Kryeministri Edi Rama tha në studion e #DritaremeRudinën, në Vizion Plus, se akuzat që i vijnë nga Maqedonia për ndërhyrje dhe krijimin e një platforme të diktuar nga Tirana, janë të pavërteta. Sipas tij, ajo që quhet platforma e Tiranës, është thjesht një platformë e partive shqiptare. Rama tha se Gruevski dhe partia e tij u dakordësuan në fillim, por pastaj e prishën marrëveshjen për shkaqe që i ai di shumë mirë.
“Është e gjitha një spekulim, një gënjeshtër, një politikë e shijes më të keqe, sepse po krijohet një ndasi etnike krejtësisht e pamerituar për popullin maqedonas dhe atë shqiptar, mbi bazën e një gënjeshtre. Nuk është e vërtetë që platforma, e ashtuquajtur e Tiranës, është shkaku i mosmandatimit të qeverisë. E vërteta është që Gruevski dhe partia e tij janë dakordësuar pa vënë kushte për platformën e Tiranës. Kur nuk është realizuar dakordësia, për shkaqe që Gruevski i di shumë mirë, atëherë ka sulmuar platformën e Tiranës, që s’është e Tiranës fare, duke krijuar një ndasi me shqiptarët që është krejtësisht e paarsyeshme. Sepse nuk mund të nxisësh një konflikt, thjesht për arsye pushteti. S’ka lidhje fare me atë që propagandohet. Ajo që quhet platforma e Tiranës, është thjeshtë një platformë e partive shqiptare në Maqedoni, që për herë të parë vendosën interesin e shqiptarëve, mbi interesat e parcelave të tyre politike dhe bënë një punë shumë të mirë”, u shpreh kryeministri në Dritare..
Rama tha më tej se qëndrimi që ka Shqipëria ndaj Maqedonisë është treguar me një provë shumë të madhe, siç është krijimi i Bashkisë së Pustecit, me minoritet maqedonas.
“Se kush është qëndrimi ndaj popullit maqedonas, ne e kemi treguar me një provë shumë të madhe. Një komunitet maqedonas që është një minoritet shumë i vogël në numër, në zonën e Korçës, atje në ish Liqenas, i vunë emrin Pustec siç e donin, i dhamë edhe një bashki më vete, jashtë gjithë parametrave të përcaktuara për të pasur një bashki. E bëmë këtë për t’i dhënë një mesazh të qartë dhe shumë kuptimplotë dashamirësie dhe bashkëjetese. Jo më një popull shtet formues që është pjesë e identitetit shtetëror maqedonas, të mund të trajtohet sikur është një popull i dorës së dytë. Kjo nuk mund të ndodhë”, tha Rama.
Maqedonia prej kohësh ndodhet në një krizë politike, duke qenë se partia opozitare e Zaevit krijoi koalicion me partitë shqiptare në Maqedoni. Kjo është arsyeja që presidenti maqedonas nuk mandaton krijimin e qeverisë së re, pasi thotë se në të tillë mënyrë realizohet platforma e Tiranës. Gruevski dhe Ivanov kanë bërë përgjegjës Ramën për krizën e krijuar në shtetin e tyre./dritare.net