Si i zhgënjeu Qeveria e Kosovës edhe qytetarët e vet e edhe BE-në

Me Hashim Thaçin, si “garantuesin” kryesor në emër të pushtetit në Kosovë, qytetarëve iu premtua liberalizimi i vizave ndërsa BE-së përmbushja e të gjitha kushteve të nevojshme. Rezultati në fund të vitit 2016 del se “garantuesit” i kanë zhgënjyer të dyja palët, edhe qytetarët e edhe Bashkimin Evropian

Kaloi edhe një vit për kosovarët në të cilin nuk u realizuan pritjet, premtimet dhe “garancitë” se do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Evropës Perëndimore. Me kalimin e viteve kosovarët po mbesin edhe më të diskriminuar sesa ishin. Ndërkohë BE-ja shton listën e shteteve të cilave ua heq vizat. Tashmë edhe qytetarët e Moldavisë udhëtojnë pa viza dhe këtë të drejtë në periudhën e pritjes së kosovarëve e kanë fituar edhe shumë vende të botës, nga Azia e deri tek Amerika Latine. Për shtetet evropiane të mos flasim. Kanë mbetur vetëm katër shtete, të cilat janë në procesin e liberalizimit të vizave, e në mesin e tyre është edhe Kosova. Por Kosova, edhe pse më e vogla dhe në shikim të parë më së paku problematike, vazhdon të jetë e fundit ndër prioritetet e BE-së në këtë drejtim. Ukraina dhe Gjeorgjia, dy shtete të cilat kanë pjesë të territorit të okupuar, e që nuk e kontrollojnë fare, i kanë përmbushur të gjitha kushtet. Kanë marrë rekomandimin nga Komisioni Evropian dhe, sipas gjasave, në pranverën e vitit që vjen do ta realizojnë synimin për heqjen përfundimtare të vizave. Turqia është një rast specifik. Mund të ndodhë që për arsye politike vizat të hiqen në çdo moment. Por mund të ndodhë që ato të mos hiqen fare edhe për shumë vjet. Kosova përmendet më së paku në Bruksel dhe shpesh fitohet përshtypja sikur të kenë harruar se edhe Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave. Kur pyeten, zyrtarët e BE-së tashmë sikur të recitojnë një poezi përgjigjen se “Kosova duhet të përmbushë edhe dy kushtet e mbetura para se të avancojmë me këtë proces”. Për të tingëlluar pozitivisht, e kjo në përpjekje për t’u dalë në ndihmë politikanëve të Kosovës, në BE shtojnë se “Kosova ka bërë përparim në përmbushjen e kritereve”. Por ky përparim, i cili tash e sa vjet gjithmonë po ashtu përmendet, nuk ka dhënë ende rezultatin e duhur. Qytetarët nuk kënaqen duke dëgjuar fjalë për “përparim” e vazhdojnë të mbeten të izoluar.

Qëkur Kosova kishte nisur procesin e liberalizimit të vizave, ishte e qartë se ky do të jetë një proces i gjatë, pa garanci se kur do të përfundojë me heqjen e vizave. Por në Kosovë nuk u interesonte shumë përmbajtja e procesit sa shfrytëzimi i tij për propagandë politike. Na kujtohet se sa shumë na kanë lodhur politikanët duke premtuar se “shumë shpejt do të marrim udhërrëfyesin”. E vetëm “udhërrëfyesi” i famshëm u prit disa muaj. Në atë periudhë madje pothuajse kishte gara se kujt t’ia japin “udhërrëfyesin”, cilit ministër dhe kush do t’i marrë meritat për marrjen e udhërrëfyesit. Përderisa të tjerët nga rajoni lëvizin pa viza, Qeveria e Kosovës i gëzohej “udhërrëfyesit” dhe “garantonte” se do t’i përmbushte të gjitha kushtet “në afat rekord”. Dhe vërtet Kosova këtu po shënon rekord, jo për të mirë, por për të keq, jo për nga shpejtësia, por për nga vonesat rekorde.

Kur përmendim udhërrëfyesin, të cilin tashmë e kemi harruar, duhet thënë se pala kosovare nuk kishte bërë përpjekje të mjaftueshme që kushtet për Kosovën të jenë më të drejta, të mos ketë aq shumë kushte të cilat nuk ekzistonin për vendet e tjera. Kur tërhoqëm vërejtjen për këto kushte shumë të rënda, nga ministrat dhe nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi merrnin zotime se “s’janë ato probleme, sepse në afat rekord do t’i përmbushim”. Aq më shumë, na thoshin se shumë prej tyre ishin përmbushur edhe para se ta merrnin udhërrëfyesin, sepse Kosova kishte nisur vetë t’i plotësonte duke e ditur se çfarë do të ketë në atë dokument.

Me Hashim Thaçin, si “garantuesin” kryesor në emër të pushtetit në Kosovë, qytetarëve iu premtua liberalizimi i vizave, ndërsa BE-së përmbushja e të gjitha kushteve të nevojshme. Rezultati në fund të vitit 2016 del se “garantuesit” i kanë zhgënjyer të dyja palët, edhe qytetarët e edhe Bashkimin Evropian.

Ndër dy kushtet e papërmbushura është edhe ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, kusht për të cilin pakkush e ka të qartë se pse u gjet aty.

Tek çështja e kufirit me Malin e Zi kushti nga udhërrëfyesi ishte që Kosova “të bëjë përpjekje drejt kompletimit të shënimit të kufirit/linjës administrative”. Kjo, po të kishte gatishmëri për heqjen e vizave, do të mund të konsiderohej si kusht i plotësuar, sepse Kosova vërtet ka bërë përpjekje. Por tash kërkohet edhe ratifikimi në Kuvend.

Përfaqësuesit e BE-së i kemi përballur me kritikat, me dëshmi se me këtë kusht Kosova është diskriminuar rëndë, sepse shumë shtete të rajonit jo që nuk i kanë të zgjidhura çështjet e demarkacionit, por në shumë raste as që kanë filluar përpjekjet për një gjë të tillë. Dhe për to demarkacioni jo vetëm se ishte kusht për liberalizim vizash, por nuk ishte kusht për asgjë.

Në BE pohojnë se me këto kushte ishin pajtuar edhe vetë përfaqësuesit e Kosovës. Sinqerisht nuk e dimë, sepse nëse ka kufi pak të rëndësishëm në Ballkan për lëvizjen e njerëzve dhe që paraqet më pak rrezik për trafikim të ilegalëve, atëherë është ai në Bjeshkët e Nemuna mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo çështje është ngritur aq lart saqë fitohet përshtypja sikurse në Çakorr do të mbrohet Evropa nga valët e emigrantëve. Pa dyshim se kjo vetëm po përdoret si justifikim për mosheqjen e vizave për shkaqe të tjera, qoftë për shkak se Kosova, edhe pse mendon se ka bërë mjaft, nuk ka dhënë ende dëshmi bindëse për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Apo edhe për shkak të frikës që ekziston ende në disa shtete të BE-së nga potenciali i migrimit masiv nga Kosova. Disa diplomatë thonë se kur në Kosovë “testojnë” ndjenjat e qytetarëve duke pyetur se “pse aq shumë doni liberalizimin e vizave?”, përgjigjja e shpeshtë është se “nuk jetohet në këtë vend”. Dhe pas kësaj ata krijojnë bindje se nga Kosova mund të ketë largim më masiv të popullatës pas heqjes së vizave. As fakti se Kosova është shteti më i vogël nga katër shtete që presin liberalizimin nuk i qetëson shumë, sepse, edhe pse më i vogli për nga numri i banorëve, Kosova ka qenë vend origjine i numrit më të madh të azilkërkuesve në BE.

Pikërisht për arsye të tilla dhe për faktin se në tri shtete, të cilat nuk kanë ndonjë entuziazëm për t’i hequr vizat Kosovës, do të ketë zgjedhje vitin që vjen, mund të ndodhë që edhe viti 2017 të jetë një vit tjetër dëshpërimi dhe zhgënjimi për qytetarët e Kosovës në pritjet e tyre për heqjen e vizave. Në Evropë nuk ndiejnë se duhet t’i arsyetohen dikujt në Kosovë, as popullit, e aq më pak politikanëve të Kosovës.

Madje aq sa kosovarët ndihen të zhgënjyer dhe të dëshpëruar me BE-në, po aq ndihet edhe BE-ja e dëshpëruar me politikanët e Kosovës. Edhe në BE ndihen të zhgënjyer se pse Kosova nuk i ka përmbushur deri në fund kushtet. E edhe kosovarët ndihen të dëshpëruar se pse nuk u hoqën vizat. Problemi për kosovarët qëndron në aktin se tash, edhe po të përmbushen dy kushtet, nuk ka garanci se liberalizimi do të ndodhë shumë shpejt. Sepse, siç jemi bindur tashmë, garancitë kanë qenë vetëm fjalë të lëshuara nga goja e politikanëve të Kosovës e asgjë më tepër.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme