Njësia e Auto-krimeve, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, gjatë vitit 2016 ka identifikuar mbi 400 vetura, me dokumentacion jopërkatës.
Sipas policisë rajonale të Mitrovicës, identifikimi i këtyre veturave është bërë në lokacione të ndryshme, përfshirë kompani biznesi, auto sallone, auto pjesë dhe vetura personale, të gjitha këto në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë.
Në kuadër të kësaj Policia ka iniciuar 8 raste penale, ndaj kompanive të ndryshme, tek të cilat janë gjetur në pronësi veturat.
“Ky rezultat i punës së mirë e profesionale i Njësisë së Auto-krime, sipas një parallogaritje të bërë nga autoritet doganore në Mitrovicë, ka rezultuar që të parandalojë shmangiet doganore në vlerë prej mbi 700.000 euro”, njofton policia.
Bëhet e ditur se të gjitha këto vetura u janë dorëzuar autoriteteve doganore në Mitrovicë.