Mocioni i partive opozitare për mosbesimin të Qeverisë nuk po gjen mbështetje tek deputetët e LDK-së.
Deputeti Shpejtim Bulliqi, i cili njihet si kundërshtuesi më i madh i demarkacionit nga radhët e LDK-së, ka thënë se nuk e përkrah mocionin për rrëzimin e Qeverisë.
I kontaktuar nga ‘Indeksonline’, Bulliqi ka thënë se ai opozita ka të drejtë të ngrisë mocione, por ai do t’i mbroj qëndrimet e LDK-së, si parti në këtë proces.
“Unë jam anëtar i LDK-së, dhe do t’i mbroj qëndrimet e subjektit qe i takoj dhe për këtë nuk ka asnjë dilemë. Ligjërisht opozita mund të ngrite mocione, pavarësisht se a ka të drejtë ose jo. Por, ne mbetemi konsistent në aspektin politik. Pra, nuk jam përkrahës i mocionit”, ka thënë Bulliqi.
Deputeti i LDK-së, nuk ka dashur të komentoj nëse PDK ka gisht në mocionin e opozitës.
E, sa i përket mbledhjes se Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, e cila do të mbahet sonte, e në të cilën do të diskutohet për çështjen e demarkacionit, Bulliqi thotë se do ta japë kontributin e tij për këtë çështje.
I pyetur, nëse qëndrimi i tij do të ndryshoj pas kësaj mbledhje, ai ka thënë se pret qe të tjerët më ndryshu qëndrim dhe jo ai.
Kundër mocionit të opozitës është deklaruar edhe deputeti tjetër i LDK-së, Fatmir Rexhepi.
Vet shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë për ‘Indeksonline’, se asnjë deputetë i LDK-së, nuk do ta mbështes mocionin për rrëzimin e Qeverisë.
Idenë për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, e ka dhënë lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj. Ky i fundit në arsyetimin e tij për mocionin ka thënë se Qeveria dhe Kuvendi janë jashtë funksionit dhe se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje për ta rikthyer normalitetin institucional në vend./Indeksonline