Po shtohen zërat përkrahës që Kosova të anëtarësohet sa më parë në NATO, madje në një hap me Ukrainën kërkojnë që të ndodhë kjo sipas disa ekspertëve europian dhe amerikan.
Njëkohësisht nuk mungojnë thirrjet që BE-ja ta sanksionojë Serbinë dhe ta përjashtojë nga procesi i anëtarësimit në BE.
Eksperti i njohur për Ballkanin dhe çështjen shqiptare JanushBugajski, është irrituar nga fakti se Serbia po bën tregti armësh, dhe se ka marrë nga Kina një sistem antiajror, me qëllim tëdestabilizimit të rajonit. Nisur nga kjo situatëBugajski bëri thirrje për një anëtarësim të shpejtë të Bosnjës dhe Kosovës në BE.
“Vuçiqi është udhëzuar nga mbrojtësi i tij Putini, që të destabilizojë Ballkanin. Rruga e shpejtë drejt anëtarësimit në NATO për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën është thelbësore për të penguar luftën”, shkroi të dielën në twiter Bugajski.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në ceremoninë e rotacionit të NALT-it në këtë Ministri ka deklaruar sërish se Kosova e ka synim strategjik anëtarësimin në NATO.
“Qëllimi ynë kryesor strategjik është anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO, prandaj edhe prioriteti ynë kryesor është ndërtimi aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-ë sipas standardeve të NATO-s”, ka deklaruar Mehaj.
“Prandaj edhe kemi objektiv kryesor operacional që forcat tona të jenë plotësisht të ndërveprueshme me forcat e vendeve anëtare të NATO-s në relacione bilaterale, por mbi të gjitha të jenë forca të ndërveprueshme në kuadër të misioneve shumëkombëshe të NATO-s, në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit kudo në botë”, shkroi ai.
Kosova ta merrë statusn e vendit kandidat për në BE
Po ashtu një figurë e njohur europiane nga Austria, Gunther Fehlinger mik i shqiptareve, në një intervistë ka deklaruar që Kosova brenda vitit 2022 së bashku me Ukrainën duhet të anëtarësohet në NATO, për të qenë të sigurt, dhe për ta pasur statusin e kandidatit në BE.
“Lufta është e tmerrshme, dhe unë kam besim dhe shpresoj se do ta fitojë Ukraina. Por, kjo ka treguar gjithashtu se ne kemi humbur një dekadë, dekadën e fundit BE-ja nuk ka qenë mjaft aktive dhe tani kemi pasojat. Politika e paqes e zonjës Merkel ndaj Putinit dhe Vuçiqit nuk ka funksionuar, ishte një gabim i tmerrshëm. Ne duhet t’i mbështesim më shumë miqtë tanë dhe duhet të sigurohemi që kur dikush është jashtë kontekstit të botës së lirë, duhet të jemi shumë të qartë përballë tyre. Pra, po bëj thirrje që shtetet anëtare të NATO-s në Ballkan, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut të jenë shumë shpejt në BE, deri në vitin 2024, në zgjedhjet e ardhshme evropiane. Këta tre aleatë të NATO-s, të cilët janë të plotë në harmoni me politikën tonë evropiane, duhet të jenë plotësisht në BE, janë të gatshëm për këtë, dhe mendërisht janë në botën tonë të lirë dhe kjo është e rëndësishme. Ne duhet t’i mbështesim më shumë. Pastaj, Bosnja dhe Kosova duhet të marrin para së gjithash ftesën për anëtarësim në NATO, për të qenë të sigurt, dhe statusin e kandidatit në BE, sepse duhet të shkojnë drejt hapit tjetër, dhe gjithashtu duhet të jemi të qartë se Serbia, sidomos tani pas zgjedhjeve të fundit, nuk është gati për anëtarësim në BE, kështu që statusi kandidat i Serbisë në BE duhet të ngrihet”, thotë Fehlinger.
“Të ketë angazhim maksimal”
Lidhur me këtë, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Kosova për anëtarësim në NATO duhet ta shfrytëzoj momentin e ri politik.
“Institucionet përgjegjëse duhet të angazhohen maksimalisht në këtë proces, por një gjë e tillë nuk mund të ndodhë me hapa të përshpejtuar. Kosova duhet të bëj përpjekje për të shfrytëzuar këtë momentum të ri politik në rendin ndërkombëtar, por çdoherë duke reduktuar këtë ambicie në punë, angazhim e përkushtim”, thotë Ahmeti.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO, i vështirë”
Sipas analisti politik, Faton Mehmeti, është e vështirë që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.Por, megjithatë sipas tij, tani shembull për këtë duhet të merret rasti i Ukrainës, sepse po të ishte në NATO, nuk do të kishte luftë.
“Më duket e vështirë që kjo të ndodhë, ndonëse Kosova duhet të futet në NATO. Sa më parë që Kosova futet në NATO aq është më i sigurt i tërë rajoni. Në këtë kuptim, duhet theksuar se sikur Ukraina të ishte në NATO nuk do të ndodhnin krimet sot. Bota duhet të marrë shembull rastin e Ukrainës që mos të ndodhë më, futja e Kosovës në NATO është në favor edhe të vet NATO-s, do të ndjente më pak përgjegjësi në një rast të tillë”, thekson ai.
“Ende ka pengesa”
Ndërsa, juristi Blerim Burjani, deklaroi se njëra ndër pengesat më të mëdha që Kosova nuk mund të bëhet pjesë e NATO-s, është se shumë shtete të saj ende nuk e njohin shtetin tonë.
Burjani shtoi se e rëndësishme është që Kosova ka interesim për këtë. Gjithashtu ai propozon që NATO-ja të nxjerrë akte juridike, nëse shtetet e tjera janë të gatshme për tu bërë pjesë e saj.
“Kjo do të ishte pozitive dhe sukses i madh për Kosovën, por ka ende pengesa. Ka shtete të NATO-s që nuk e njohin Kosovën, kjo është pengesa më e madhe që ndalë procedurat tjera, përndryshe anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm. Ka pengesa burokratike dhe statutare që e pengojnë këtë proces të përshpejtohet. Me rëndësi është se Kosova po mundohet, pra po punon në këtë drejtim, po lobizon në media vendore dhe ndërkombëtare që një proces i tillë të ndodhë në një kohë sa më të afërt. NATO-ja duhet të nxjerrë akte juridike kalimtare, nëse veç ka interesim më të madh nga shumë shtete që shprehin gatishmërinë që të bëhen pjesë e NATO-s”, thekson Burjani.