Një ditë vere në vitin 2009, Ergest Memo ndezi kamionin e tij IFA dhe së bashku me të vëllanë, Taulantin dhe një kushëri, shkuan në malin e Gramozit për të bërë dru.
“Shkuam me IFA, siç shkonte i gjthë fshati,” tregon Ergesti, sot 38 vjeç.
Dy vëllezërit ishin pjesë e një grupi prej 10 bashkëfshatarësh. Kur kaluan kufirin me Greqinë, policia e vendit fqinj i pikasi.
“Na pa policia, ne ikëm kurse kushëririn e kapën,” tha ai. “Më pas atë e dënuan dhe bëri burg, kurse ne u shpallëm në kërkim,” shtoi Ergesti.
Dymëdhjetë vjet më vonë, 38 vjeçari dhe vëllai i tij Taulanti janë ende në kërkim policor nga Interpoli – organizata ndërkombëtare policore, e cila në vitin 2019, i përfshiu dy vëllezërit nga fshati Gjonç i Kolonjës në listën e shtatë kriminelëve më të kërkuar në botë për krim mjedisor.
Ndryshe nga Interpoli, bashkëfshatarët e vëllezërve Memo thonë se ata mund të jenë çdo gjë, por jo kriminelë të rrezikshëm.
“Djemtë nuk janë problematikë, u bë e madhja por ishte ora e keqe e tyre,” tha Ëngjëllushja, një banore e fshatit Gjonç, e cila shtoi se në fund të dekadës së shkuar i gjithë fshati priste dru përtej kufirit, të shtyrë nga kushtet e këqija ekonomike.
“Këtu veç blegtorisë nuk ka asgjë, toka jo, mali jo, rrugë s’kemi. Ne jemi si në humbëtirë, me se të jetojmë,” u ankua 55-vjeçarja.
“Nga e keqja hynin dhe nga greku, se po të kishim me se të jetonim nuk e bënte askush këtë gjë,” theksoi Ëngjëllushja.
Për rastin e tyre ngrejnë vetullat edhe aktivistët mjedisorë në Shqipëri, të cilët theksojnë se edhe pse të presësh pyje në një zonë të mbrojtur është e ndaluar, krimi mjedisor në Shqipëri merr forma më të sofistikuara.
“Edhe këta dy vëllezër, apo dhe fshatarët që janë në zona të mbrojtura, në qoftëse nuk i respektojnë rregulloret apo të gjithë protokollet që janë vendosur për të mbrojtur mjedisin, normalisht jashtë drejt thyerjes së ligjit dhe bërjes së një krimi mjedisor,” tha Olsion Lama, specialist për zonat e mbrojtura pranë Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).
“Po ato nuk kanë një ndikim shumë të madh, siç mund të ketë për shembull dhënia e koncesionit të një hidrocentrali apo ndërtimi i një aeroporti – të cilat kanë një ndikim shumë më të madh në mjedis sesa prerja e dy apo tre drurëve nga një fshatar për nevojat e tij,” shtoi ai.
Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, me 5 qershor 2019, Interpoli bëri një apel duke kërkuar ndihmën e publikut për arrestimin e shtatë të kërkuarve ndërkombëtare të akuzuar për krime mjedisore. Pjesë e listës së të shumëkërkuarve ishin dhe vëllezërit Memo nga Kolonja.
Sipas Interpolit, krimi mjedisor gjeneron nga 110 miliardë USD deri në 280 miliardë USD çdo vit. Vështirë t’i shohësh këto para në fshatin Gjonç. Ky katund ndodhet vetëm 10 kilometra larg nga Erseka, por mungesa e rrugës dhe e urës që e lidh atë me fshatin Prodan, bën që banorët në vjeshtë dhe dimër të izolohen.
Gjatë muajve të ftohtë, prurjet e lumit shtohen dhe kalimi i tij bëhet thuajse i pamundur, ndërsa ura është jashtë funksionit prej të paktën 15 vitesh, çka i ka shyn banorët e fshatit të largohen dhe emigrojnë.
Fshati Gjonc Ne Erseke 533×400
Në fshat kanë mbetur vetëm 15 familje, që i janë përkushtuar blegtorisë dhe që gjatë dimrit thuajse e kanë të pamundur komunikimin me zonat përreth. Pjesa më e madhe e banorëve ka emigruar në Greqi apo është larguar drejt qyteteve të tjera.
Shtëpia e dy vëllezërve Memo gjendet në mes të fshatit. Ndërtesa njëkatëshe e mbuluar me llamarinë ngrihet mbi oborrin me baltë, ndërsa zëri i një gruaje thotë nga brenda ngrehinës se djemtë nuk gjenden aty. Me ndërhyrjen e një tjetër banori të fshatit, Ergest Memo pranoi në fliste për BIRN dhe të rrëfejë historinë e tij.
“Ka që në vitin 2009 që përndiqemi nga kjo histori. A thua se kemi bërë vrasje,” u ankua 38-vjeçari i veshur me një xhup fëshfëshe me ngjyrë blu në lejla, patallona doku kafe, atlete të bardha me baltë dhe një kapuç të zi mbi kokë, poshtë të cilit i dalloheshin flokët e thinjura ngjyrë gështenje.
“Më mirë të mos i kishim ikur policisë dhe të kishim bërë 8 muaj burg siç bëri kushëriri ynë, sesa të na nxjerrin si kriminelë,” shtoi ai, ndërsa mbante duart në xhepa, me faqet e skuqura nga të ftohtit dhe shikimin e ndrojtur drejtuar përtokë.
Ergesti kujtoi se kamioni me të cilin ishin ngjitur në mal ishte e tyre. Ata kishin me vete edhe çiften e të atit, pa të ciliën ai shpjegon se nuk mund të shkoje në mal. Edhe pse arma e gjahut ishte me leje, ata u akuzuan nga policia greke për armëmbajtje pa leje. Emrat e tyra iu dhanë policisë greke nga kushëriri i arrestuar, me të cilin nuk flasin më.
“Pasi kapën kushëririn nuk e dimë çfarë deklaroi në polici ai dhe çfarë ka thënë, por duket sikur çdo gjë u hodh edhe më shumë mbi kurrizin tonë,” tha Ergesti.
“Ishim 10 veta atë ditë në mal, secili për dru, ne na vunë në rreth dhe na akuzuan rëndë,” shtoi ai.
Aliu, një banor rreth të 50-ave në fshatin Gjonç i tha BIRN se vëllezërit Memo nuk ishin të vetmit banorë të fshatit që në atë kohë prisnin dru përtej kufirit.
“Në atë kohë të gjithë shkonim bënim dru nga greku,” tha Aliu, teksa shtynte dy kuajt e tij në drejtim të stallës. “Që kur ndodhi kjo puna e djemve nuk guxojmë më, se ata të kalbin në burg,” shtoi ai, duke iu referuar autoriteteve greke.
Olsian Lamaj nga PPNEA thekson se krimit mjedisor është një formë keqbërje që duhet të merret seriozsht nga të gjithë, pavarësisht ku jetojmë dhe çfarë shtrese shoqërore i përkasim. Megjithatë, ai nuk i sheh vëllezërit Memo mes kriminelëve më të rrezikshëm mjedisorë në botë, madje as në Shqipëri.
“Për mua personalisht, krimi më i madh mjedisor që po ndodh aktualisht në Shqipëri është aeroporti i Vlorës, që po bëhët brenda një zone të mbrojtur,” tha ai.
Në prill të vitit 2021, qeveria e kryministrit Edi Rama firmosi një kontrata koncesionare për ndërtimin e aerportit të ri të Vlorës me kompaninë Mabetex të biznesmenit dhe politikanit kosovar Behgjet Pacolli dhe kompaninë turke ‘YDA’.
Progres raporti i Komisionit Europian, thekson se shtrirja e aeroporti në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë është në kundërshtim me ligjin shqiptar për biodiversitetin dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi.
Sipas të dhënave të publikuara në shtypin grek nga dosja hetimore kundër vellezërve Memo, Prokuroria e Janinës ka nxjerrë një kërkesë europiane arresti kundër tyre në 8 mars 2018. Ata akuzohen se për një periudhë nënte mujore në vitin 2009, kanë prerë 10 hektarë pyje me një vlerë prej 100 mijë eurosh, duke u futur deri në 100 metra në territorin grek.
Gazetari grek Kostas Koukoumakas, i cili ka shkruar për rastin e vëllezërve Memo në revistën elektronike ‘Vice’, i tha BIRN se policia në shtetin helen nuk i konsideron dëmtuesit e paligjshëm të pyjeve me ‘rrezikshmëri të lartë’ dhe arrestet janë të rralla.
“Mbrojtja e ambientit nuk është në krye të agjendës së agjencive ligjzbatuese greke,” theksoi ai.
Ergest Memo kujtoi se ditën që u diktuan nga policia greke në vitin 2009, atë kishin prerë rreth 4 metra kub dru. Të dy vëllezërit jetojnë me prindërit dhe e sigurojnë mbijetesën me të ardhurat nga blegtoria. Para disa vitesh kishin tentuar ta zgjidhnin çështjen nëpërmjet një avokati grek, por ai u kishte marrë 3500 euro dhe nuk u kishte hapur më telefonin.
“Puna është që nuk hyjmë dot në Greqi se sapo të shkelim na hedhin hekurat,” tha Ergesti. “Premë dru nga nevoja për të mbijetuar dhe jo për të bërë krim,” përfundoi ai./BIRN