Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, ka kontestuar kredibilitetin e dy prej ekspertëve më të zëshëm që kanë kundërshtuar marrëveshjen e demarkacionit. Sipas akademikut Islami, Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi, të cilët thotë se kanë qenë studentë të tij, “nuk kanë asnjë njohuri teorike për kufij”.
Për më tepër, sipas Islamit, që të dy këta kanë përdorur harta në të cilat Çakorri është jashtë Kosovës.
“Edhe Isufi, edhe Bulliqi, njëri si “ekspert”, e tjetri si deputet, e kanë mbështetur projektin “Parku Kombëtar i Bjeshkëve të Nemuna”, pa 8.000-9.000 ha dhe pa Çakorrin. Ligji për këtë Park është votuar dhe në Parlamentin e Kosovës më 13 dhjetor 2012, pa Çakorrin dhe hektarët “e humbur”!”, ka thënë Islami.
“Ky fakt tregon se e gjithë lufta politike zhvillohet jo për territor të Kosovës dhe kufi të drejtë, por për puro pushtet të individëve dhe grupeve”, ka shtuar Islami.
Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi do të votohet nesër në Kuvendin e Kosovës. Derisa Qeveria e Kosovës insiston se marrëveshja nuk cenon territorin e Kosovës, opozita kundërshton atë.
Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe opozitare në vend, ka paralajmëruar një protestë që do të mbahet nesër në kundërshtim të kësaj marrëveshje.
Protestat e kaluara të organizuara nga opozita kanë eskaluar në dhunë në disa raste./Insajderi.com