Rezultatet e autopsisë tregojnë se në Idlib të Sirisë, janë përodorur armë kimike ku si pasojë mbetën të vrarë të paktën 70 persona.
Këtë e ka bërë të ditur Ministri turk i Drejtësisë Bekir Bozdag në një konferencë për media.
Të paktën 32 viktima nga sulmi i së martës janë transferuar në Turqi si pasojë e helmimit, ndërsa tre prej tyre kanë ndërruar jetë.
Gjatë ditës së djeshme, ekspertët për krime të luftës të Kombeve të Bashkuara e kanë hapur hetimin për sulmin e dyshuar kimik në Idlib të Sirisë..
Një komision hetimor për Sirinë i Kombeve të Bashkuara tha se e ka hapur hetimin nëpërmjet një deklarate me të cilën dënohet sulmi.
Në këtë deklaratë, po ashtu dënohet marrja e dyshuar në shënjestër e një kapaciteti mjekësor, ku po trajtoheshin viktimat e sulmit dhe konstatohet se të dy aksionet “mund të jenë krime të luftës dhe shkelje serioze e të drejtave të njeriut”.
I dërguari për Sirinë i Kombeve të Bashkuara, Staffan de Mistura, u tha gazetarëve në Bruksel se të gjitha indikacionet janë se ky “ishte sulm kimik dhe ishte kryer nga ajri”.
Ky sulm është dënuar nga zyrtarë të lartë të shumë shteteve.