Policia e Tiranës thotë se ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në një familje.
Arrestohet në flagrancë 40-vjeçari që nën efektin e lëndëve narkotike, ushtroi dhunë fizike ndaj prindërve të tij dhe i kanosi ata me mjet prerës (thikë).
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, pas kallëzimit të marrë nga shtetasi R. Xh., se djali i tij ushtronte dhunë fizike në mënyrë të vazhdueshme ndaj tij dhe bashkëshortes, si dhe i kishte kanosur ata me mjet prerës (thikë), menjëherë kanë organizuar punën, duke kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë, djalin e tij, shtetasin T. Xh., 40 vjeç, banues në Tiranë. Në vijim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi T. Xh., pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme, nën efektin e lëndëve narkotike, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj prindërve të tij dhe i ka kanosur ata me mjet prerës thikë”, tha policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./GSH