Kjo sipas tyre bazohet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe Kushtetutën e vendit e cila garanton se përveç maqedonishtes, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha që e flasin të paktën 20 për qind e popullatës.
Kjo dispozitë i thirret personave të cilët statusin shtetas e fitojnë si të lindur në Maqedoni të Veriut. Ndërkohë dispozitat e natyralizimit parashikojnë lehtësimin e procedurave si për personat apatrit po edhe për personat që kërkojnë të jenë shtetas përmes lidhjes bashkëshortore apo leje qëndrimit të rregullt.
Pas deklaratës së kryeministrit se teksti i ligjit nuk përputhet me marrëveshjen verbale, koalicioni opozitar ASH-AAA u shprehën të gatshëm për negociata plotësuese para dhe gjatë fazës së amendamenteve derisa ligji i nënshtrohet procedurës parlamentare./Alsat