Madeleine Albright – dritë shprese, sinonim i lirisë

“Së bashku ne u betuam se në Kosovë kurrë më nuk do të vinin natën njerëzit me pushkë; kurrë më nuk do të digjeshin shtëpi dhe fshatra, kurrë më nuk do të kishte terror dhe varreza masive. Kurrë më nuk do të ketë njerëz në Kosovë që jetojnë në frikë”, kishte thënë ajo dhe kaherë kishte punuar për këtë. Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright – e cila vdiq të mërkurën në moshën 84-vjeçare – qe zëri i shqiptarëve të Kosovës në ditët më të vështira

“Lufta e Madeleines” do ta cilësonte shkurt emisari amerikan për Kosovën, Richard Holbrooke, betejën që po e bënte sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, që të bashkonte Perëndimin kundër Serbisë, ndërsa bisedimet po zhvilloheshin në kështjellën e Rambouillet gjatë shkurtit të vitit 1999. “Albrighti në Luftë” qe ballina e revistës amerikane “Time” teksa shtjellonte prapaskenat për të çliruar Kosovën, duke u bërë zë i luftës dhe i paqes së popullit të saj. Albright vdiq të mërkurën në moshën 84-vjeçare.

Të parët që e nderuan pas njoftimit për vdekjen e saj, ishin edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, dhe Hillary Clinton, e cila i ndoqi hapat e Albright si sekretare e Shtetit.

“Pak liderë janë përshtatur aq mirë me kohën në të cilën kanë shërbyer”, ka thënë familja Clinton. “Sepse ajo më së miri e dinte se vendimet politike të Amerikës kishin fuqi të bënin dallimin në jetën e njerëzve rreth botës dhe punën e saj e pa si obligim dhe mundësi”.

Ndërkaq ish-presidenti George W. Bush ka thënë se “Albright e dinte fort mirë rëndësinë e shoqërive të lira për paqe në botën tonë”.

Në lajmin për shuarjen e saj, transmetuesi britanik BBC shkroi se Albright u bë e njohur gjatë periudhës kur i bënte presion Administratës së presidentit Clinton që të intervenonte për ta ndaluar spastrimin etnik në Kosovë, të cilin po e bënte regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit. BBC-ja shkroi se disa kritikë fushatën e bombardimeve të NATO-s e cilësuan si “Lufta e Albrightit”.

“E marr përgjegjësinë e plotë… që besojmë se ishte esenciale për ne që të mos qëndrojmë dhe shikojmë se çfarë po planifikonte të bënte Millosheviqi”, kishte thënë ajo në atë kohë. “Nuk mund t’i shikojmë krimet kundër njerëzimit”.

“Së bashku ne u betuam se në Kosovë kurrë më nuk do të vinin natën njerëzit me pushkë; kurrë më nuk do të digjeshin shtëpi dhe fshatra, kurrë më nuk do të kishte terror dhe varreza masive. Kurrë më nuk do të ketë njerëz në Kosovë që jetojnë në frikë”, pati thënë Albright para deputetëve në vitin 2005. Qe fjalim për popullin, demokracinë dhe ndërtimin e institucioneve në Kosovë.

“Gjatë këtyre gjashtë vjetëve të shkuara, i keni treguar botës se njerëzit e Kosovës janë ndërtimtarë të vërtetë, jo vetëm ndërtimtarë të njohur në botë për ndërtimin e shtëpive dhe banesave, por edhe të institucioneve të reja”, kishte thënë ajo.

Ish-sekretarja kishte dijeni për rininë e Kosovës, por kishte përmendur shkallën e papunësisë të viteve të para të lirisë. Kishte pyetur se çfarë bëjnë të rinjtë e Kosovës për të mbajtur familjet e tyre.

“Kosova ka popullatën më të re, por gjithashtu edhe shkallën më të madhe të papunësisë në Evropë. Nuk mundem të mos pyes veten për të rinjtë që pashë mbrëmë. A thua çfarë bëjnë ata sot? A e kanë arsimimin që u duhet për t’u bërë të aftë të mbajnë familjet e tyre, si dhe të konkurrojnë me ekonomitë e tjera të botës? A do të kenë ata mundësitë që i meritojnë për të shfrytëzuar plotësisht energjinë dhe shkathtësitë e tyre?”

Në vitin 2019 erdhi përsëri. Kësaj here u nderua me bust në sheshin që mori emrin e saj, afër rrugës “Luan Haradinaj” në Prishtinë.

Image

Mbrojtësja e Kosovës deri në frymën e fundit

Profesori dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, kishte paralajmëruar përfshirjen e Albrightit në bisedimet mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, dy vjet më parë.

Në një intervistë për televizionin serb N1 në nëntorin e vitit 2020, Serwer kishte folur për takimin e Komitetit në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë mbledhje kishte marrë pjesë edhe Albright dhe ishte kërkuar njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Nuk është e rëndësishme se çfarë mendojnë serbët për Albrightin, a duhet të inkuadrohet apo jo. Ajo do të inkuadrohet. Është ish-sekretare e Shtetit. Është po ashtu dikush që ka jetuar në Serbi dhe flet serbisht. Mendoj se këtë duhet vlerësuar”, kishte thënë Serwer.

Në diskutimet e Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve, Albright ishte kritike e SHBA-së në lidhje me Kosovën. Kishte thënë se SHBA-ja nuk është duke ndihmuar si dikur në zgjidhjen e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çfarë ka ndodhur, fatkeqësisht, është se tani ka pyetje rreth kufijve dhe asaj se Kosova ka qenë pjesë e Serbisë, mirëpo mendoj se në shumë mënyra, më duhet ta them këtë me keqardhje, se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje me (presidentin serb Aleksandar) Vuçiq dhe me atë që serbët kanë tentuar ta zhbëjnë e që ka pasur rezultat një spastrim gjenocidal, të cilin e ka dënuar komuniteti ndërkombëtar”, kishte thënë Albright në takimin e vitit 2020.

Një vit më vonë, Albright shprehu mirënjohje ndaj Kosovës kur mirëpriti refugjatët afganë gjatë tërheqjes kaotike të SHBA-së nga Afganistani. Ajo në një postim në Twitter kishte shkruar se duhet përqendruar në shpëtimin e jetëve.

“Teksa SHBA-ja po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talibanët, unë jam mirënjohëse ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që edhe të tjerët ta bëjnë këtë”, kishte shkruar ajo.

E kaluara e hidhur e gruas së parë sekretare

Çështjen e Kosovës e dinte nga përvoja e saj familjare kur si fëmijë e refugjatëve çekë iku drejt SHBA-së shkaku i pushtuesve nazistë. Në shkrimin e gjatë për vdekjen e saj, prestigjiozja “New York Times”, e ka cilësuar si mbrojtëse agresive e politikave të presidentit Bill Clinton. Karrierën e saj e nisi si analiste e shkëlqyer e çështjeve botërore, para se të bëhej gruaja e parë që shërbeu në postin e sekretares amerikane të Shtetit.

“E mbështjellë nga një vello sekretesh familjare të fshehura prej saj për pjesën më të madhe të jetës së saj, Albright u ngrit në pushtet dhe famë si një analiste brilante dhe këshilltare e Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare. Nën mandatin e presidentit Bill Clinton, u bë përfaqësuese e vendit në Kombet e Bashkuara (1993-97) dhe sekretare e Shtetit (1997-2001), duke u bërë gruaja e parë me rangun më të lartë në historinë e Qeverisë amerikane të asaj kohe”, vlerëson gazeta njujorkeze.

“New York Times” shkroi se vetëm pasi mori këtë post, e pranoi se prejardhja e saj etnike dhe fetare nuk ishin ashtu siç e kishte menduar.

“Mësoi se familja e saj ishte hebreje dhe se prindërit për t’u mbrojtur ishin konvertuar në katolicizëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i rritur fëmijët si katolikë, pa u treguar për prejardhjen e tyre hebreje. Ajo gjithashtu zbuloi se 26 familjarë, përfshirë tre gjyshërit, ishin vrarë në Holokaust”, shkruan gazeta amerikane për historinë e Albrightit.

Me babanë diplomat, që kërcënohej me ekzekutim, odiseja e familjes zgjati dhjetë vjet dhe dy ikje drejt Londrës, para se të migronte në SHBA. E para ndodhi kur nazistët pushtuan Çekosllovakinë në vitin 1939 dhe ikja e dytë u bë pas riatdhesimit të familjes, pasluftës, kur komunistët me përkrahjen e sovjetikëve rrëzuan Qeverinë e Çekosllovakisë në vitin 1948.

Në Amerikë, vlerëson gazeta amerikane, Madeleine Korbel ishte studente e shkëlqyer. U martua në familjen kamur, Albright-Medill dhe shkroi shumë libra e artikuj në lidhje me marrëdhëniet publike.

“Ajo ishte e panjohur derisa Clintoni mori detyrën e presidentit në vitin 1993 dhe e emëroi kryedelegate në Kombet e Bashkuara. Gjatë katër vjetëve të ardhshëm u bë mbrojtëse e ashpër e interesave globale të Shteteve të Bashkuara. Por ajo dhe Clinton vazhdimisht janë përplasur me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Boutros Boutros-Ghali, në lidhje me misionet paqeruajtëse në Somali, Ruandë dhe luftën civile në Bosnjë”, shkruan “New York Times”.

Pak ditë pasi nisi mandatin e tij të dytë, Clintoni e nominoi Albrightin si sekretare të Shtetit. Ajo u konfirmua unanimisht në Senat me 99 vota për e asnjë kundër.

“Si sekretare, do të bëj më të mirën time që të flas për politikën e jashtme jo në terma abstrakt, por në terma njerëzor dhe mbipartiak”, kishte thënë ajo. “Këtë e konsideroj si vitale sepse në demokracinë tonë nuk mund të ndjekim politika të jashtme që nuk kuptohen dhe përkrahen këtu në shtëpi”.

Kujtimet dhe fëmijëria në Jugosllavi

Ajo lindi me emrin Marie Jana Korbelova në Pragë, më 15 maj të vitit 1937. Ishte më e madhja e tre fëmijëve të Josef dhe Ana (Speegloba) Korbel. Babai i saj ishte atashe shtypi në Ambasadën Çeke në Beograd – Jugosllavi dhe kishte punuar për presidentin e parë demokratik të Çekosllovakisë, Tomas G. Masaryk, i cili doli në pension në 1935 dhe me pasardhësin e tij, Edvard Benes.

“Me përfundimin e Luftës së Parë dhe fatin e familjeve hebreje në një Evropë naziste tepër të tmerrshme për t’u menduar, Korbelët, me vendim të rëndë, u konvertuan në katolicizëm në vitin 1941. Ata pagëzuan fëmijët e tyre, respektuan ritet dhe festat katolike, dhe, për të ruajtur identitetet e tyre të supozuara dhe ndoshta jetën e tyre, sajuan një histori familjare të kujtimeve të krishtera”, shkruan gazeta njujorkeze.

“Prindërit na tregonin se si u njoftuan, se si ishin të dashuruar në shkollën e mesme”, kujtonte Albright dekada më vonë kur mësoi për të vërtetën e familjes. “Na tregonin se si bëheshin gati për festa si Pashkët dhe Kërshëndellat. Isha shumë katolike që e donte Marinë e Virgjër dhe luaja rolin e priftit, luaja role të meshkujve”.

Siç shkruan gazeta “New York Times”, familja Korbel u kthye në Pragë. Babai u bë ambasador në Jugosllavi dhe familja shkoi me të në Beograd. Albright kujtoi përvojat e saj të para në moshën 8-vjeçare kur shoqëronte babanë në Aeroportin e Beogradit për t’u takuar me personalitete që vizitonin qytetin.

“Të shqetësuar për ekspozimin e vajzës së tyre në shkollat ​​shtetërore të Beogradit ndaj indoktrinimit marksist, Korbelët e dërguan Marien në një shkollë private në Zvicër dhe ia ndryshuan emrin në Madeleine”, shkruan NYT.

Kur komunistët morën pushtetin në Pragë në vitin 1948, Korbel u detyrua të jepte dorëheqje. Duke mos dashur të kthehej në Pragë, ai u bashkua me një komision të Kombeve të Bashkuara dhe dërgoi familjen e tij në Londër dhe më pas në Amerikë. Familja u ribashkua në New York, iu dha azil politik dhe u vendos në Denver, ku Korbel u bë profesor në Universitetin e Denverit.

Përveç kujtimeve të saj të vitit 2003, Albright shkroi edhe librat: “The Mighty and the Almighty: Reflections on America, God and World Affairs” (2006), “Memo to the President-Elect: How We Can Restore America’s Reputation and Leadership” (2008), “Read My Pins: Stories from a Diplomat’s Jewel Box” (2009), dhe “Prague Winter: A Personal Story of Remembrance and War, 1937-1948” (2012).

Libri i saj i fundit, “Fascism: A Warning” (2018), e vendosi presidentin Donald Trump në mesin e autokratëve të botës.

Në vitet ‘90, Albright nisi të pranonte letra nga Evropa me informacione të dyshimta në lidhje me të kaluarën e familjes. Ndërkaq në vitin 1997, gazeta “The Washington Post” publikoi një profil të sekretares së re të Shtetit, duke raportuar se prindërit e saj ishin hebre të konvertuar në katolicizëm dhe krijuan një të kaluar fiktive për të mbrojtur fëmijët nga nazistët.

Provat i pranoi si të vërteta dhe i tha revistës “The Times”: “Mendoj se babai dhe nëna ishin njerëzit më të guximshëm. Ata u përballën me vendimin më të rëndë që mund ta merrte ndokush. U jam mirënjohës jashtë mase”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme