VIDEO/ Arratisja e ‘Peshkut të madh’

Adriatik Llalla, më në fund u dënua. Jo për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. As për pastrim parash siç e akuzuan dhe e shantazhuan sistematikisht, por thjesht për fshehje të deklarimit të pasurisë nga ana e një zyrtari të lartë.

Një vepër kjo, që është konstatuar për dhjetëra e qindra zyrtarë, në sistemin e drejtësisë e në administratë.

Por ai ishte paracaktuar për të qenë “Peshku i madh”, pavarësisht se deri tani në kuptimin ligjor, ka rezultuar një cironkë, e cila po vërtitet nëpër Europë.

Aktualisht  “Çështja Llalla” bujën e madhe që po e shoqëron, e mbart vetëm për pozicionin e lartë që ai ka pasur, por sidomos për luftën që bëri me një ambasador amerikan. Këtë të mërkurë Gjykata e Posaçme vulosi 2 vite burg për të vetmin “Peshk të madh”, që me sa duket ish-ambasadori Donald Lu shikonte këtu në Shqipëri.

Ende nuk dihet nëse ky është fundi i historisë së një prej ish-kryeprokurorëve më të përfolur gjatë këtyre 30 viteve, por gjasat janë që nga valixhja me të cilën Llalla u pa këtë të mërkurë në stacionin qendror të trenave në Romë, të dalin shumë surpriza tronditëse.

Por si nisi përplasja e Adriatik Llallës më ambasadorin e SHBA në Tiranë, i cili nuk ia fali refuzimin e një porosie private që duhej të kryente?!

Gjithçka filloi me prapaskena si të një filmi ku ndërthuret pushteti dhe interesat mafioze të kompanive private.

Bëhet fjalë për ndërhyrjen pa asnjë tis diplomatik të ambasadorit, Donald Lu, në favor të kompaninë “Bankers Petroleum” në kohën që kërkimet jashtë çdo procedure të saj për të gjetur naftë, shkaktuan dëme të mëdha në tokat dhe shtëpitë e banorëve të Marinzës gjatë vitit 2015.

Prokuroria e Fierit nisi hetimet në atë kohë dhe  mori në pyetje edhe administratorin e Bankers, ndërsa banorët kërkonin dëmshpërblime për pasuritë e shkatërruara si dhe investime për zonën sipas ligjit.

Por siç do të rrëfente Adriatik Llalla më vonë, ambasadori Donald Lu, bashkë me një përfaqësues të kompanisë kanadeze u shfaq një ditë në zyrën e tij, për të kërkuar mbylljen e këtyre hetimeve.

Këtë e bëri personalisht e në formë urdhëri, duke lënë për të nënkuptuar se në rast refuzimi do të përdorte fuqinë që i jep posti i ambasadorit të vendit më të fuqishëm në botë.

Madje ish-kryeprokurori tregon se ka pasur edhe tentativa nga individë shqiptarë, që flisnin në emër të kompanisë kanadeze, për ta blerë me shuma të mëdha mbylljen e hetimit, përndryshe ai do të kishte punë me ambasadorin.

Kryeprokurori refuzoi. Faktikisht çështja “Bankers” u mbyll më vonë, por ambasadori Lu nuk e harroi kurrë mosbindjen e Llallës.

Ende pa nisur mirë Reforma në Drejtësi ai e shpalli atë, armik të saj. Madje premtoi publikisht, se do të hetohet si i korruptuar dhe shpërdorues detyre.

“Prokurori i Përgjithshëm është kundër reformës në drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër reformës. Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po i vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë do mbështesin përpjekjet e tyre”, deklaroi ambasadori në shkurt të vitt 2017 për kryeprokurorin.

Edhe pas shpalljes “Non Grata” në SHBA, ky i fundit për habi të të gjithëve, nuk u kompleksua nga miti i ambasadorëve amerikan të pakundërshtueshëm.

Llalla nisi përballjen publikisht, e madje e dërgoi çështjen e tij deri në Senatin amerikan.

Fillimisht në një intervistë për emisionin “Opinion” dhe më pas edhe te “Çim Peka Live”, tregoi për herë të parë se sulmet e ambasadorit Lu kundër tij nuk kishin të bënin me Reformën në Drejtësi siç pretendonte ai, por me një aferë private.

Konflikti sipas kryeprokurorit ishte personal, pasi Lu i kishte kërkuar që të mbylleshin hetimet për çështjen e Bankers Petroleum pas shpërthimeve në zonën e Fierit.

Në të njëjtën periudhë,  institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme ju përgjigj edhe me një deklaratë zyrtare akuzave të ambasadorit të SHBA në Tiranë.

“Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare. Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bërë publik edhe ne media, i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre. Për këtë rast, Ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm”, thuhej në atë deklaratë.

Më pas në një letër që ish-kryeprokurori i dërgoi Senatit Amerikan në 2017, shkruante se në maj të 2015-ën, Lu i kishte kërkuar arrestimin e Ilir Metës dhe se ai po goditej pas një lobimi të Xhoxh Soros.

Lu reagoi duke thënë se kjo ishte një gënjeshtër dhe se Llalla ishte një zyrtar i korruptuar, që duhej dënuar nga drejtësia e re.

Ndoshta i trembur nga një skandal në Uashington apo Kongres, Lu shkoi një ditë më pas edhe në zyrën e Presidentit Meta në një takim jashtë axhendës.

Nuk u tha asgjë publikisht, por përfshirja e tij në një akt të pashembullt jo diplomatik duke i bërë presion kryeprokurorit të një vendi sovran për të arrestuar Kryetarin e Kuvendit, thuhet se ishte boshti bisedës.

Publikisht u fol vetëm për një takim “miqësor” dhe në “frymë pozitiviteti”, por nga burime konfidenciale u mësua shpejt se ambasadori Lu iu përbetua Ilir Metës, se as nuk kishte kërkuar dhe as kishte menduar një arrestim të tij.

Por në maj të këtij viti ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka rrëfyer me detaje, se si ambasadorët e BE dhe SHBA i kërkuan të arrestonte jo vetëm Ilir Metën, por madje edhe Sali Berishën.

Në intervistën për “Çim Peka Live”, ai  tha se ishte ish-ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, i kërkoi në zyrë që të arrestonte Sali Berishën, pasi ishte e vetmja mënyrë “që vendi të hynte në shpejt në BE”.

Po në studion e Çim Pekës ai rikonfirmoi faktin se ish-ambasadori i SHBA, Donald Lu i kishte bërë të njëjtën kërkesë për Ilir Metën.

“Për Berishën po, më është kërkuar që të arrestohet, një kërkesë që është bërë nga ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin që të arrestohet dhe të ndiqet shembulli i Kroacisë. Ajo më tha se, që Shqipëria të futet në BE duhet të ndjekë rrugën e Kroacisë dhe të arrestojë Sali Berishën dhe ti ke rastin që të tregosh forcën tënde të ndihmosh Shqipërinë të futet në BE. Ajo ka përfituar nga rasti që ishte në statusin e diplomates, sepse në kushte të tjera kjo është e patolerueshme për secilin qytetar të lirë kërkohet arrestim pa prova është absurditet që kërkon të hysh në zyrat e një shteti të pavarur dhe ti imponohesh në forma të tilla”, tha ish-prokurori i përgjithshëm, i cili pas kësaj kërkese kishte njoftuar edhe presidentin e Republikës Bujar Nishani.

Adriatik Llalla ishte ndër të parët që u tërhoq nga sistemi i drejtësisë, duke shmangur kështu një gjyq publik që pritej t’i bëhej në organet e “Vettingut” të kontrolluara nga amerikanët. Menjëherë pas kësaj ambasadori Donald Lu nxitoi që të deklaronte:

“Tërheqja nuk i shfajëson këta ish-zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga Vetting-u, duhet të kenë frikë dhe nga hetimet e pashmangshme penale”, përcaktoi ai fatin e ardhshëm të Llallës.

Kundërpërgjigjja e Llallës u bë në një media amerikane ku deklaroi se ambasadori Lu, kishte gënjyer departamentin e Shtetit për të marrë firmën e Rex Tillerson, i cili ndaloi hyrjen e tij drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me preteksin se ishte kundër Reformës në Drejtësi.

Në një prononcim për Uall Street Journal, ish-kryeprokurori shpjegoi, se ishte i sigurt se vendimi është marrë bazuar në keqinformimin e dhënë për personin tim nga ambasadori Donald Lu për Departamentin e Shtetit”

“Ai më ka ofenduar mua dhe familjen time dhe të gjithë trupën gjyqësore dhe të prokurorëve, duke na trajtuar i kriminelë, duke na denigruar publikisht dhe personalisht”, tha Llalla për gazetën e madhe përtej oqeanit.

Por në të njëjtën ditë, Zëri i Amerikës kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme një qëndrim, “nëse do të ndërmerret apo jo ndonjë veprim ndaj ish Kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për t’i ndaluar atij hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste të mëdha korrupsioni”.

Pas kësaj në prokuroria e Durrësit nisi një proces për pasurinë e ish-kryeprokurorit i cili mbështetej në materialet që kishte mbledhur për 5 muaj Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i kontrolluar nga ndërkombëtarët.

Dukej si diçka e para-planifikuar dhe ashtu siç deklaronin burimet diplomatike për Deutsche Uelle në atë kohë, Llalla ishte përzgjedhur nga ambasadori Lu që të ishte i pari në radhë si “peshku i madh”, për të cilin ishte bërë gati rrjeta.

Por pas gjithë kësaj maratone, Gjykata e Posaçme, e dënoi atë me vetëm 2 vite burg dhe vetëm për një akuzë të rëndomtë: Shmangie të deklarimit të pasurisë të një zyrtari të shtetit.

Madje gjykata nuk iu pranoi prokurërëve “pro-amerikanë” të zellshëm të SPAK, as ekspertizën që zgjodhën vetë për pasuritë e Llallës.

Nëse do të ishin dënuar të gjithë ata prokurorë, gjyqtarë apo zyrtarë të shtetit për të njëjtën akuzë njësoj si Llalla, atëherë edhe stadiumi “Air Albania”, do të duhej të kthehej në një burg gjigant.

Në fund të kësaj odiseje doli se ndryshe nga sa pretendonte ambasadori Lul, ish-kryeprokurorit nuk ju vërtetua as korrupsioni dhe as shpërdorimi i postit të lartë.

Atëherë përse ndodhi e gjitha kjo?!

Përgjigjen e keni në “Marinzë” e gjetkë, ku del lum e merret gati falas “ari i zi” i Shqipërisë.

Atje ku kompania për të cilën punonte Lu dhe ish-shefi i tij në SHBA vazhdon që të shkatërrojë tokat e shtëpitë në mënyrë barbare, duke e kthyer atë vend në fushë të shkretë si ato të Teksasit./Çim Peka LIVE

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme