Paratë me fajde fusin në sherr bizneset dhe njerëzit

Fajdet apo paratë e huazuara në mënyrë joligjore nga qytetarët me normë të lartë të interesit, jo rrallë janë bërë shkas i shuarjes së bizneseve dhe nxitjes së konflikteve mes individëve në Kosovë.

Kjo dukuri, vazhdon të jetë e pranishme në vend, pavarësisht se këtu ka një sistem mjaftë të qëndrueshëm bankar. Por, arsyet që i shtyjnë njerëzit të marrin para me fajde tek persona të caktuar, besohet se ndërlidhen me kamatat e larta të bankave dhe me mosplotësimin e kushteve të kërkuara nga bankat për lëshimin e kredive.

Përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit, thonë se kjo dukuri vazhdon të jetë prezente dhe po shkakton probleme të mëdha në shoqëri, por edhe në biznese të ndryshme.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i tha Radion Evropa e Lirë se dukuria e huamarrjes joligjore është prezente në ato shtete ku nuk sundon rendi dhe ligji në nivelin e duhur.

“Është shqetësuese për institucionet e shtetit të Kosovës që nuk mund të bëjnë më shumë që të parandalojnë këtë fenomen negativ. Si pasojë e kësaj dukurie nga viti në vit kemi shuarje të bizneseve konflikte mes njerëzve dhe përfaqësuesve të bizneseve, konflikte mes familjeve dhe vrasje”, tha Shahini.

Nga ana tjetër, autoritetet e rendit, thanë për Radion Evropa e Lirë se policia në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, ka ndërmarrë veprime të vazhdueshme për implementimin e strategjive dhe planeve policore që ndërlidhen me luftimin e dukurive negative, krimin e organizuar si dhe aktiviteteve ilegale, ku bën pjesë edhe ajo e dhënies së parave me fajde apo interes nga qytetarët.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, thotë se lidhur me rastet e iniciuara si “fajde” të përcaktuara sipas kodit penal të Republikës së Kosovës, nga janari deri në këtë periudhë të vitit 2016 janë raportuar 16 raste, si dhe janë arrestuar dhjetëra persona të dyshuar për përfshirje në raste të tilla.

“Në këtë kontekst ne kemi realizuar edhe një numër të madh të operacioneve policore në shkallë vendi duke përfshirë edhe luftën e pa kompromis kundër veprave penale, që sipas Kodit Penal, cilësohen “fajde” dhe mund të konkludojmë se si rezultat i këtyre përpjekjeve dhe operacioneve intensive janë arrestuar numër i madh i personave të dyshuar si dhe rastet e tilla në konsultim me prokuroritë përkatëse janë trajtuar konform ligjeve të aplikueshme”, tha Hoxha

Ndërkaq, udhëheqësi i Aleancës Kosovare të Biznesit, Shahini, thotë se drejtues të bizneseve në raste të caktuara në mungesë të aprovimit të një kredie nga bankat marrin fajde për shkak edhe të kushteve të pafavorshme për kreditim në banka.

“Kjo ndodh në vendet ku nuk janë të zhvilluar ekonomikisht dhe në vendet ku bankat e kanë interesin më të lartë dhe e kanë ashpërsimin e kritereve dhe ky [fenomen] është i zhvilluar. Këtu mund ta përmendim edhe Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, por edhe Serbinë si rajone cilat janë të prekura”, tha Shahini.

Veprimet e tilla të marrjes së fajdeve ndëshkohen sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas këtij Kodi, kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 5 deri në 12 vjet, varësisht nga vlera e humbjeve të mjeteve financiare ose realizimit të pasurisë. /REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme