Sot Lëvizja BESA zgjodhi kryetarin e ri të degës së këtij subjekti politik në Komunën e Tetovës. Gazmend Aliu është ai i cili pritet t’i prijë betejës në degën e Tetovës në zgjedhjet lokale si kryetar i degës së partisë më të madhe shqiptare opozitare në Maqedoni.
Aliu është i diplomuar në F.SH.M.N – Dega e Matematikës në Universitetin e Shtetëror të Tetovës –USHT, ndërsa ka punuar si profesor i matematikës. Mirëpo, Gazmend Aliu ka qenë i inkuadruar edhe në organizata të ndryshme jo qeveritare të cilat kanë pasur për qëllim sensibilizimin e opinionit. Para se të inkuadrohej në politik, Aliu njihej edhe si kundërshtues i ashpër i politikave të qeverisjes lokale.
Përndryshe, sot Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes BESA – Dega e Tetovës, ka mbajtur mbledhje në të cilën sipas parimit një “anëtar një votë”, unanimisht nga nëndegët e BESËS në Tetovë dhe struktura e saj, për kryetar dege të Lëvizjes BESA në Tetovë është zgjedhur profesor Gazmend Aliu.
I kontaktuar nga portali Sakte.net, Gazmend Aliu ka falënderuar në radhë të parë anëtarësinë e Lëvizjes BESA që i ka ndarë këtë përgjegjësi, ndërsa nuk ka preferuar të flasë për emra të caktuar që do të mund të jenë në krye të betejës politike në zgjedhjet lokale.
“Lëvizja BESA vjen fuqishëm në këto zgjedhje. Përpos shtrirjes së Lëvizjes BESA në tërë territorin ku jetojnë shqiptarët, përkrahja dhe mbështetja nga dita në ditë rritet duke bërë që të besojmë me të drejtë se fitorja do të jetë e pakontestueshme në Komunën e Tetovës. Kjo për faktin se së shpejti do të shpalosim projekte konkrete se si e parashohim zgjidhjen e problemeve të shumta të tetovarëve, probleme të cilat u thelluan edhe më shumë me këtë qeverisje të dështuar. Programi i afatizuar dhe me të gjitha detajet e nevojshme është përgatitur nga ekspertë të shumtë të lëmive të ndryshme, të cilët do të jenë pjesë e ekipit që do të prezantojë ofertën më të kompletuar për tetovarët”, është shprehur Aliu. I pyetur lidhur me emrin e kandidatit potencial, ai ka thënë se për të gjitha detajet mediat do të njoftohen me kohë dhe se Lëvizja BESA, për dallim nga subjektet tjera, forcën e saj e bazon tek grupi, e jo vetëm tek individi i cili, sipas tij, do të jetë në shërbim të ideve të projektuara hollësisht nga ekspertët e Lëvizjes BESA./Sakte.net