FOTOLAJM/ I rrethuar nga forca të shumta dhe mbrojtje nga kamerat e mediave, ja si Ilir Meta u shoqërua drejt GJKKO-së

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhej në bllokun e sigurisë, ku qëndroi për dy netë atje, është shoqëruar sot drejt Gjykatës së Posaçme, në mënyrë që ai të njihet me masën e sigurisë.


Në dalje nga paraburgimi i “Mine Pezës”, Meta dukej i rrethuar nga forca të shumta të uniformave blu, të cilët gjithashtu janë kujdesur që ish-Presidenti të mos kapej nga kamerat e mediave të pranishme.

Përveçse Metës, pranë Gjykatës së Posaçme, ka mbërritur dhe Pirro Xhixho, i ati i deputetës së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixhos.

Përpara togave të zeza do të dalin ish-Presidenti, Ilir Meta, bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, i ati i nënkryetares së PL-së, Pirro Xhixho, dhe e pandehura Ema Coku. Të katërt do të njihen me masat e sigurisë që GJKKO-ja ka caktuar ndaj tyre.

Ilir Meta u arrestua mesditën e 21 Tetorit në zonën e Kthesës së Kamzës teksa po kthehej nga Kosova.

Mjeti ku po udhëtonte së bashku me sekretarin Organizativ të PL-së, Artemis Peçe, u rrethua nga dhjetëra efektivë të Forcave Operacionale dhe Meta u nxor me forcë nga makina për t’u shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisës së Tiranës dhe më mbas në Bllokun e Sigurisë ku ka qëndruar për dy netë.

Akuzat që rëndojnë ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut 

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, Meta akuzohet për veprat penale:

  • “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim
  • “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë
  • “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”

Për këto vepra penale, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën.

Për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, është caktuar masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprave penale:

  • “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 2 raste dhe në bashkëpunim,
  • “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, 
  • “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”

Ndaj të atit të deputetës së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Pirro Xhixho, është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim.

Së fundmi, ndaj Ema Çokut, u caktua masa e sigurisë “ detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprës penale ““Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme