Përmes një telegram urimi dërguar Telegrafit Maqedoni, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, i uron besimtarët musliman, duke iu drejtuar kryetarit të BFI-së, Sulejman Efendi Rexhepit, me uratat që ”Bajrami i Kurbanit të jetë festë që na mbruan me dashuri për tjetrin, për fqinjin dhe për atë që ka nevojë për ndihmën dhe buzëqeshjen tonë.”
Urime për festën e Bajramit të kurbanit ka dërguar edhe rektori i UT-së, Vullnet Ameti, i cili uron që kjo festë të jetë ”motiv për forcimin e besimit tonë, mendjeve dhe zemrave tona, për realizimin e qëllimeve të larta humane dhe devotshmërisë, për sigurimin e progresit në këtë botë dhe shpëtim për botën e amshuar.”
Edhe Forumi Rinor Islam (FRI) ”uron gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Bajramit të Kurbanit. Kjo festë e sakrificës, e cila përmbyll periudhën e ditëve të veçuara për të shumëfishuar veprat e mira, është festë e unitetit, përpjekjeve për të ndihmuar nevojtarët, festë për të shpërndarë paqe e buzëqeshje.”
Në urimin e RDK-së thuhet se ”Kurban Bajrami tejkalon çdo kufi dhe shtrihet mbi dimenzionet e jetës humane. Akti i sakrificës që simbolizon këtë festë, është karakteristikë e bukur dhe e madhe njerëzore që në thellësi reflekton bujari dhe mirësi. Kjo ditë përkujton momentin kur individi mban nën kontroll të gjitha dëshirat, dhe ushtron një vet-kontroll të shëndoshë me testimet e jetës disciplinore.”
”Kurban Bajrami është festë e solidaritetit dhe respektit të ndërsjelltë, andaj duke u udhëhequr nga fryma e kësaj feste të bekuar uroj që të vazhdojmë të kultivojmë vlerat tona fetare dhe kombëtare, duke punuar për të ardhmen e familjeve tona dhe kombit tonë”, thuhet në urimin e PDSH-së./Telegrafi/