Konferenca për shtyp e kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ka shkuar si duhet, shkruan gazeta “Shqip”. Në fakt, ajo është ndërprerë, për shkak të disa mosmarrëveshjeve mes Aleksandar Vuçiqit të Serbisë dhe Edi Ramës së Shqipërisë.
Mediat kanë mësuar prapaskenat e asaj që ndodhi në Sarajevë:
Sipas agjendës se publikuar nga qeveria e BH, në fund të takimit të sotëm gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor do të prononcoheshin me radhë në një konferencë për shtyp, së bashku me Komisionerin Johaness Hahnn.
Por për çudinë e të gjithë gazetarëve të shumtë, konferenca është ndërprerë kur pas kryeministrit të Bosnjës, si i zoti i shtëpisë, dhe komisionerit Hahnn, i ka ardhur radha kryeministri Vuçiq. Sapo është thirrur nga moderataroja për te marrë fjalën, kryeministri serb ka bërë me shenjë nga Edi Rama.
Ky gjest ka lënë të kuptohet se Vuçiq i ka hapur rrugën Ramës për të folur. Ky i fundit, nuk ka reaguar dhe pas kësaj, kryeministri serb është kthyer nga salla dhe ka thënë se mjafton me kaq dhe se nuk ka kuptim te flasin të gjithë. Pastaj ai ka lëvizur nga podiumi dhe kështu kanë bërë edhe mysafirët e tjerë duke shkaktuar acarimin e gazetarëve që prisnin prej më shumë se një ore.
Më pas gazetare te pranishëm që kanë arritur të kapin diçka nga një shkëmbim fjalësh në anglisht mes kryeministrit serb e atij shqiptar, në korridorin që çonte për në sallën e konferencës së shtypit, kanë treguar se Vuçiq, ka thënë me zë të lartë, se ishte përgatitur të denonconte arrestimin e një militanti të partisë së tij në Kosovë. Ky i fundit, sipas shefit të qeverisë serbe, ishte arrestuar sepse kishte në makinë posterët e kampanjës elektorale të partisë së kryeministrit serb.
Kryeministri Rama mësohet t’i jetë kthyer Vuçiqit me përgjigjen: “Duhet ta dish, se nëse ti e thua këtë në konference unë do të them, ta kam thënë qe po s’e njohe Kosovën probleme do kesh! Dhe do t’i sqaroj unë gazetarët qe nuk është e vërtetë që në Kosovë e kanë arrestuar njeriun tënd, por kane sekuestruar posterët e tu, domethënë kanë arrestuar fotografinë tënde”!
Muhabeti rreth “arrestimit të fotografisë” është pritur me të qeshura nga të pranishmit, ndërsa në fund kryeministri Vuçiq ka preferuar ta lërë me kaq dhe të evitojë replikën e radhës së kolegut të tij shqiptar.