Val: Gjykatësit dhe prokurorët kanë shumë pak besim në këshillat e tyre përkatës

Ambasador, ju faleminderit shumë që jeni sonte me ne dhe për këtë intervistë. Besoj se kjo është intervista juaj e parë për televizionin Alsat.

Wahl: Po, shumë e vërtetë. Ju falemnderit për ftesën dhe mirëmbrëma.

Këtë javë Misioni i OSBE-së në Shkup mbështeti promovimin e Vlerësimit të Rreziqeve të Komisionit që lidhet me sistemin e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Cilat janë pikat kryesore të këtyre rezultateve sipas jush?

Wahl: Po, mendoj se ajo çfarë është e rëndësishme të kuptohet për këtë Vlerësim të Rreziqeve të Korrupsionit është se në fakt është një pikëpamje prej brenda sistemit gjyqësor sepse kemi pyetur gjyqtarët dhe prokurorët publikë se si ata ndihen për korrupsionin, si ata e shohin korrupsionin dhe si ata perceptojnë rreziqet më të mëdha të korrupsionit. Pra, është perceptim nga brenda, nga praktikuesit ligjor.

Ne kemi parë një reagim të madh, që besoj se është shumë premtuese. Më shumë se 50 për qind të gjyqtarëve dhe prokurorëve na janë përgjigjur. Pra, kjo na tregon se nuk ka asnjë mohim. Mendoj se ky është lajmi i parë i mirë për këtë Vlerësim të Rreziqeve të Korrupsionit që kemi bërë.

Tani, për sa i përket metodologjisë, ne kemi bërë një sondazh anonim që është shoqëruar me intervista, në mënyrë që të mos kemi vetëm të dhëna sasiore, por edhe të dhëna cilësore, në mënyrë që ta shikojmë pak më thellë çështjet.

Gjyqtarët dhe prokurorët kanë identifikuar rreziqet e jashtme dhe të brendshme dhe i kanë renditur ato. Sfidat më mbizotëruese që gjyqtarët dhe prokurorët publik i kanë identifikuar si të parat janë mendimet e njëanshme të ekspertëve si dëshmi. Së dyti, keqpërdorimi i të drejtave procedurale të avokatëve mbrojtës, së treti, aktakuzat e dobëta dhe së katërti, mungesa e bashkëpunimit efikas ndërmjet prokurorive dhe organeve të hetimit.

Çfarë ju tregojnë këto rezultate? Ku qëndrojmë me korrupsionin në gjyqësor?

Wahl: Siç përmenda, mendoj se kjo tregon se nuk ka asnjë mohim për këtë. Kur lexoni dokumentin, kur hyni në detaje, ai na jep njohuri se ku duhet të përgjigjemi, cilat fusha duhet të drejtojmë kundër kësaj dukurie negative.

Ajo që në fakt ishte shumë shqetësuese në Vlerësimin e Rreziqeve të Korrupsionit është se edhe gjyqtarët edhe prokurorët kanë shumë pak besim në Këshillat – Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë. Më shumë se 50 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve të anketuar nuk kanë besim në këto institucione të rëndësishme.

Mendoj se kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve. Por, këtu ka edhe një element pozitiv, që është se njëjtë si gjyqtarët ashtu edhe prokurorët besojnë se mekanizmat ekzistues të korrupsionit, si Sistemi i Automatizuar i Menaxhimit të Rasteve (AKMIS) si dhe dixhitalizimi i gjyqësorit duket se po japin rezultate. Kjo po shihet si diçka pozitive.

OSBE-ja ka mbështetur një raport dhe studim të ngjashëm në 2009 dhe ju keni bërë një krahasim mes këtyre dy studimeve. Çfarë mund të nxjerrim nga këto të dhëna krahasuese?

Wahl: Po. Ishte shumë interesante për mua të shikoja dhe lexoja të dy sondazhet – atë të vitit 2009 dhe atë të këtij viti. Në fakt ka vetëm ndryshime të vogla. Ne kemi parë zhvillime pozitive në atë se ka më pak ndikim të jashtëm dhe presion nga ekzekutivi, pra më pak ndikim nga partitë politike dhe nga politikanët.

Interesante.

Wahl: Po, është vërtet shumë interesante. Nuk është një zhvillim i madh, por megjithatë është një zhvillim pozitiv. Por, nga ana tjetër, kemi parë se ka presion në rritje nga brenda radhëve dhe kjo është diçka shqetësuese.

Por, ajo çfarë mësova më tepër kur lexova të dy dokumentet është se nuk ka ndryshuar aq shumë. Dhe, kjo është diçka për të cilën ne vërtet duhet të reflektojmë sepse tashmë janë bërë katërmbëdhjetë vjet nga vlerësimi i fundit dhe janë vendosur shumë mekanizma kundër korrupsionit në vend. Kemi mbyllur shumë boshllëqe, kemi strategji nacionale kundër korrupsionit, por megjithatë duket se progresi mund të jetë më i mirë.

Wahl: Duke pasur parasysh këto rezultate, cila është rruga përpara?

Mendoj se rruga përpara është se tani duhet t’i analizojmë me kujdes rezultatet. Ka shumë pika konkrete, të cilat janë vënë në pah përkatësisht nga gjyqtarët dhe prokurorët, ku mund të nxjerrim mësimet tona. Dhe pastaj, politikat po ecin përpara, dhe duhet të jenë të formuara në bazë të kësaj.

Shohim se ku janë pikat e presionit, se çfarë duhet bërë, dhe për mua përgjegjësinë kryesore e kanë institucionet e drejtësisë në vend, por Misioni i OSBE-së është sigurisht këtu për të ndihmuar këto procese dhe ne e bëjmë këtë.

Kështu që, unë i kërkova gjithashtu ekipit tim që ta studionte me kujdes Vlerësimin dhe të shohë se ku mund ta ndihmojmë edhe më mirë vendin për të ecur përpara në përpjekjet e veta për të luftuar korrupsionin.

A do ta ndani këtë raport me institucionet shtetërore dhe t’iu kërkoni atyre më shumë përpjekje për të luftuar këtë dukuri?

Wahl: Absolutisht. Këtë e kemi bërë së bashku me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, përkatësisht me Shoqatën e Gjyqtarëve dhe respektivisht, atë të Prokurorëve. Sigurisht që e kam ndarë me qeverinë, me Ministrinë e Drejtësisë. Ka një reagim të madh pozitiv dhe nuk kam dyshim se do ta çojmë përpara atë në mënyrë sistematike.

OSBE-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare janë veçanërisht të interesuar se si institucionet tona e luftojnë korrupsionin. A mendoni se ka mjaftueshëm përpjekje nga institucionet tona për ta luftuar korrupsionin?

Wahl: Duket se ekziston një vullnet politik për të luftuar korrupsionin. Unë jam këtu në Mision për gjashtë muaj dhe kam folur me të gjitha partitë politike dhe nuk kam dyshim se ka vullnet dhe seriozitet politik për ta luftuar këtë dukuri negative. A mund të bëjmë më shumë? Unë do të thoja që po, mund të bëjmë më shumë. Ne kemi parë përsëri nga njëra anë se Maqedonia e Veriut është renditur më lart në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International dhe ky është një zhvillim pozitiv që tregon se ka progres. Nga ana tjetër, shohim edhe në sondazhet e opinionit publik se ka një nivel shumë të ulët besimi nga ana e popullatës ndaj gjyqësorit në veçanti. Siç thashë, duket se askush nuk e mohon se ekzistojnë sfida serioze dhe mendoj se ne të gjithë duhet të përveshim mëngët dhe të rrisim përpjekjet tona.

Si mund OSBE të na ndihmon në luftimin e korrupsionit?

Wahl: Unë mendoj se këtë e bëjmë në shumë aspekte të ndryshme. Kemi partneritet strategjik për shembull me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, i përkrahim ata në punën e tyre.

Ne punojmë me Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë. Ne kontribuuam në hartimin e Kodit të ri Penal, të Ligjit të ri për Procedurë Penale. Ne kemi forcuar rregulloret për sinjalizuesit në vend dhe ndihmojmë në trajnimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë në këtë fushë. Ne kemi mbështetur dixhitalizimin e gjykatave. Ky është një nga elementët që anketa tregon se ka një zhvillim pozitiv dhe se ka shpresë. Por, mendoj se duhet të bëjmë më shumë në këtë fushë. Mendoj se mund të forcojmë edhe etikën në të gjitha këto fusha. Ne, për shembull, jemi duke hartuar edhe një Doracak të ri për prokurorët publikë. Pra, është një gamë e gjerë aktivitetesh ku ne po ndihmojmë Maqedoninë e Veriut për të luftuar këtë dukuri negative.

Një proces vetingu po paralajmërohet tashmë për disa vite. A është vetingu i funksionarëve, gjykatësve dhe prokurorëve një mundësi për të ecur përpara? A keni shpresa se ne mund të marrim përsipër dhe të bëjmë një veting të mirë?

Wahl: Vetingu është një proces shumë kompleks dhe kur flasim për vetingun, mendoj se duhet të kuptojmë dhe këtu mendoj se diskursi publik rreth vetingut është paksa shumë i thjeshtësuar. Ndoshta perceptimi se nëse bën veting, është një lloj shtypjeje e butonit për t’ia nisur nga fillimi se ke zhdukur korrupsionin duke kryer vetingun. Unë kam parë veting në Bosnje dhe Hercegovinë, kam parë veting në Kosovë, në Shqipëri.

Gjithçka ishte ndryshe në të gjitha këto vende të ndryshme, por unë kam rezervat e mia lidhur me efikasitetin e vetingut. Nga ana tjetër, mendoj se duhet të kemi parasysh se parimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe autonomia e prokurorisë janë vlera të larta në demokraci dhe në ndarje pushtetesh.

Pra, nëse vetingu bëhet, dhe unë nuk jam rreptësishtë kundër vetingut, por duhet bërë pas një vlerësimi të plotë se pse nuk funksionojnë mekanizmat aktualë që janë në vend. Dhe duhet të jetë një vlerësim me mirëbesim për këtë dhe më pas të shihet nëse verifikimi i plotë është përgjigja e duhur ose nëse do të ishte më mirë të forcoheshin ose zbatoheshin masat ekzistuese të integritetit, sepse është gjithashtu e qartë se vetëm vetingu nuk do të kryente punë.

Ajo që është e nevojshme për të çrrënjosur korrupsionin në mënyrë të qëndrueshme janë masat e integritetit, kontrollet e integritetit në baza të rregullta, si dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies.

A mendoni se zyrtarët tanë kanë parasysh të bëjnë një vlerësim të tillë kur premtojnë vetingun?

Wahl: Nuk kam asnjë indikacione ndryshe. Dhe jam i sigurt se sapo të bëhet fjalë për veprime më konkrete nga ana e qeverisë, ata do t’i drejtoheshin Misionit tonë ose ODIHR-it, i cili ka një ekspertizë të madhe në këtë fushë, dhe jam i sigurt se do të ishim shumë të gatshëm dhe të lumtur të ndihmonim qeverinë këtu në identifikimin nëse vetingu është instrumenti i duhur që duhet zbatuar në këtë moment të caktuar.

Ambasador do ta ndryshojmë temën këtu. OSBE/ODIHR ndjek çdo proces zgjedhor në Maqedoninë e Veriut dhe jep rekomandime për përditësimin e ligjit. Rekomandimi i parë që jepni gjithmonë është një Kod i ri zgjedhor. Çfarë bëni ju për të nxitur vullnet politik për një Kod të ri zgjedhor duke pasur parasysh se nëse vazhdojmë kështu, s’do ta kemi edhe për një kohë të gjatë?

Wahl: Do thoja se jam pak ma optimist se ju, dhe natyrisht është pjesë e punës sime të flas me liderët politik, me shoqërinë civile dhe aktorët e tjerë relevant dhe gjithashtu me kolegët tanë nga ODIHR në Varshavë për të sjellë përpara reformën zgjedhore. Mendoj atë që e shohim për momentin është se ka grup punues që është formuar nga Ministra e Drejtësisë dhe ka dy procese të ndryshme.

Njëra është diskutimi i madh politik mbi numrin e njësive zgjedhore, ky është diskutim politik që duhet të bëhet midis partive politike këtu në Maqedoninë e Veriut.

Procesi tjetër është ai që unë e quaj, apo ne e quajmë, rekomandimet e OSBE/ODIHR. Këto rekomandime janë rezultat i, siç ju theksuat, të Misioneve për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe janë më shumë të natyrës teknike dhe besojmë se shteti mund të lëvizë përpara me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndërsa në të njëjtën kohë bëjnë diskutime, të cilat janë të rëndësishme, mbi njësitë zgjedhore, por njëra nuk e përjashton tjetrën. Dhe unë kam indikacione dhe garanci nga të gjithë liderët politikë në shtet, përfshirë nga opozita dhe z. Mickoski, se sapo këto rekomandime teknike të OSBE/ODIHR arrijnë në parlament, do të votohen.

Pra, nuk kam asnjë indikacion në këtë periudhë se kjo nuk do të ndodhë. E di se diskutimet janë duke vazhduar, pra të shohim.

A jeni i informuar për diskutimet që bëhen në grupin e punës?

Wahl: Po, po jam personalisht i informuar dhe natyrisht vazhdoj të jem në kontakt si pjesë e punës sime të rregullt, por gjithashtu kemi edhe monitorues të OSBE-së në grupin e punës.

Sigurisht vendimi përfundimtar varet nga partitë politike por kur flasim për modelin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut a mendoni se një njësi zgjedhore dhe listat e hapura të kandidatëve janë një model i mirë për vendin?

Wahl: Nuk ka standard të OSBE-së lidhur me këtë. Pra, nuk ka asgjë që unë do mund të rekomandoj këtu, është vërtet diçka që tërësisht varet nga Maqedonia e Veriut të vendos se çfarë sistemi zgjedhor do të dëshironte të ketë.

Financimi i fushatave zgjedhore dhe financimi i partive politike janë dy probleme të tjera për të cilat OSBE/ODIHR është interesuar. Do të doja t’ju pyesja se si partitë politike keqpërdorin ligjin aktual?

Wahl: Nga ajo që mësova kur mora pozitën këtu, është se në zgjedhjet e fundit pati kritika nga disa parti politike, se nuk kishte kushte të barabarta në fushën e lojës, dhe siç ju e theksuat tani, se fondet shtetërore për fushatat elektorale dhe më pas gjithashtu për reklamimin në media, si dhe kohën televizive u jepen gjerësisht partive të mëdha politike. Kjo padyshim nuk është gjë e mirë sepse në demokraci funksionale, në modelin zgjedhor do të dëshironit të keni fushë loje të barabartë për të gjithë, kurse kjo është saktësisht njëra nga rekomandimet teknike të OSBE/ODIHR që shpresojmë do të miratohet tani.

Të flasim pak për sigurinë. Rusia ka ndikimin e saj në Ballkan. Si qëndron tani çështja e sigurisë, një vit e ca muaj pas fillimit të luftës në Ukrainë?

Wahl: Maqedonia e Veriut është shtet stabil, nuk mendoj që ka probleme në atë aspekt. Dhe mendoj, Maqedonia e Veriut, kur të shikoni 30 vitet e kaluara, unë jam duke drejtuar një Mision që është për 30 vjet në shtet, mund të shihni se Maqedonia e Veriut ka lëvizur nga një shtet që importon stabilitet dhe siguri, në shtet që eksporton stabilitet dhe që luan veçanërisht rol shumë pozitiv këtu në Ballkanin perëndimor.

E shohim se ka zhvillime në shtetet fqinje këtu, që janë shqetësuese dhe që mund të kenë ndikim këtu në Maqedoninë e Veriut. Unë vërtet i vlerësoj dhe përgëzoj përpjekjet nga qeveria këtu, madje veçanërisht nga Ministri i Jashtëm, Osmani, për të nxitur marrëdhënie të mira fqinjësore dhe në veçanti do doja të përmend planin e tij 9-pikësh të cilin e ka ofruar si Kryesues i OSBE-së dhe gjithashtu si Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut në drejtim të zgjidhjes së çështjeve aktuale midis Beogradit dhe Prishtinës.

Por ne kemi përpjekje të jashtme për të ndikuar në vendin tonë dhe në sigurinë këtu. Çfarë duhet institucionet tona të bëjnë rreth përpjekjeve të jashtme për ta destabilizuar vendin?

Wahl: Maqedonia e Veriut nuk është e vetme në këtë, mendoj se të gjitha shtetet globalisht në këtë moment ballafaqohen me këtë dukuri. Mendoj se kjo më shumë ndërlidhet me dezinformatat dhe lajmet e rreme. Mendoj se të gjithë ne duhet t’i rrisim përpjekjet tona për ta luftuar këtë dukuri negative.

Mendoj se njëra nga përgjigjet ndaj kësaj është edhe gazetaria e cilësisë së lartë, por gjithashtu dhe edukimi mediatik në shkolla, që qytetarët të kuptojnë, dhe të rinjtë të kuptojnë se jo çdo gjë që e shihni në celularë është në fakt e vërtetë, se ato duhet të rikontrollojnë dhe verifikojnë informatat dhe elementi tjetër është se ne duhet me siguri të risim sigurinë kibernetike.

Kemi parë në fund të vitit të kaluar dhe fillimin e këtij viti, kërcënimet e rreme me bomba dhe kjo ishte diçka që e pamë në tërë rajonin, që ishte interesante në fakt për ta vëzhguar. Mendoj se kjo na rikujtoi se ekzistojnë dobësi të cilat duhet t’i adresojmë. Jam i lumtur se Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Agjencinë e zbulimit dhe agjencitë e tjera të sigurisë i kanë rritur përpjekjet e tyre në atë aspekt.

Si do t’i përshkruani këto muajt e fundit nga kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE?

Wahl: Po. Maqedonia e Veriut është duke kryesuar me Organizatën në një kohë shumë të vështirë. Ne kemi luftë aktuale në Evropë, që ka lëkundur themelet e Organizatës. Pra, është shumë e vështirë dhe kemi një Kryesues shumë aktiv dhe e përgëzoj ekipin e tij, atë në Vjenë dhe poashtu këtu për përpjekjet e jashtëzakonshme për udhëheqjen e kësaj Organizate duke e drejtuar nëpër këto kohëra kaq të vështira. Mendoj se çdo gjë është në rrugën e duhur dhe gjithmonë do ta mbajë në mend se ishte muaji im i dytë këtu, pasi që fillova me punë nëntorin e vitit të kaluar, dhe në dhjetor, Ministri i Jashtëm, aso kohe nuk ishte Kryesues akoma, më pyeti a do të doja së bashku me të të shikoja lokacione ku do të mbahet Këshilli i Ministrave (të OSBE-së) një vit më vonë. Kjo ju tregon se sa i angazhuar është ai, sa largpamës është ai, dhe këtë e pret edhe nga ekipi vet. Dhe mendoj se ky shtet që po kryeson me Organizatën mu në këtë periudhë, është dëshmi se sa larg në të vërtetë ka arritur Maqedonia e Veriut.

Ambasador, e di se OSBE-ja nuk është drejtpërdrejt e lidhur me këtë por a mendoni se duhet të kemi fillimisht ndryshime kushtetuese ose zgjedhje?

Wahl: Do të ishte shumë e pavend për mua të komentoja mbi këtë, pasi që kjo është proces i brendshëm. Unë jam mysafir në këtë shtet, jam Shefi i Misionit të OSBE-së dhe nuk më takon të komentojë këtë.

Ambasador, ishte kënaqësi ta bëja këtë intervistë me ju.

Wahl: Ishte kënaqësia ime, ju falemnderit për ftesën.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme